Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila thekson se valuta e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme është Euro, nuk është produkt i negociatave politike në Bruksel.
Sipas tij, kjo rregullore nuk mund të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Rregullorja e sipёrpёrmendur nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe si e tillё nuk ka se si tё ketё ndikim nё mbarёvajtjen e procesit tё normalizimit tё raporteve mes Republikёs sё Kosovёs dhe fqinjit tonё verior”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, nё këtë rregullore nuk ka pasur se si tё anulohet pёrdorimi i dinarit, “pra diçkaje qё nuk ka qenё e lejuar asnjёherё mё parё”.
Reagimin e tij, Bislimi e bëri pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të enjten në Davos të Zvicrës se “Prishtina ka paralajmëruar se do të anulohet transaksioni i pagesave me Serbinë qendrore, përdorimi i dinarit dhe po ashtu do të bastiset Banka e Kursimeve Postare”.
“Detyra ime është të kujdesem për popullatën serbe dhe paqen rajonale. Nga Prishtina morëm një njoftim se janë të gatshëm ta shqyrtojnë anulimin e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore, ta ndalojnë përdorimin e dinarit dhe ta bastisin Bankën e Kursimeve Postare. Kjo jo vetëm që na shqetëson, por edhe vë në pikëpyetje të gjitha proceset e normalizimit dhe dialogun”, tha Vuçiq, raporton “TV Pink”.