Arbëri

Bislimi: Rajoni përballet me përpjekje destabilizuese që regjisorin e kanë në Rusi e aktorin këtu

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se shtetet e rajonit kanë nevojë të bashkëpunojnë përballë përpjekjeve destabilizuese të dirigjuara nga Rusia.

Ai ka deklaruar tutje se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet, duke theksuar se vlerat demokratike janë orientim strategjik.

“Rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese, që me shumë gjasë, regjisorin e kanë në Rusi, por akterët kryesorë janë nga vetë regjioni. Kosova është përballur disa herë këtë vit, edhe në muajt maj dhe qershor, e së fundmi me 24 shtator, me skenarë që kanë vetëm një qëllim, destabilizimin, e atë jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit. Ne e mbështesim planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian duhet të reformohet dhe zgjerohet. Nuk duhet të ketë përfitues të fondeve pa i përqafuar vlerat e BE-së”, ka thënë ai.

Bislimi në tryezën që Komisioni për Punë të Jashtme organizoi me komisionet për punë të jashtme dhe integrim evropian të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka thënë se Kosova mbetet e palëkundur në përmbushjen e kritereve të BE-së.

“Angazhim i ynë për përmbushjen e kritereve që janë vendosur nga BE-ja është i palëkundur. Ne duhet t’i shohim këto kritere si udhërrëfyes. Rrugëtimi ynë drejt BE është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë sonë për t’ju bashkuar BE-së”, ka përfunduar Bislimi.