Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur online në Konferencën e Sigurisë të mbajtur në Beograd, ka shprehur qëndrimin se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës. Në panelin e diskutimit dedikuar Kosovës dhe Serbisë është theksuar se Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë për ndërtimin e besimit të ndërsjellë.
Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për ndërtimin e besimit reciprok që do të çonte kah normalizimi i marrëdhënieve dhe në këtë drejtim e kanë vëmendjen serioze të partnerëve evropianë, është thënë të premten në panelin “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”, të mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Gjatë paraqitjes online në këtë diskutim zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur qëndrimin se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës, duke shpalosur pak detaje në këtë drejtim.
“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdo modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të atij modeli s’janë të përfshira në dokumentin e shpërndarë për të dyja palët. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog në Bruksel ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj, nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, ka thënë Bislimi.
Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka shprehur qëndrimin se duhet të ketë përmirësim të qasjes nga të dyja palët dhe se përpjekja franko-gjermane është për gjetjen e një zgjidhjeje më të gjerë.
“Nuk besoj se dikush dëshiron që të shohë konflikte të ngrira. Nuk besoj se njerëzit duan që kjo çështje të vazhdojë pafund. Ka përpjekje që të ketë ndërmjetësim për këtë çështje, me vëmendje serioze nga niveli i lartë dhe më besoni se kancelari gjerman dhe presidenti francez kanë gjëra tjera për të bërë dhe megjithatë janë të gatshëm që ta bëjnë këtë. Mendoj se po kërkojnë një zgjidhje më të zgjeruar dhe nuk presin që kjo të ndodhë brenda natës. Dhe sugjerimi i tyre është që kjo nuk duhet të zgjasë me vite apo muaj, por që duhet përqendruar në këtë përbrenda javësh”, ka deklaruar Hill.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike ka pohuar se një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet ndonëse mund të mos jetë marrëveshja finale gjithëpërfshirëse. Sipas tij, çështja është e rëndësishme, me peshë historike për serbët dhe shqiptarët dhe zhvillimin e rajonit.
“Duhet të jemi fqinj të mirë. Për momentin duhet të stabilizojmë, të normalizojmë situatën, por hapi i parë është që Serbia duhet ta normalizojë Serbinë”, ka thënë Janjiqi.
Ndërsa Jovana Radosavljeviq nga Iniciativa e Re Sociale, që vjen nga veriu i Kosovës, ka thënë se palët tani kanë konfirmuar ekzistimin e propozimit franko-gjerman, por që në të njëjtën kanë treguar mungesë të vullnetit të mirë.
“Ka mungesë të vullnetit të mirë të palëve në proces dhe mendoj se kjo duhet të gjendet, sepse pa vullnet të mirë nuk shoh mundësi për marrëveshje të qëndrueshme”, është shprehur ajo.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, duke përmendur përvojën e shtetit të tij, ka theksuar se ka shumë rëndësi që besimi mes palëve të ndërtohet, si dhe të marrë fund loja e fajësimit të njëri-tjetrit.
Paneli “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje” ka përmbyllur Konferencën dyditore të Sigurisë në Beograd.