Arbëri

Bislimi: 24 shtatori ka ndryshuar situatën, gjërat s’mund të shkojnë si deri atëherë

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se agresioni i Serbisë më 24 shtator, ka ndryshuar situatën edhe në procesin e dialogut. Gjatë një ligjërate në Qendrën për politikat evropiane në Bruksel, Bislimi ka thënë se sulmi ishte dizajnuar, mundësuar dhe mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Pas agresionit të Serbisë më 24 shtator, asgjë në dialog nuk mund të shkojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ka thënë sot në Bruksel zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës për dialogun me Serbinë, që zhvillohet në Bruksel.

Bislimi ka folur sot në një ligjëratë në Qendrën për politikat evropiane në Bruksel dhe është përgjigjur në pyetjet e shumta që kanë të bëjnë edhe me dialogun, por edhe me qasjen e Kosovës ndaj lehtësuesve në kuadër të dialogut, të cilët pala kosovare i kishte akuzuar së fundmi që nuk janë më të paanshëm në ndërmjetësimin e dialogut.

Bislimi ka folur edhe për rrethanat të cilat kishin çuar deri te dështimi i takimit të fundit në nivel të lartë kur në Bruksel ishin takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kosova pas atij takimi kishte dalë publikisht me kritika ndaj lehtësuesve.

Bislimi tha se as në atë takim të 14 shtatorit Kosova dhe Serbia nuk ishin në pozita të barabarta, sepse presioni ishte ndaj palës kosovare, pasi që në fuqi ishin masat që BE-ja i kishte vendosur kundër Kosovës, por masa të tilla nuk kishte ndaj Serbisë.

I pyetur për të ardhmen e dialogut, zëvendëskryeministri Bislimi ngjashëm sikurse edhe përfaqësues të tjerë të Kosovës ditëve të fundit, ka thënë se agresioni nga Serbia i 24 shtatorit ka ndryshuar situatën dhe pas kësaj gjërat nuk mund të shkojnë sikur kishin shkuar deri atëherë.

“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, asgjë nuk është më njësoj. Është e qartë se ky sulm ishte dizajnuar, mundësuar dhe mbështetur nga Beogradi. Serbia i kishte shëruar sulmuesit e plagosur dhe ka shpallur ditë zie për ata që ishin vrarë. Ne kemi konfiskuar edhe harta ushtarake me plane dhe role të sakta për secilin pjesëmarrës. Pra ishte dizajnuar qartë në Beograd. Çka duhet më shumë për të konkluduar se kishte agresion nga Serbia”, ka thënë Bislimi, duke kërkuar që të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare t’ia pamundësojë Serbisë t’i realizojë qëllimet e saj për agresion të ri ndaj Kosovës.

“Së pari duhet të hiqen masat ndaj Kosovës dhe t’i pamundësohet Serbisë të bëjë agresion tjetër ndaj Kosovës. Gjërat nuk mund të shkojnë sikur para 24 shtatorit”, ka përsëritur disa herë Bislimi.

Ai megjithatë ka thënë se Kosova është e gatshme që përmes dialogut të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese dhe Kosova me pranimin e propozimit franko-gjerman ka bërë kompromis, sepse ai dokument nuk përfshinte njohjen e ndërsjellë, dhe as nuk ishte një marrëveshje përfundimtare.

Ai po ashtu përsëriti kritikat se bashkësia ndërkombëtare ka toleruar Serbinë së pari që të mos e nënshkruajë atë marrëveshje e pastaj të shprehet qartë se nuk ka ndërmend as ta realizojë.