Arbëri

Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave

Besnik Bislimi

Foto: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

Bislimi është shprehur të enjten në Komisonin për Integrime Evropiane se “përmbajtja e raportit është pozitive”.

“Në bazë të informatave që neve na kanë ardhur, raporti i z. Borrell që është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit Evropian është përpiluar që në muajin prill mirëpo ka pasur hezitim që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe vazhdon ta dëmtojë Kosovën. Raporti është dashur të dorëzohet pardje por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara Brenda komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besojë që do të dërgohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit me sa di është pozitive dhe do të rekomandohet heqja e masave", ka deklaruar Bislimi.

Zëvendëskryeministri, njëherit kryenegociatori për dialog me Serbinë, ka shtuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.

“Ajo që unë mendoj që është shumë me rëndësi të thuhet është ndikimi indirekt i masave në imazhin e Kosovës e por edhe në kredibilitetin e BE-së. Ka ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces dhe po ashtu ka dërguar sinjale të gabueshme të investitorët potencial. Ka pasur një tendencë që masat të keqpërdoren”, është shprehur ai.

“Nuk është pezulluar asnjë projekt i BE-së. Asnjë projekt që ka qenë duke u zbatuar nuk është pezulluar....IPA 2023 nuk është prekur fare. IPA 2024 është duke u diskutuar në BE, por ajo nuk është miratuar për shkak të masave”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi është pyetur nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj se a do të përfitojë Kosova nga 6 miliardë eurot e ndara për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në fakt janë 5.4 miliardë euro për shkak se 600 mijë euro janë sigurimin e financimit e ne ato nuk i shohim. 882 milionë euro i përfiton Kosova prej të cilave gjysma shkon në mbështetje direkte buxhetore, derisa pjesa tjetër për projekte investive. Këto mjete janë të lidhura me reforma...Kur i listova masat thashë që BE-ja ka qenë shumë specifike. Nuk preket Plani i arritjes”, ka shtuar Bislimi.

Deputetja e partisë në pushtet, Fjolla Ujkani kishte vërejtje që diskutimi është duke marrë kahje tjetër dhe nuk është diskutuar për atë që ftohet mbledhja e Komisionit e raportimet e zv.kryeministrit e të ministrave.

Ujkani kritikoi që Bislimi është ftuar në mbledhje për një tjetër temë, e po flitet për diçka tjetër, ndërsa kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi (LDK), publikoi ftesën që i është bërë Bislimit për raportim në Komision.


Bislimi: Kushtet për anëtarësimin e Kosovës s’janë të njëjta me ato të vendeve të rajonit

Pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi ka deklaruar se gara për Kosovën për anëtarësim në BE në krahasim me vendet e tjera të rajonit, nuk është e njëjtë.

“Ka zëra brenda Komisionit Evropian të cilët besojnë që në rast se Kosova do të garonte me kushtet e njëjta me vendet e tjera të rajonit, do të ishte mbase vendi i parë ose i dytë nga i gjithë Ballkani që mund të marrë statusin e anëtarit të plotë të BE-së, por fatkeqësisht gara për Kosovën s’është e njëjtë. Nëse e shihni se gara e vendeve të tjera është një garë 400 metra sprint, Kosova e ka 600 metra dhe me pengesa edhe ka vende brenda Komisionit që vendosin pengesa të vazhdueshme në këtë rrugëtim”.