Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi justifikoi mbajtjen fshehtë të informatave që ia prezantoi Serbisë, në lidhje me strukturat ilegale. Ai e kualifikoi të çuditshme kërkesën e KOHËS për të pasur qasje në to dhe tha se po të ofroheshin, ato do t’i shkonin falas palës serbe para takimit të Brukselit. KOHA nuk i ka kërkuar informatat para takimit, por pasi ai ka ndodhur. Dhe, nuk ka kërkuar të tjera informata, përpos atyre që Bislimi ia kishte prezantuar paraprakisht palës serbe
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka justifikuar fshehjen nga publiku të informatave që, në takimin e korrikut, ia ka prezantuar Serbisë mbi strukturat ilegale. Nën arsyen se ishin të klasifikuara, Zyra e Kryeministrit ka refuzuar një kërkesë të KOHËS, për të ofruar qasje në këto informata.
Ndonëse kërkesa ishte e bazuar në ligj, Bislimi ia ka dhënë një epitet asaj.
“Ka pasur një shkëmbim e-mailash të çuditshëm me një prej gazetarëve të grupit tuaj, ku gazetari vendos ta nxjerrë veten në nivel të kryenegociatorit dhe thotë që një informatë që i jepni X negociatorit, të ma jepni mua”, ka thënë ai.
KOHA nuk kishte bërë një kërkesë të tillë çfarë thotë zëvendëskryeministri, i ngarkuar me dialogun me Serbinë. Zyrës së Kryeministrit i ishin kërkuar vetëm dokumentet, përmbajtjen e të cilave Bislimi ia kishte prezantuar paraprakisht delegacionit serb.
Në një postim të publikuar në profilin e tij në Facebook më 12 korrik, Bislimi pati treguar se në takimin paraprak që e ka pasur në Bruksel me autoritetet serbe, kishte listuar strukturat ilegale. E kishte bërë këtë, për t’ia argumentuar Beogradit zyrtar që kërkonte themelimin e Asociacionit, se nuk e kishte zbatuar marrëveshjen që ka të bëjë me shuarjen e strukturave paralele.
“I kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre”, kishte shkruar Bislimi.
Bazuar në Ligjin për qasje në dokumente publike, në gusht, KOHA ka kërkuar qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me këto struktura.
Janë kërkuar: Kopja e dokumentit ose dokumenteve që përmbajnë emrat ose informatat për strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë, si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa: Kopja e dokumentit ose dokumenteve që dëshmojnë se Serbia ka fuqizuar së fundmi këto struktura, nëpërmjet vendimeve për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe; kopja e dokumentit ose dokumenteve mbi buxhetin me të cilin Serbia i mbështet këto struktura.
E, në konferencën për shtyp, numri dy i qeverisë përmendi edhe një arsye për mosofrim të dokumenteve.
“Pala serbe i ka një grup të madh të njerëzve që operojnë në Kosovë me të vetmin qëllim të grumbullimit të informatave për atë që flas unë aty. E ju po thoni, jepna neve e na po ua japim falas pastaj atyre”, ka thënë ai.
KOHA nuk i ka kërkuar informatat para takimit, por pasi ai ka ndodhur. Dhe, nuk ka kërkuar të tjera informata, përpos atyre që Bislimi ia ka prezantuar paraprakisht palës serbe.
Në konferencë, Bislimi nuk i është përgjigjur pyetjes së KTV-së nëse ai ka certifikatë sigurie, pa të cilën zyrtarët nuk mund të kenë qasje në dokumente të klasifikuara.
Pretendimin se ai nuk e ka këtë certifikatë, e ka ngritur dy ditë më parë kryetarja e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.
“Zëvendëskryeministri ka bërë shkelje të rëndë, sepse vetë zëvendëskryeministri, unë nuk kam njohuri që e ka certifikatën e sigurisë dhe s’është i autorizuar që të ketë qasje në dokumente të klasifikuara”, pati thënë ajo.
Qeveritë e mëhershme kanë publikuar raporte periodike mbi realizimin e marrëveshjeve të dialogut me Serbinë, përfshirë edhe informacione mbi strukturat ilegale. Një i tillë nuk është publikuar ende nga Qeveria Kurti.
Legjenda: Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi justifikoi mbajtjen fshehtë të informatave që ia prezantoi Serbisë, në lidhje me strukturat ilegale. Ai e kualifikoi të çuditshme kërkesën e KOHËS për të pasur qasje në to dhe tha se po të ofroheshin, ato do t’i shkonin falas palës serbe para takimit të Brukselit. KOHA nuk ka kërkuar të tjera informata, përpos atyre që Bislimi ia kishte prezantuar paraprakisht palës serbe