Detajet mbi marrëveshjen për targat i ka dhënë në një intervistë për KOHËN zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ai tregoi se do të mbulohen edhe tabelat që Serbia i lëshon për qytetet e Kosovës. Bislimi foli edhe për një rrethanë, e cila marrëveshjen e arritur do ta bënte jovalide.
Marrëveshja për targa, e arritur sot në Bruksel, do t’i trajtojë si të huajat edhe tabelat e lëshuara nga Serbia, e që përmbajnë denominimet e qyteteve të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili në emër të Kosovës i ka zhvilluar negociatat për targat, tha në një intervistë për KOHËN se edhe këto targa do të mbulohen me afishe.
“Çdo targë që nxirret në Serbi do të trajtohet si targë e shtetit serb që nuk vlen në Kosovë. Do të thotë: në qoftë se dikush e ka nxjerrë tabelën me KM në Kikindë, e njëjta do të mbulohet me stickers gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore dhe do të trajtohet si targë e Serbisë. Do të thotë, jo e Kosovës”, ka thënë Bislimi.
Grupe profesionale që do ta nisin punën të enjten do t’i detajizojnë pjesët e targave që do të mbulohen dhe aspekte të tjera që lidhen me zbatimin e marrëveshjes, përfshirë sanksionet për ata që i heqin afishet e vendosura në targa.
“Nesër grupi nga Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë takime virtuale me zyrën e Z. Lajçak për ta detajuar operacionalizimin e kësaj mase, për të treguar se si do të duken stickersat, çka mbulohet saktësisht, a duhet të ketë kosto për implementimin, çfarë sanksionesh duhet të ketë në rast se hasen persona të cilët afishet e vendosura në kufi pastaj i kanë larguar nga veturat e tyre, pastaj do të diskutohen detajet e operacionalizimit”, ka njoftuar ai.
Marrëveshja do të vlejë për gjashtë muaj, brenda së cilës kohë palët kanë shprehur zotimin të gjejnë një zgjidhje të përhershme që kërkon modifikime në targat e të dyja vendeve.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe për një rrethanë, e cila marrëveshjen e arritur do ta bënte jovalide.
“Në atë moment që ne konkludojmë që pala serbe i ka bishtëru marrëveshjes, qoftë me respektim të afateve për implementim të tyre, qoftë me deformim në implementim, marrëveshja konsiderohet si jovalide dhe pala serbe do të kualifikohet si pala bllokues e dialogut”, ka deklaruar Bislimi.
Intervista e plotë me zëvendëskryeministrin Bislimi, i cili përfaqësoi Kosovën në Bruksel në negociatat për targat, do të transmetohet sonte në “Interaktiv”.