Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një bisedë me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, deklaroi se mandati i Aleksandar Vuçiqit si autoritet i pakontestueshëm në Serbi është drejt përfundimit. Ajo theksoi se frika që dikur sundonte shoqërinë serbe tani është zhvendosur te vetë pushteti.
“Vuçiq ka humbur aftësinë për të mobilizuar qytetarët. Përpjekjet e tij për të krijuar ndjenja solidariteti rreth çështjes së Dodikut dhe pretendimeve për separatizëm në Vojvodinë nuk kanë funksionuar. Retorika e tij nuk po mbështetet më nga shoqëria”, ka thënë Biserko.
Ajo shtoi se opozita nuk ka arritur të dalë jashtë kornizës së vendosur nga Vuçiqi, duke mbetur e fokusuar në temat që ai kontrollon – si Kosova dhe Bosnja. Megjithatë, ndryshimet po vijnë nga terreni.
Sipas Biserkos, rebelimi që po ndodh aktualisht në Serbi është i thellë dhe i lidhur me çlirimin nga frika. Studentët dhe qytetarët po organizojnë takime në qytete të vogla, duke diskutuar çështje lokale që në thelb janë politike. Kjo, sipas saj, është një shenjë e qartë e ndërgjegjësimit dhe ndryshimit në rrënjë.
“Nuk kemi ende një lider politik që mund ta kanalizojë këtë energji. Por ajo që është interesante është se kjo lëvizje është në përputhje me vlerat evropiane, sidomos kur flitet për përgjegjësinë institucionale dhe luftën kundër korrupsionit”. theksoi ajo.
Biserko përmendi edhe figurën e Laura Kovesi, kryeprokurores së BE-së për çështjet e korrupsionit, si simbol të shpresës për ndëshkimin e korrupsionit në Serbi.
“Emri i saj shihet madje edhe në pankarta, sepse qytetarët shpresojnë që edhe në Serbi të fillojnë arrestimet për aferat e shumta korruptive”, shtoi ajo, duke përmendur çështjen e stacionit të trenit në Novi Sad, që është nën hetim për keqpërdorim fondesh evropiane.
Biserko dhe Surroi ranë dakord se edhe pse ende nuk ka një alternativë të qartë politike, delegjitimimi i Vuçiqit është në rritje dhe situata në Serbi mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në ditët apo javët në vijim.
