Aparaturat diagnostikuese në Klinikën e Biokimisë në QKUK janë bërë problem jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë stafin që punon aty. Tash e sa kohë kjo klinikë punon me aparatura të vjetra 10-vjeçare, ndërsa numri i pacientëve që kërkojnë shërbime është goxha i madh.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, e ka pohuar se aparaturat në masë të madhe i kanë të vjetra, të cilat pësojnë edhe defekte. Sipas tij, me aparatura të tilla përballohen afër 200 pacientë, ndërsa ka raste kur numri i tyre shkon në një mijë. Ai thotë se falë donacioneve, arrijnë ta kryejnë punën si duhet.
“Ne jemi duke bërë punë njëfarë forme madhore për arsye se aparaturat të cilat janë kryesisht kanë një kapacitet për dytësor, domethënë janë të fabrikuara dhe të dizajnuara ndoshta që t’i përballojnë diku 200 pacientë, mirëpo nëse them se i kemi diku gati një mijë, atëherë normalisht se pastaj edhe prishjet janë të paevitueshme, të shpeshta për shkak se ngarkohet aparatura dhe është për çudi që ka me vite të tëra, po të mos jenë donacionet që vijnë nga kompanitë e caktuara, nuk kanë vlerë fare asnjë aparaturë dhe në këtë rast ose buxhet që është caktuar nga ShSKUK-ja për të blerë aparaturë”, tha ai për EO.
Si pasojë e vjetërisë, Veseli thotë se shpeshherë stafi detyrohet të pushojnë. Ai thotë se po të ishin aparaturat moderne, puna aty do të ishte me saktësi dhe precizitet më të madh.
“Janë mbi 10 vjeçare e fundit nëse flasim, është për të ju falënderuar kompanitë. Për fat të mirë që nganjëherë kemi edhe ndonjë aparat që ka rezervë. Kemi rast që jemi sfiduar që është dashur të rrinë, sikur të kishin qenë aparaturat dhe të furnizuar në aspektin e rregull me këtë numër kaq të madh të analizave beso që kolegët të punojnë deri në 4-5 të mëngjesit pa ndërprerë duke i ripërsëritur, duke shikuar ta rregullon aparatin, ta fik aparatin që të pushon. Sikur të ishin aparaturat modelare, digjitale në këtë rast, ku kanë një kapacitet më të madh, ku kanë një saktësi, precizitetin më të madh, atëherë do të na kishte krijuar edhe komoditetin tonë në aspektin profesional”, është shprehur ai.
Sipas drejtorit të kësaj klinike, vështirësitë që hasin ata janë të mundimshme. Thotë se ka raste kur tumor makerët për zbulimin e kancerit nuk mund të kryhen, shkaku i prishjeve. Madje, Veseli thotë se shpesh herë punëtorët e kësaj klinike detyrohen të kryejnë punë inxhinierie.
“Jemi vija e parë e frontit ku zbulohen sëmundjet te qytetarët. Paramendoni p.sh kur kemi ardhur në situata sfiduese dhe vjen nga Instituti i Onkologjisë dhe nuk mund t’ia bësh një tumor marker ose analizat apo të gjëndrës tiroide që jashtëzakonisht është me të madhe duke u kërkuar gati 80 për qind të analizave janë të gjëndrës tiroide që kërkohen përpos analizave të tjera. Me këtë aparaturë nganjëherë të ecim për arsye se sapo fillon kalojnë 10 raste nxehet shpesh aparati, duhet ta fikim, duhet të maltretohemi, duhet të bëhemi edhe inxhinierë që nuk është punë e specialistit, duhet të marremi me punë profesionale të interferohemi, por për hir të çështjes së përgjithshme, për hir të pacientëve, për hir të situatës që është edhe politike ndonjëherë se edhe ne jemi qytetarë të këtij shteti vazhdojmë të punojmë në këto kushte dhe fatmirësisht nuk kemi ndonjë lëshim të rezultateve ekstreme”, u shpreh Veseli. /EO