Në një bisedë të zhvilluar në podcastin PIKË mes publicistit Veton Surroi dhe historianit Florian Bieber, diskutimi në fillim u fokusua mbi rënien e demokracive në mbarë botën dhe pasigurinë që po shoqëron këtë fenomen.
Surroi theksoi se rënia e demokracive është një trend i shekullit të 21-të, që ka filluar shumë më herët sesa periudha e ardhjes në pushtet të Donald Trumpit. Ai e lidhi këtë rënie me zhvillimet në Evropë, duke përmendur që për shumë shtete të lindjes, si Gjeorgjia dhe Ukraina, pasiguritë kanë filluar që nga viti 2007 dhe 2014.
"Ky është shekulli i rënies së demokracisë dhe i rënies së sigurisë", ka thënë Surroi.
Nga ana tjetër, Bieber e pranoi se rënia ka vazhduar për dy dekada, por nënvizoi se tani po shohim një rënie më drastike, duke përfshirë edhe demokracitë më stabile. Ai e konsideroi këtë fenomen si një sfidë të re, ku tani është e vështirë të besojmë se demokracitë e pasura dhe të stabilizuara nuk do të bëhen autoritare.
"Një nga rregullat e arta është që demokracitë stabile nuk bëhen autoritare, por ky rregull tani është në rrezik", shtoi ai.
Bieber theksoi gjithashtu se, ndonëse rënia e demokracisë duket trend i pashmangshëm, beson se kjo mund të ndryshojë. Ai përmendi periudhën e pas vitit 1989, kur shumë ishin të bindur se rritja e demokracisë ishte e pashmangshme, dhe tani, përkundrazi, “rrezikojmë të mendojmë se rritja e autokratëve është e pashmangshme, por kjo nuk është e vërtetë”.
Bieber gjithashtu e theksoi rëndësinë e rolit të Shteteve të Bashkuara, që ka pasur ndikim të madh në botë, por ky ndikim sipas tij, mund të kthehet edhe në një model për autokratët, siç po e shohim tani me ndikimin e Trumpit në politikën globale.
