Arbëri

Bie numri i veprave penale, rriten grabitjet e armatosura

Foto: Koha

Ka shënuar rënie numri i veprave penale për 13 % krahasuar me janarin e vitit 2018, raporton KTV.

Nga 2478 sa kishin qenë në janarin e kaluar, muajin që shkoi janë regjistruar 2138 vepra penale.

Megjithatë, ka pasur rritje të numrit të grabitjeve dhe grabitjeve të armatosura. Nga 14 grabitje të armatosura që ishin regjistruar janarin e vitit 2018, këtë vit janë regjistruar 8 më shumë.

Këto të dhëna janë bërë të ditura në një konferencë për media të Policisë së Kosovës, ku janë bërë të ditura detaje nga një aksion i Policisë që ka rezultuar me arrestimin e dy kosovarëve, të dyshuar për falsifikim të kartëmonedhave.

Atyre u janë gjetur 383 kartëmonedha të vlerës prej 100 eurosh, të dyshuara si të falsifikuara.

Të njëjtat, sipas Bashkim Spahiut, drejtor i drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, ishin me origjinë nga jashtë shtetit.

Spahiu, ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes në këmbimin e kartëmonedhave, pasi sipas tij, lehtë mund të jenë viktima të mashtrimit.