Në 9 muajt e parë të këtij viti ka pasur dukshëm më pak aplikacione për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës
Deri më tani Komisioni për verifikimin ka pranuar vetëm 130 aplikacione, derisa numri i përgjithshëm i aplikacioneve ka arritur në 1 mijë e 322.
Prej tyre deri më tani statusi u është njohur 865 personave, ndërsa 260 aplikacione janë refuzuar dhe të tjerat janë në proces të shqyrtimit, raporton KOHA.
Drejtoresha e organizatës “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada, ka thënë se në rënien e aplikacioneve këtë vit ka ndikuar edhe pandemia COVID-19, si dhe fakti që ata si organizatë për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit nuk kanë preferuar që aplikacionet të plotësohen në formë online.
“Në vitin 2020 ka pasë një rënie, për shkak se një element ka qenë edhe pandemia e COVID-19, që ka qenë një prej pengesave edhe për neve si organizatë me qenë në kontakt me të mbijetuarat, pasi për shkak të ndjeshmërisë së madhe dhe konfidencialitetit ne nuk e kemi preferuar që t’i mbajmë shumë online në plotësimin e aplikacioneve”, ka thënë Sada.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se në këtë ka ndikuar edhe vonesa në shqyrtimin e aplikacioneve nga ana e Komisionit, derisa numrin prej vetëm 1300 aplikacionesh e konsideron të vogël.
“A do të dalin ndonjëherë 20 mijë veta, askush nuk e di, në mesin e tyre ka të vdekura, të zhdukura, ka nga ato që nuk duan të jenë pjesë e përfitimeve, por prapëseprapë numri prej 1 mijë e 300 është një numër që lë për t’u dëshiruar edhe në raport me atë se sa flitet që ka pas dhunime është tejet i vogël dhe shqetësues edhe për neve si organizata, por duhet të jetë edhe për shoqërinë edhe institucionet”, ka thënë Rushiti.
Përfaqësueset e organizatave që janë marrë me trajtimin e personave të dhunuar gjatë luftës u kanë bërë thirrje viktimave që të aplikojnë për verifikim, duke thënë se procesi është konfidencial.
Ato gjithashtu kanë thënë se afati prej 5 vjetësh i aplikimit duhet të zgjatet ose të hiqet fare, pasi që vlerësojnë se nuk ka kuptim të afatizohet përfitimi në raport me një krim lufte, kur vetë krimet e luftës nuk parashkruhen.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2014. Personave që iu njihet ky status përfitojnë një ndihmë prej 230 eurove në muaj.