Blerim Vela - shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar për rastin e marrjes në pyetje të drejtorit të ‘Klan Kosova’, Adriatik Kelmendi, nga Shërbimi Sekret Serb për qëndrimin e tij në Beograd në cilësinë e avokuesit publik të pajtimit rajonal.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Vela thotë se veprimi i BIA-s ndaj Kelmendit është një shembull se si presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, minon lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës.
“Ngacmimi i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë ndaj gazetarit të Kosovës, Adriatik Kelmendi, është një shembull se si regjimi i Vuçiqit minon lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës. Natyrisht, diskriminimi dhe masat arbitrare janë fytyra e vërtetë e një fasade të quajtur ‘Ballkani i Hapur’”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Vela në Twitter.
Sjelljen e BIA-s serbe ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Në reagimin e AGK-së thuhet se është pranuar me shqetësim raportimi për marrjen në pyetje të Kelmendit nga ana e Shërbimit Sekret Serb në vizitën e tij të fundit në Beograd.
“AGK-ja e konsideron të papranueshme një sjellje të tillë ndaj një gazetari dhe aktivisti për pajtim rajonal. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e fton Bashkimin Evropian që të reagojë për këtë sjellje që e minon mendimin e lirë dhe procesin e pajtimit në rajon”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.
Rrjeti i pajtimit KOMRA, nëpërmjet një reagimi të nënshkruar nga aktivistja e njohur serbe për të Drejtat e Njeriut, Natasha Kandiq, i ka bërë thirrje BIA-s në Serbi që t’i ndërpresë punët dhe veprat, të cilat sipas këtij rrjeti, rrezikojnë lirinë e shprehjes politike dhe aktivizmin në fushën e ballafaqimit rajonal me të kaluarën dhe me pajtimin.
Kjo referuar rastit të marrjes në pyetje të drejtorit të ‘Klan Kosovës’, Adriatik Kelmendi, në çdo rast të mbërritjes së tij në aeroport apo në ndonjë vend tjetër të pritjes në Beograd gjatë viteve të fundit, nga inspektorët e BIA-s, në cilësinë e avokuesit publik të pajtimit rajonal në Forumin e XIV-të për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave, që është mbajtur në Beograd.
“Gjatë disa viteve të fundit, në çdo rast të mbërritjes së tij në aeroport apo në ndonjë vend tjetër të pritjes në Beograd, inspektorët e BIA-s kanë intervistuar gazetarin Adriatik Kelmendi, avokat publik i pajtimit rajonal dhe drejtor i stacionit televiziv Klan Kosova, me seli në Prishtinë. duke e pyetur për arsyet e udhëtimit të tij dhe pikëpamjet e tij politike”, thuhet në reagimin e këtij rrjeti.
Tutje njoftohet se herën e fundit, BIA e ka marrë në pyetje Kelmendin në aeroportin ‘’Nikola Tesla“, kur ka arritur, në datën 17.12.2021, dhe me rastin e shkuarjes në datën 19.12.2021, pas pjesëmarrjes së tij në Forumin e XIV-të për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave, i cili është mbajtur në Beograd.
“Përmes veprimeve të tilla, BIA po konfirmon se është një institucion krejtësisht i çoroditur, gjysmë privat, i cili vazhdon t'i trajtojë qytetarët e Kosovës me dyshim dhe mospërfillje të dinjitetit të tyre elementar njerëzor, siç ishte rasti gjatë viteve 1980 dhe 1990”. “Me qëllim të parandalimit të veprimeve të mëtejshme të paligjshme nga BIA, ne do të njoftojmë udhëheqësit për dialogun Beograd-Prishtinë, i cili zhvillohet me lehtësimin e BE-së, PE-së, Raportuesit Special të OKB-së për Promovimin e së Vërtetës, Drejtësisë, Dëmshpërblimit dhe Garancitë për mospërsëritje, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe i Dërguari Special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për dialogun Serbi-Kosovë”, thuhet më tej në njoftim.