Pyjet që të shoqërojnë në përpjetën drejt Bjeshkëve të Nemuna nuk e kanë më dendësinë që kishin dikur. Drunjtë e moçëm janë prerë për t’iu dhënë hapësirë ndërtimeve të egra.
Bora e paktë e mesit të janarit nuk ia ka dalë të mbulojë betonin e shtëpive dhe vilave luksoze nëpër gjithë bjeshkën.
Rrugët e asfaltuara lehtësojnë qasjen nëpër lagje të mbushura me ndërtesa ilegale, të ngritura pa rregulla e pa plan, brenda parkut kombëtar, në letër, të mbrojtur me ligj.
Në mesin e atyre që këtë ligj e shkelin në terren, të shumtë janë zyrtarë e përfaqësues institucionesh të cilëve bjeshkët u pëlqejnë më shumë për t’i shkatërruar se për t’i mbrojtur.
Ata ndërtuan nëpër fshatrat e Rugovës bjeshkët e Deçanit, Junikut e Istogut, duke shpërfillur çdo rregull.
“Që nga aprovimi i Ligjit mbi parkun nacional “Bjeshkët e Nemuna”, aty menjëherë veç janë parë lojërat apo politikat jo të mira qoftë të Kuvendit apo Qeverisë, sepse kanë lënë mangut zoonimin e këtij parku që është paraparë të ketë tri zona, zona strikte, zona ndërtimore dhe stanishta që përdoret. Por këtë jo rastësisht e kanë bërë, kanë kaluar 10 vjet dhe zoonimi nuk është bërë. Tash kohëve fundit dhe derisa të hyjë në fuqi. Është shfrytëzuar kjo kohë dhe kapluan ndërtimet e egra duke filluar nga bosët e politikës, krerët e shtetit, pothuajse secili që është në pozita shtetërore, qoftë në politikë dhe gjykata, pothuajse kanë vila në këto zona dhe pa kriter e me kriter ato dihet se janë në kundërshtim me Parkun Nacional”, ka thënë Adem Lushaj, ekspert i mjedisit.
Parku Nacional përfshin shumë bjeshkë që emrin e kanë marrë nga fshatrat banorët e të cilave dekadave të kaluara i kanë çuar bagëtitë për të kullotur gjatë verës.
Bjeshkët e Strellcit, Lumbardhit, Belegut, Mishevicit, Isniqit e shumë të tjera janë toka të shtetit brenda parkut. Në to dikur banorët ngrinin stane nga drurët e gurët, duke i mbuluar me najlon për t’u mbrojtur nga shiu.
Familjet e asaj ane kanë kullotur bagëtitë e më pas kanë nxjerrë qumështin, kanë zënë kosin e djathin, duke siguruar kështu mbijetesën për pjesën tjetër të vitit.
Duke u bazuar në atë që dikur e shfrytëzonin për kullotjen e bagëtisë u janë kthyer bjeshkës, por kësaj radhe për të ndërtuar vila e hotele në emër të zhvillimit të turizmit.
Krejt këto ndërtime i ka arsyetuar kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, duke fajësuar institucionet qendrore që janë vonuar në miratimin e Planit Hapësinor për Bjeshkët e Nemuna, i cili ka kaluar në Kuvend në mesin e vitit të shkuar.
“Për mua është e papranueshme me u thënë qytetarëve tu që nuk keni të drejtë të ndërtoni në një zonë që tradicionalisht ka qenë baza kryesore ekonomike e këtyre familjeve qoftë në aspektin e përpunimit të frutave, qoftë në aspektin e blegtorisë, qoftë në aspektin e të mirave. Do të thotë Zoti iu ka dhenë këtyre qyteteve gjithçka që mund të shfrytëzojnë për dobi ekonomike të familjeve të veta dhe zhvillimin e qyteteve dhe ti po i penalizon në këtë raport. Do të thotë jemi në vitet 2012 dhe 2023 që janë më shumë se 10 vjet. Ia ke mohuar të drejtën për zhvillim. Nuk janë fajtorë qytetarët, fajtorë janë zbrazëtirat juridike normative ligjore që ky shtet i ka krijuar në raport me shfrytëzimin e resurseve dhe potencialeve më të mëdha që kjo zonë i ka”, ka thënë Ramosaj.
Në korrik të vitit të kaluar, me një dekadë vonesë, Kuvendi ka miratuar Planin Hapësinor për Bjeshkët e Nemuna. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë prezantimit të tij ka thënë se qëllimi kryesor është futja nën kontroll e zhvillimeve në atë pjesë.
“Ndërtimet aktualisht janë më tepër se 6.200 objekte, shumica dërrmuese e tyre janë pa leje. Qëllimet kyesore të planit janë futja nën kontroll e zhvillimeve dhe zvogëlimin në maksimum të veprimeve abuzuese me mjedisin. Aktualisht në mungesë të planit ndërtimet pa leje janë nën aryestimin se nuk ka procedurë formale për marrjen e lejes së ndërtimit”, pati deklaruar Aliu.
Ani se Ligji për parkun kombëtar nuk lejon lëshimin e lejeve të ndërtimeve pa u bërë plani hapësinor dhe aktet e tjera nënligjore, kjo komunë në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar disa pëlqime për ndërtimet në atë pjesë, për çka dy vjet më parë është ngritur edhe aktakuzë për drejtorin e Urbanizmit, Ramë Melaj.
Ndonëse ekzekutivi është përgjegjës për lëshim të lejeve, pëlqimeve dhe kushteve ndërtimore, Asambleja e kësaj komune kishte aprovuar pëlqimin për ndërtimin e kompleksit në fshatin Bellaj.
“Kemi dhënë një pëlqim për Bellejën që është resorti më i bukur në Kosovë e më tutje, nuk krahasohet për më bukur edhe me standard një vendbanim që ka qenë i hershëm dhe është edhe me status dhe standard dhe ti ua ke mohuar të drejtën atyre banorëve që kanë një histori të tmerrshme dhe tragjike, duke iu thënë të mos jetojnë në atë vendbanim… Po kemi lëshuar edhe si komunë, jemi në procedurë gjyqësore për fshatin olimpik alpin, kemi lëshuar leje dhe jemi në procedurë pasi nuk kemi mundur që të humbnim fonde. Kemi bërë rrugë dhe kemi bërë antenë për valë pasi frekuentimi është i madh qoftë edhe turistë, alpinistë të sporteve ekstreme dhe njerëz që studiojnë bimë mjekësore, nuk mundesh ti që t’i bësh ftesë”, ka thënë Ramosaj.
Ndalja e ndërtimeve dhe ruajtja e natyrës, sipas nivelit lokal, është peng i planit hapësinor, e që nga shoqëria civile ka dyshime që kjo është bërë në mënyrë që qëllimshme duke i mbyllur sytë ndaj ndërtimeve e më pas për të gjetur hapësirë për legalizimin e tyre.
“Ne themi se natyrën më së miri e ruajmë për mos me prekë, ose e dyta, nëse ndërhyhet të kthehet në gjendjen e mëparshme, se kurrë nuk kthehet. Edhe këto investime apo stane private që janë ndërtuar me material të fortë e tash po tentojnë që t’i maskojnë me dru. Por me të vërtetë është një problem se si të dilet tutje, pasi të rrënohet është problem se janë vlera shumë të mëdha, të lejohen është në kundërshtim me ligjin dhe me natyrën, pra është një pozicion që duhet të matet se çfarë po propozojmë rreth atyre, por e mira e së mirës është që të ndalohet, edhe pse nuk është ndaluar dhe se ata që kanë para investimet më të mëdha i bëjnë në bjeshkë”, ka thënë eksperti Lushaj.
Ndërtimet pa leje janë shndërruar në një fenomen edhe në 14 fshatrat e Rugovës që janë pjesë e Parkut Kombëtar. Ani se janë prona private, as në to nuk lejohet ndërtimi derisa një gjë e tillë të përcaktohet me Planin Hapësinor dhe me aktet e tjera nënligjore që janë në proces të hartimit.
KOHA ka raportuar se në mesin e atyre që ndërtuan në kundërshtim me ligjin në fshatin Stankaj të Rugovës janë edhe gratë e dy krerëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj e Qerim Ademaj, të cilat në kohën kur ishin intensifikuar hetimet për ndërtimet ilegale në atë pjesë vilat ua kishin bartur nënave të tyre.
E vetëm pas raportimit Prokuroria kishte autorizuar Policinë për t’u marrë me këtë çështje, ndonëse pak metra tej ka aktakuza për banorët rezidentë të fshatit.
“Kjo është pronë private që babë e babagjysh kanë jetuar dhe na e kanë lënë këtë pronë këtu. Ne pas luftës kemi qenë të djegur komplet, kemi dashtë me ba ndërtimin në pronat tona nuk na është dhënë asnjë e drejtë as nga Komuna e as nga Parku. Parku na i ka cenuar të gjitha të drejtat, pasi që edhe pronat private i kanë futur në park në mënyrën më të dhunshme që ekziston këtu në Rugovë”, ka thënë Zenel Kurtaj, banor i Stankajt.
Banorët e kësaj treve kishin kundërshtuar Planin Hapësinor me qëllim të mbrojtjes së pronave të tyre private të cilat, siç thonë, pa të drejtë janë futur në zona të mbrojtura.
Kurtaj shpreson që në të ardhmen do të mund ta shfrytëzojnë tokën e tyre që kanë trashëguar nga të parët.
“Nuk e dimë çka do të ndodhë me këto prona, pasi që ka shumë që janë ndërtuar dhe nuk e dimë, por duhet të miratohet ligji mbi pronat private dhe atëherë të shihet se ku po mbesin”, ka thënë ai.
Pak përtej, në prona të Institutit të Bujqësisë, banorë të kësaj ane kanë ndërtuar shtëpi e vila me pretendimet se kjo tokë dikur u takonte atyre dhe janë marrë dhunshëm nga shteti.
Për këtë ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kishte akuzuar Prokurorinë për mosmarrjen e veprimeve për lirim të këtyre pronave dhe kthimin tek Instituti.
“Jam në Stankaj të Komunës së Pejës, vendin në të cilin para një viti kam bërë denoncimin publik për njërin nga rastet më abuzive dhe më flagrante me pronën shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtimin e 24 vilave në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë. Si ministri, përkundër që kemi marrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, në këtë rast nga Prokuroria e Shtetit”, pati thënë ai.
Por, në Prokurorinë e Pejës kanë mohuar akuzat e ministrit Peci, duke thënë se deri më tani ka 20 aktakuza vetëm për ndërtimet në prona të Institutit.
“Pasi që kemi kryer hetimet dhe kemi ngritur aktakuzat për ndërtime pa leje, tani jemi duke zhvilluar hetime intensive në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës për veprën penale uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme, ku njëkohësisht për këto prona kemi ngritur një aktakuzë ndërsa për parcela të tjera janë në proces hetimor, ku besoj që brenda një afati optimal do të dalim me një njoftim për secilën parcelë dhe për secilin person që është ngritur aktakuzë do të njoftojmë opinionin”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi.
Pavarësisht se të gjitha ndërtimet në zonën e mbrojtur të parkut janë pa leje, asnjë prej tyre deri më tash nuk është rrënuar.
Deponimi i kallëzimeve penale në Prokurorinë Themelore është e gjitha që është bërë nga Drejtoria e Parkut, në përpjekje të ndaljes së degradimit të natyrës nga ndërtimet pa leje në prona private e publike.
“Nga drejtoria e parkut kombëtar, nga pylltarët në vazhdimësi dhe Policia e Kosovës kemi pranuar kallëzime penale kryesisht nga treva e Rugovës, ku këto raste pasi që janë hetuar janë ngritur aktakuza dhe duhet t’i drejtoheni gjykatës se çfarë ka ndodhur me këto aktakuza....Janë rreth 200 aktakuza në trevën e Rugovës, ndërsa sa i përket parkut kombëtar mund të themi se i kemi rreth 300 aktakuza të ngritura nga viti 2019 e deri më tani”, ka thënë Nikqi.
Edhe kodra e fshatit Bogë është mbushur me ndërtime ilegale. Shiu i ftohtë i janarit, i shoqëruar me erë dhe ngrica nuk pengon pamjen nga largësia të fasadave e stileve të llojllojshme të vilave. Disa njëkatëshe e disa më gjigande, e disa të veshura me drunj e gurë, por nuk mungojnë as tulla e betoni. Disa nga to janë ende në proces të ndërtimit, që pritet t’i shtohen katrahurës së krijuar që fshehin bukuritë e natyrës.
Nga Komuna e Pejës e pranojnë se nga shpallja e kësaj pjese zonë e mbrojtur nuk kanë lëshuar asnjë leje ndërtimi.
“Ne iu kemi treguar që s’kemi të drejtë të lëshojmë leje dhe i kemi edhe 2-3 investitorë të huaj që janë duke pritur derisa të rregullohet procedura ose mundësia që t’i jepet leje. Kanë ardhur këtu dhe kanë thënë se nëse janë në rregull me letra duan të investojnë, por ne nuk kemi lëshuar leje”, ka thënë zëdhënësi i kësaj komune, Faik Zekaj.
E Plani Hapësinor për Bjeshkët e Nemuna parasheh mbrojtjen e vlerave të natyrës, ekosistemeve pyjore e habitateve të rralla. Ai parasheh edhe zonat ku mund të lejohet ndërtimi, por që me kushte që të jetë në përputhje me natyrën, duke mos degraduar biodiversitetin në florë dhe faunë.
“Në 10 arë mund të ndërtohet një shtëpi 100 metra katrorë dhe besoj që ka hapësirë dhe ata që i plotësojnë kushtet do të marrin leje, ndërsa ata që nuk i plotësojnë ose që i kanë pasur të ndërtuara duhet të gjejnë një zgjidhje me Ministrinë që ta ndërrojnë ose të fillojnë me rrënime, nuk e di tash se si vjen”, ka thënë Zekaj.
Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje do t’i trajtojë si ilegale të gjitha ndërtimet të cilat janë ndërtuar apo kanë filluar të ndërtohen para hyrjes në fuqi të këtij ligji në shtator të 2018-s.
Problematik në parkun kombëtar është edhe ndërtimi i hoteleve masive luksoze pa leje ndërtimi, për të cilat ndonëse ka aktakuzë, disa kanë përfunduar vetëm me një gjobë të vogël që është në kontradiktë me ndërtimin dhe dëmin e pariparueshëm që i kanë bërë natyrës.
Në mënyrë që të ndalen ndërtimet ishte ndaluar bartja e materialit ndërtimor përgjatë parkut, mirëpo në mungesë të inspektimit të tyre punimet prapë po vazhdojnë.