Ceremonitë e betimit të Ilir Pecit nga Partia Demokratike (PDK) për kryetar të Zveçanit, i Lulzim Hetemit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Leposaviqit dhe i Izmir Zeqirit nga PDK-ja për kryetar të Leposaviqit janë mbajtur nëpër fshatra, pasi autoritetet shtetërore kanë hequr dorë nga zotimi që të zgjedhurit për drejtimin e këtyre komunave në veri të bëjnë betimet në sallat e asambleve komunale. E pas betimeve, ata kanë bërë zotimin për kthim në objektet e komunave dhe për angazhim për të gjithë qytetarët, pa dallim
Zveçan, Leposaviq, Zubin-Potok, 25 maj – Një shkollë në fshatin Boletin të Zveçanit, një tjetër në Bistricë të Leposaviqit dhe zyra për Komunitete e Kthim në Çabër të Leposaviqit të enjten kanë shërbyer si objekte në të cilat i kanë bërë betimet kryetarët e rinj të të tri komunave veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.
Ceremonitë e betimit të Ilir Pecit nga Partia Demokratike (PDK) për kryetar të Zveçanit, i Lulzim Hetemit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Leposaviqit dhe i Izmir Zeqirit nga PDK-ja për kryetar të Leposaviqit janë mbajtur nëpër fshatra, pasi autoritetet shtetërore kanë hequr dorë nga zotimi që të zgjedhurit për drejtimin e këtyre komunave në veri t’i bëjnë betimet në sallat e asambleve komunale. E javën e shkuar, betimin për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiqi, nga LVV-ja e pati bërë në objektin e komunës.
E paraparë për në orën 10:00, seanca e betimit të kryetarit të ri të Zveçanit, Ilir Peci, ka nisur me vonesë, pasi që fillimisht është bërë konstituimi i Kuvendit Komunal. Ani se nuk ka arritur që betimin ta bënte në Kullën e Isa Boletinit në Boletin, Peci ka zgjedhur që adresimin e parë ta bëjë afër varrit të heroit kombëtar. Por për këtë nuk e ka marrë miratimin edhe të stërnipit të Boletinit.
“Ky është monument historik....”, ka thënë Gazmend Boletini para pjesëtarëve të mediave.
Megjithëkëtë, Peci hyri në oborrin e Kullës së Boletinit dhe prej aty e bëri zotimin se do të angazhohet me përkushtim të njëjtë për të gjithë qytetarët e komunës.
“Unë porsa e mora postin si kryetar komune. Ju njoftoj se do të punoj për të gjithë, do të jem i barabartë për të gjithë, do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit”, ka thënë Peci.
I pyetur se kur do të nisë që ta ushtrojë detyrën e tij nga objekti i komunës, ai ka thënë se kjo çështje nuk varet prej tij dhe se për këtë do të vendosë Qeveria e Kosovës. Ai nuk ka ofruar të dhëna mbi përbërjen e kabinetit të tij, teksa nuk ka treguar as nëse në ekip do të ketë pjesëtarë të komunitetit serb.
Selvete Kelmendi, e cila është zgjedhur kryesuese e Kuvendit Komunal në Zveçan, nuk ka pranuar gjithashtu që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjen.
Konstituimi i institucioneve të reja në Zveçan është bërë në shkollën fillore “Isa Boletini” në Boletin, pasi që autoritetet shtetërore nuk kanë qasje në objektet komunale në qendër.
Në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë, kryetari i ri i Zveçanit ka marrë 114 votat e 193 qytetarëve që i janë përgjigjur thirrjes për ushtrimit të së drejtës për votë, me gjithë apelet nga subjekti politik serb, Lista Serbe, për bojkotimin e procesit zgjedhor.
Hetemi: Kthimi në objektet komunale është çështje ditësh

Disa orë pas Pecit, Lulzim Hetemi i LVV-së betimin për detyrën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit e ka bërë në një shkollë në fshatin Bistricë, ku edhe është bërë konstituimi i Kuvendit Komunal.
Pas ceremonisë së betimit, Hetemi ka shprehur bindjen se detyrën e re së shpejti do të mund ta ushtrojë nga objekti i komunës në qendër të qytetit.
“Kurrë nuk e dimë, por, sipas të gjitha gjasave, është afër dita kur kemi për të shkuar në komunë… Kur të kemi qasje, ne do të shkojmë së shpejti”, ka deklaruar Hetemi para gazetarëve. E deri atëherë, ai funksionin e kryetarit do ta ushtrojë në zyrën komunale në Bistricë.
Në rast se nuk do të sigurohet qasja në objektet komunale, Hetemi ka paralajmëruar shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“Nëse nuk mundemi, do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë ai.
Në Leposaviq, nënkryetare e Kuvendit do të jetë Dragana Miletiq, pjesëtare e komunitetit serb të komunës.
“Do të angazhohemi të gjithë së bashku për një të ardhme me të mirë për të gjithë ne”, ka thënë Miletiq. Hetemi ka thënë se ajo është pjesë e administratës së Komunës së Leposaviqit, porse për pozitën e saktë të saj ka theksuar se nuk posedon informacione.
Kryesues i Kuvendit Komunal në Leposaviq është zgjedhur Gorski Buriq.
Zeqiri premton angazhim për të gjithë qytetarët, pa dallim

E në Zubin-Potok, kryetari i ri Izmir Zeqiri ka bërë betimin në objektin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim në Çabër, ku ai më herët ka qenë i angazhuar në degën e lëshimit të certifikatave.
Pas ceremonisë së betimit, Zeqiri u ka premtuar banorëve serbë, të cilët e përbëjnë shumicën në këtë komunë, se do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre, ndërsa ata i ka ftuar për bashkëpunim.
“Uroj që ne tani e tutje të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke u ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin-Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet, t'i plotësojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve, duke përfshirë sidomos komunitetin shumicë serb”, ka thënë Zeqiri në një fjalim në Zyrën për Komunitete.
Teksa ai është betuar jashtë objektit kryesor të komunës, puna e institucioneve paralele të Serbisë në këtë objekt ka vazhduar të enjten, kur ka pasur hyrje-dalje të personave, kryesisht të moshuar, që merrnin shërbime nga komuna paralele.
Megjithëkëtë, Zeqiri ka thënë se e ka për synim ta ushtrojë funksionin në objektin kryesor.
“Unë kam zyre edhe këtu, por kam zyre edhe në komunë... Nuk do të thotë sot apo nesër, por do të shkoj në Zubin-Potoku dhe të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im. Nuk e shoh aq të rëndësishme se ku mbahet betimi. Unë e shoh të rëndësishme që së shpejti do të jemi në posedim të të gjitha atyre zyrave dhe të gjitha dikasteret do të drejtohen me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai në një konferencë shtypi, pas betimit.
Zeqiri nuk u është përgjigjur konkretisht pyetjeve të gazetarëve se cilat do të jenë vendimet e tij të para si kryetar i komunës, porse ka theksuar se synon që pozita t’u japë profesionistëve serbë.
“Unë dhe kabineti im, thënë të drejtën, jemi në përpjekje për ta shtrirë një komunikim me shumicën serbe në këtë rast, meqenëse është, dihet situata e bojkotit... Jemi të hapur për të gjithë ata profesionistë të na bashkohen në kabinetin tim qeverisës. Jemi në pritje dhe një kohë të shkurtër do të presim, do të ofertojmë. Ndoshta procesin zgjedhor e kanë bojkotuar, mirëpo ne jemi të hapur sikur të ishim bashkë të votuar. Kështu që uroj që të kemi në kabinetin tim, shumicën e drejtimit të dikastereve ta drejtojnë profesionistë të shumicës serbe, ashtu siç i kemi raportet etnike”, ka thënë ai.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në disa raste se kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe në veri “duhet të kenë rol administrativ, e jo politik”, për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët.
I pyetur lidhur me këtë, Zeqiri ka thënë se mandati i tij është i plotë dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, por edhe do jetë në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.
Sikurse kryetarët e tjerë shqiptarë të zgjedhur për t’i drejtuar katër komunat veriore, Zeqiri e ka siguruar mandatin me 197 apo 52.2 për qind të votave të marra në zgjedhjet e 23 prillit.
Procesi zgjedhor është përcjellë me numër të vogël votuesish, shkaku i bojkotit të thirrur nga Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ceremonitë e betimit të kryetarëve në tri komunat veriore të enjten është realizuar nën praninë e shtuar të forcave të Policisë së Kosovës. Në afërsi të objekteve në Boletin dhe në Bistrisë, krahas Policisë së Kosovës, kanë qenë të vendosur edhe pjesëtarë të EULEX-it dhe ata të KFOR-it.