Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë betuar të hënën para ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, megjithatë i gjithë grupi nuk është kompletuar për shkak të edhe një anëtari për të cilin nuk është vendosur ende.
Në këtë ceremoni morën pjesë vetëm 10 anëtarë të KQZ-së, përfshirë kryetarin Kreshnik Radoniqi.
Ceremonia u mbajt me fillim nga ora 11:00, në Zyrën e Presidentes së Kosovës.
Dy nga anëtarët e rinj, Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu, vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa tri partitë tjera më të mëdha opozitare kanë vetëm nga një anëtar.
Nga Partia Demokratike e Kosovës është betuar Rashit Qalaj, nga Lidhja Demokratike Ilir Fetahu ndërsa nga Aleanca Muharrem Nitaj.
Delvir Tairi dhe Stefan Filipoviq janë anëtarët e rinj nga komunitetet joshumicë.
Në prill të këtij viti PDK-ja ka kërkuar nga u.d e presidentes Albulena Haxhiu, emërimin e anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përmes një letre drejtuar Haxhiut, PDK-ja i është referuar nenit 139 të paragrafit 4 të Kushtetutës së Kosovës me anë të së cilës, ka thënë se PDK-së në këtë rast i takojnë dy anëtarë.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pati kërkuar që subjekti të përfaqësohet nga tre anëtarë për shkak të votave.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të papranueshme kërkesën e ish-presidents Vjosa Osmani për sqarimin lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Osmani kishte kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
PDK-ja pastaj pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin është deklaruar e papranueshme kërkesa për konflikt kompetencash ndërmjet Presidentes dhe grupeve parlamentare, ka kërkuar emërimin e anëtarit të dytë në KQZ, mirëpo kjo çështje nuk përfundoi në mandatin e Osmanit.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, gjashtë anëtarë emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, një anëtar nga radhët e pakicës serbe, kurse tre të fundit nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë.

DnV: KQZ-ja mbeti me 10 anëtarë, Haxhiu duhet ta plotësojë përbërjen
Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, sot, me emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk e ka përmbyllur përbërjen e plotë të këtij institucioni.
Në një komunikatë për media, DnV-ja ka deklaruar se KQZ-ja ka mbetur me 10 nga 11 anëtarët që parashihen me Kushtetutë.
Tutje thuhet se për DnV-në, argumenti se KQZ-ja mund të funksionojë edhe me 10 anëtarë nuk mund të shërbejë si arsyetim për moskompletimin e saj.
“Kushtetuta e ka përcaktuar përbërjen e KQZ-së dhe respektimi i saj nuk mund të varet nga vlerësimi nëse mungesa e një anëtari e pengon apo jo punën e përditshme. Normalizimi i një praktike të tillë krijon precedent të dëmshëm, dobëson sigurinë juridike dhe cenon besimin në institucionin që ka përgjegjësinë kryesore për administrimin e zgjedhjeve”, thuhet në komunikatë.
Demokracia në Veprim i ka bërë thirrje Haxhiut që pa vonesë ta përmbyllë procesin dhe ta kompletojë KQZ-në me anëtarin e njëmbëdhjetë.
Sipas DnV-së, emërimi duhet të bëhet në përputhje me modelin strikt të përfaqësimit të grupeve parlamentare, të zbatuar në praktikën institucionale deri në ciklin e fundit, ku grupet përfaqësohen fillimisht në mënyrë të barabartë dhe vendet shtesë plotësohen sipas radhës së grupeve më të mëdha.