Arbëri

Beteja për Manastirin

Dy histori të ndryshme në betejën për ndërrimin e pronësisë për 24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit. Maratona e parë, ajo juridike ka nisur në vitin 2000 e ka përfunduar në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Manastirit të Deçanit në pretendimet për pronësi. E prej atëherë ka vazhduar maratona e dytë, ajo politike që rezistonte të zbatonte këtë vendim. Ajo ka marrë epilog tash

Të mërkurën e 13 marsit të vitit 2024 mori fund drama për të përcaktuar pronësinë e 24 hektarëve te Manastiri i Deçanit.

“Maratona” juridike për këtë çështje kishte përfunduar tetë vjet më parë, kur në 2016 Gjykata Kushtetuese e nxori si të paligjshëm vendimin e Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme, dhe 24 hektarë tha që i takojnë Manastirit të Deçanit.

Vendimi i Kushtetueses erdhi pasi një procesi maratonik të gjykatave të rregullta.

Në vitin 2000 dy ndërmarrje shoqërore ushtruan padi kundër Manastirit të Deçanit me përfaqësues Sava Janjic, kryemurg i Manastirit të Deçanit.

Përmes kësaj padie kërkonin nga Gjykata në Deçan që të anulohej marrëveshja e dhurimit të këtyre pronave, vendim që ishte marrë në kohën e Sllobodan Millosheviçit saktësisht me 5 nëntor të vitit 1997.

Nga viti 2000 deri në vitin 2015 pati shumë vendime nga organet gjyqësore.

Përfundimisht u vendos në vitin 2015 që të anulohej vendimi që i jepte të drejtë Manastirit të Deçanit në këtë çështje.

Rasti përfundoi në Kushtetuese, e në vitin 2016 Kushtetuesja përfundimisht vendosi që pronat duhej t’i takonin Manastirit të Deçanit.

Por pas maratonës juridike nisi maratona politike për të mos e zbatuar këtë vendim.

Jo vetëm institucionet lokale në Deçan, por edhe Qeveria e tanishme e Kosovës haptas shumë herë janë deklaruar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka legjitimuar vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997.

Të mërkurën këtë maratonë e përfundoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që lajmëroi se tashmë është vendosur që këto prona të barten në emër të Manastirit të Deçanit. E në kohën kur Kurti ishte pjesë e opozitës ai nuk pajtohej që këto prona t’i jepeshin Manastirit të Deçanit.

Kur erdhi në pushtet, Kurti gjente të meta në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, shkeljet procedurale në aktgjykim lidhen me përfaqësimin pasi sipas kryeministrit nuk është Manastiri i Deçanit palë, është Kisha ortodokse dhe se në aktgjykim shkruan që palë është Agjencia Kosovare e Mirëbesimit e pas pavarësisë këtë rol e ka marrë Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Nga viti 2008, Kosova është bërë me Ligj për Zona të Veçanta të Mbrojtura.

Ky ligj veçanërisht siguron mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës.

Një nga zonat e mbrojtura sipas këtij ligji është edhe Manastiri i Deçanit.

Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje.