Arbëri

Bërlloku në Kosovë, mëditjet në xhep

Për 195 mijë vullnetarë që iu bashkëngjitën aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën” flet raporti final i organizatorëve. E, dëshmitë që ka siguruar KOHA tregojnë se, krahas pagave, njerëz të organizatës që e menaxhoi aksionin për ditë të tëra morën mëditje prej 150 eurosh. Luan Hasanajt i figurojnë 23 mëditje, të cilat ia çuan në xhep 3,450.00 euro. E, përderisa buxheti prej 815 mijë eurosh u arsyetua me mëditje e edhe me fatura të rrejshme, bërlloku mbeti në Kosovë. Një raport kredibil i realizuar tre muaj pas përfundimit të aksionit tregon për 2,529 deponi ilegale që ndodheshin në Kosovë, ndryshe nga viti 2017 kur ishin 1,572 sosh

Nga 150 euro në ditë merrnin disa nga njerëzit që në vjeshtën e 2018-s apelonin te qytetarët t’i bashkëngjiteshin vullnetarisht aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Për 195 mijë vullnetarë që iu bashkëngjitën këtij aksioni flet raporti final i organizatorëve. Madje, vë theksin tek angazhimi vullnetar i rreth 10.78 për qind të popullsisë së përgjithshme në Kosovë. Mes të tjerash aty theksohet se në fushatë janë angazhuar të gjitha institucionet relevante në nivel qendror dhe lokal dhe vullnetarët e “Let’s Do It”, përkatësisht “Ta pastrojmë Kosovën”, në tërë territorin e Kosovës, përfshirë komunitetet joshumicë.

Dëshmitë që ka siguruar KOHA tregojnë se, krahas pagave, morën edhe mëditje prej 150 eurosh njerëz të organizatës që i menaxhoi 815 mijë eurot e aksionit, të cilat atëkohë ia dha Qeveria në kundërshtim me procedurat.

Mëditje më shumë se paga

Luan Hasanaj është drejtor ekzekutiv i organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Pjesa e parë e hulumtimit:

 

Organizata të cilën ai drejton ia bëri një kontratë ekstra për angazhim në 23 ditë, e nëpërmjet së cilës përfitoi 3,450.00 euro plus. Me të angazhohej për: Përgatitjen dhe hartimin e moduleve për trajnim të mësimdhënësve; ofrimin e trajnimeve për mësimdhënës të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët lidhur me mbrojtjen e mjedisit; si dhe hartimin dhe dizajnimin e doracakut për mësimdhënës.

“I kontraktuari për punën e vet të kryer në interes të organizatës do të marrë pagesën e mëditjes, për ofrimin e këtyre shërbimeve 150.00 euro për ditë pune, që në total i bie 3,450.00 euro”, thuhet në kontratë, në të cilën në emër të organizatës e kishte firmosur Skënder Boshtrakaj.

Nëpërmjet kontratave të këtilla, Besnik Shabiu kishte siguruar 3,450.00 euro në emër të 23 mëditjeve, e Valton Karaxhiu 3,000.00 mijë euro për 20 mëditje.

Alban Hyseni ishte angazhuar nga jashtë për 28 ditë, që në total bënin 4,200.00 euro, kurse Enver Kërçeli për 20 ditë, që ia siguronin 3,000.00 euro.

Kësisoj, të pestët bashkërisht përfituan 17.100.00 euro nga mëditjet, shumë kjo gati sa 88 paga të të rinjve që i kishin realizuar për angazhimin me kontratë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”. Pagat mujore të tyre nuk tejkalonin lartësinë e dy mëditjeve të “të mëdhenjve”. Saktësisht 21,326.39 euro është e gjithë shuma për të 88 pagat e tyre.

Një të punësuari të këtillë me pagë mujore rreth 300 euro i përshkruheshin këto detyra: “Angazhimi në kryerjen e detyrave që i parashtrohen nga organizata; të koordinojë dhe të zhvillojë aktivitetet me grupet lokale nëpër të gjitha komunat e Kosovës në kuadër të organizatës ‘Ta Pastrojmë Kosovën’; organizimin e aktiviteteve të projektit, duke përfshirë punën në terren, fushatat promovuese dhe vullnetare në tërë vendin”.

Buxheti për mëditje nuk figuronte kurrkund në planin e aktiviteteve, në të cilin ndodhej edhe parashikimi i buxhetit total të aksionit, që ishte 815,035.00 euro.

Kostoja shtesë për shtetin

KOHA, në dy vazhdimet e publikuara të enjten dhe të premten, raportoi se si Qeveria jashtë procedurave ia dha në menaxhim këtë buxhet organizatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila pastaj shumë nga shpenzimet e aksionit i arsyetoi edhe me fatura të rrejshme.

Pjesa e dytë e hulumtimit:

 

Dëshmi e kësaj janë edhe katër fatura me shumë totale prej 75,928.00 eurosh, që mbanin logon e dy bizneseve nga Mitrovica. Ato organizata i kishte përfshirë në dosjen që e ka përcjellë në Qeveri, për t’i arsyetuar shpenzimet. E, pronari i bizneseve tregoi se nënshkrimi i tij, që figuron në faturë, është i falsifikuar dhe se shërbimet që figurojnë për këtë shumë kurrë nuk ishin ofruar e as paratë nuk kishin mbërritur te bizneset e tij.

E, dy biznese të lidhura me njerëz të përfshirë në menaxhimin e aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën” kishin lëshuar fatura për ta arsyetuar gjysmën e buxhetit prej 815 mijë eurosh. Saktësisht 253 mijë euro është shuma kumulative e faturave për fanella, dorëza, maska e çizme, të cilat ishin kontraktuar te një biznes që ishte hapur vetëm një vit më parë. Ndërkaq, në vlerë prej 155 mijë eurosh ishin faturat për kontejnerë, të lëshuara nga një kompani tjetër.

Me të tjera fatura është arsyet qiraja e një autobusi për 9 mijë euro, furnizimi edhe me 17,500 sandviçë shtesë, e edhe hapësira që u ka krijuar si mysafirë seria “O sa mirë”, për çmimin 33 mijë euro.

Organizata, por as kompanitë, nuk kanë ofruar dëshmi nëse pagesat ishin bërë nëpërmjet llogarisë bankare gjatë zbatimit të projektit “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe as nëse ishin kryer në realitet shërbimet e mallrat që figurojnë në fatura.

Aksioni që i çoi te kjo organizatë 815 mijë euro të buxhetit të shtetit pati edhe kosto tjetër për shtetin. Forca e Sigurisë ishte përfshirë me shumë makineri në shërbim të fushatës. Komunat dhe ndërmarrjet po kështu. Ndërkaq, shumë kompani private vullnetarisht ishin përfshirë në eliminimin e deponive.

Të rinjtë ishin obliguar të përfshiheshin në aksion.

“Të gjithë nxënësit dhe studentët, ditën e shtunë, më 15 shtator 2018, do të ndihmojnë në pastrimin e të gjitha hapësirave përreth objekteve edukativo-arsimore”, thuhet në pikën e parë të një vendimi të marrë më 24 gusht 2018 nga ministri i atëhershëm i Arsimit, Shyqiri Bytyqi. “Të gjitha drejtoritë komunale të arsimit në Republikën e Kosovës të hartojnë një plan për mbjelljen e pishave nëpër oborret e shkollave”, vijohej në të dytën.

1000 deponi në fillim të aksionit, 2500 pas tre muajsh

Nevojën për ta realizuar aksionin, organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” e kishte arsyetuar me faktin që në shtatorin e 2018-s ishin në Kosovë rreth 1000 deponi ilegale mbeturinash. Kur në mbledhjen e 62-të të Qeverisë ishte marrë vendimi për ta mbështetur buxhetin për aksionin që do t’i hiqte këto deponi, kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj, kishte thënë se pasi të përfundonte aksioni nuk do të lejonte një ndotje të re.

“Nga momenti i përmbylljes në dhjetor, duhet t’i zbatojmë ato politika ndëshkimore për ata që hedhin, për ata që gjuajnë, për ata që nuk e respektojnë ligjin”, citohet Haradinaj në procesverbalin e mbledhjes.

Mbështetur në raportin për këtë aksion, në periudhën 15 shtator 2018 – 15 dhjetor 2018 “në tërë Kosovën ishin larguar 952 deponi ilegale”. Pra, afërsisht sa ishin para se të niste aksioni.

Por, për një realitet tjetër flet një raport i organizatës joqeveritare “Center for Education and Development of Environment (CEDE)”. Ndonëse buxheti ishte “fshirë”, referuar të dhënave të kësaj organizate, bërlloku kishte mbetur.

Evidentimi i realizuar nga CEDE tre muaj pas përfundimit të aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, pra në mars të vitit 2019, kishte gjetur se në nivel vendi ishin 2,529 deponi ilegale.

Vulë faktit se bërlloku kishte ngelur i jep edhe Raporti i Komisionit Evropian i publikuar në vitin 2020 për Kosovën. Në të theksohet se nga 1,572 deponi ilegale mbeturinash që ishin në vitin 2017, numri i tyre ishte rritur në 2,529 në vitin 2019.