Prej më shumë se gjashtë muaj rrugët e Shtimes nuk po pastrohen nga kompania “Pastërtia”, me bazë në Ferizaj. Kontrata ka skaduar e sipas drejtuesve të kompanisë, komuna ka kushtëzuar kontratën e re me emërimin e një militanti të Vetëvendosjes për njësinë në Shtime. Komuna e Shtimes nuk ka komentuar akuzat
Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” dhe Komuna e
Shtimes për më shumë se gjashtë muaj nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontratë të re për pastrimin e rrugëve të kësaj qyteze.
Drejtuesit e kompanisë me bazë në Ferizaj kanë akuzuar kryetarin e Shtimes, Qemajl
Aliu, se po e kushtëzon lidhjen e kontratës me emërimin e një militanti të Vetëvendosje si përgjegjës të njësisë së kompanisë në Shtime.
Basri Syla, drejtor ekzekutiv në KRM “Pastërtia”, tha se nga nëntori ka mbajtur pesë takime me Aliun, por pa sukses.
“Kërkesa e tij konkrete qysh në takimin e parë ka qenë ndryshimi i përgjegjësit të njësisë, andaj për mua ka qenë e pa arsyeshme sepse nuk mund të bën vlerësime negative për një person pasi që kryetari nuk i ka bë as 3 muaj punë në krye të komunës”, ka thënë Syla.
Për shkak të skadimit të kontratës, kompania ka ndërprerë shërbimet që lidhen direkt me Komunën e Shtimes. Sipas drejtorit Syla, punonjësit e komunës po i shfrytëzojnë kontejnerët afër bizneseve të mëdha.
“Sipas disa fotografive që i kemi parë, disa thasë me mbeturina, punëtorët e komunës i kanë hedhur në rrugët kryesore afër bizneseve për shkak që ne t’i marrim ato shërbime, mirëpo ne, sipas informacioneve, i kemi hapur ato thasë dhe e kemi parë se të gjitha ato mbeturina janë të komunës, andaj kërkojmë nga punëtorët dhe kryetari i komunës që të mos i hedhin mbeturinat në rrugët kryesore për ta ndotur ambientin”, ka thënë Syla.
Osman Muharremi, përgjegjës i KRM “Pastërtia” në Shtime, ka thënë se në mbledhjen e fundit me kryetarin e komunës, Qemajl Aliu, i është kërkuar dorëheqja me arsyetim se njësia në Shtime duhet të drejtohet nga një militant i Vetëvendosjes. Foli edhe për ankesat e qytetarëve.
“Kemi ankesa të qytetarëve vazhdimisht që nuk po pastrohen rrugët dhe ku janë punëtorët që kanë pastruar vazhdimisht hapësirat publike për shtatë ditë në javë, tash çdo ditë kemi ankesa nga qytetarët sepse rrugët janë të papastra”, ka thënë Muharremi.
Me gjithë insistimin e KOHËS, as zyra për informim në Komunën e Shtimes e as kryetari i komunës, Qemajl Aliu, nuk u janë përgjigjur pyetjeve për këtë çështje.
“Pastërtia” ofron shërbime në komunat Ferizaj, Shtime e Kaçanik.