Kanë vazhduar përplasjet mes pretenduesve për kreun e Partisë Demokratike një ditë pas protestës e cila përshkallëzoi në dhunë. Ish-kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, është rikthyer të dielën para selisë, megjithëse nuk ka pasur një tentativë tjetër për t’u futur brenda. Me zhvillimet brenda PD-së është marrë edhe kryeministri Edi Rama, duke thënë se Basha e Berisha janë kufoma politike që po e mbajnë peng partinë
Tiranë, 9 dhjetor - Një ditë pas protestës e cila përshkallëzoi në dhunë, Sali Berisha bashkë me anëtarët e Komisionit është rikthyer të dielën para selisë së Partisë Demokratike. Derisa nuk ka pasur një tentativë tjetër për t’u futur brenda, Berisha ka falënderuar mbështetësit duke paralajmëruar edhe protesta të tjera.
jemi revolucion paqësor. Nëse ata marrin tavolina dhe ua hedhin njerëzve kokës, kjo është e paimagjinueshme. Ju patë vrasës të dënuar, se si sulmonin si bisha të tërbuara demonstruesit. Dje në protestë ishin njerëzit më paqësorë që mund të keni parë. Qëllimi ishte hapja e dyerve, ne nuk thamë se nuk do i hapim dyert. Ne thamë se do t’i hapim dyert, se është shtëpia jonë”, ka thënë Berisha.
E kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se nuk largohet nga partia teksa ka akuzuar edhe oligarkët për situatën e krijuar në PD.
“Në javët e ardhshme, oligarkët që financojnë mediat, aleatët politikë të trekëndëshit të Bermudës, do të investojnë shumë para që të zhvendosin debatin në çështje dytësore ose të parëndësishme për shqiptarët, përpjekja jonë për ta mbajtur vëmendjen ku duhet, te domosdoshmëria për rrugën e ndryshimit. Për t’u dhënë shqiptarëve një Kushtetutë që nuk i mban ata skllevër, por u jep fuqinë që kanë qytetarët në një vend normal. Për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të korrupsionit të qeverisë më të korruptuar në planet, të njeriut që është në krah të Sali Berishës”, ka theksuar Basha. Sipas tij, Berisha përjetoi eksitim me skenat e dhunshme para selisë së partisë.
“Unë e di që eksitimi përballë kësaj skene dhunë, nuk e fshihte dot dje, kur shihte njerëz që lëndoheshin e ka shoqëruar edhe sot. Siç ka shoqëruar edhe Edi Ramën në skena të ngjashme si 21 janari. Janë njësoj të ngjashëm. Këtu ndahem me të dy. Berisha dështoi me turp të merrte vullnetin e demokratëve, nuk e fsheh eksitimin që i shkakton dhuna. I dyti ishte përfituesi i vetëm Edi Rama. Sot e tregoi me daljen e tij të turpshme”, ka thënë Basha.
Përplasjet brenda kampit opozitar e kanë aktivizuar edhe kryeministrin Edi Rama, i cili ka zhvilluar një komunikim në “facebook”, me siç ka thënë, demokratët e Shqipërisë.
Berishën e Ramën i ka kualifikuar si dy kufoma politika që po i bëjnë dëm vendit.
“Skenat e djeshme trishtim, mungesë vetëdije qytetare. Pamë kafshëri në zgjedhjen e mjeteve për t’u mbrojtur apo sulmuar. Përpjekje për kafshim mes palëve dhe fatmirësisht u shmang kafshimi i përgjakshëm. Zënka për godinën është një përshkallëzim i degradimit. Në fakt shpreh ezauarimin e të gjitha mjeteve politike, morale, njerëzore që përkthehet në një agresion fizik. Përballje mes gojësh që flasin jo në emër të trurit, por në emër të muskujve. Sigurisht se e gjithë kjo vjen si rezultat i delegjitimit të plotë të të dyja palëve”, ka theksuar Rama.
“Të dyja palët kanë humbur mundësinë t’i udhëheqin demokratët, të dyja kufomat e kanë të pamundur ta bëjnë këtë. Kacafytja mes tyre është një nevojë ekstreme për njëri-tjetrin. Mbahen të dy që të mos bien të dy. Nuk jam këtu për të zëvendësuar opozitën, as për të thënë ‘o sa mirë që u shkatërrua opozita’. Duhet të bëjmë çmos që ta çlirojmë politikën e këtij vendi, këtë aspekt që na mban peng të gjithëve. Nëse duan dy seli, përkohësisht t’i ndihmojmë”, ka ironizuar Rama.
Sa i përket ndërhyrjes së policisë në protestën e djeshme, kryeministri i Shqipërisë ka shtuar se falë tyre u shmang tragjedia dhe kthyen normalitetin.
“Demokracia nuk mbrohet me njerëz, me njerëz me shkopinj që shfaqen me penxheret për t’u dhënë hu atyre që hipin nga shkallët. Unë nuk mbroj kaq shumë për Lulin tim. Nuk kam asnjë respekt as për Lulin tim, as për Saliun tënd. Janë dy pengmarrësit të skenës demokratike të Shqipërisë. Dy, dy, nejse…”, i është kundërpërgjigjur Rama një komentuesi.
I pyetur nga gazetarët për thirrjen që Rama u bëri sot demokratëve, që të distancohen nga Berisha dhe Basha dhe të shpëtojnë partinë, Berisha theksoi se cinizmi i kryeministrit është ekstrem dhe shpirti i tij është i zi, si i Spiro Kolekës.
“Ne jemi revolucion paqësor. Nëse ata marrin tavolina dhe ua hedhin njerëzve kokës, kjo është e paimagjinueshme. Ju patë vrasës të dënuar, se si sulmonin si bisha të tërbuara demonstruesit. Dje në protestë ishin njerëzit më paqësorë që mund të keni parë. Qëllimi ishte hapja e dyerve, ne nuk thamë se nuk do t’i hapim dyert. Ne thamë se do t’i hapim dyert, se është shtëpia jonë”, u shpreh Berisha.
Pas incidenteve të ndodhura në selinë e PD-së, Policia e Tiranës ka arrestuar 34 persona, midis tyre katër të rinj nga Gjakova, ndërkohë janë proceduar penalisht edhe 18 persona, mes tyre edhe numri dy i PD-së zyrtare, Gazmend Bardhi dhe anëtari i Grupit të Rithemelimit të PD-së, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka.
Protesta e djeshme u thirr nga Grupi i Rithemelimit të PD-së në krye me Sali Berishën. Qëllimi i protestës ishte që të merreshin zyrat e PD-së. Grupi në krye me Berishën e llogarit Bashën si kryetar të shkarkuar tashmë dhe se paligjshëm po mban zyrat. Gjatë protestës pati edhe përplasje mes militantëve të Bashës dhe protestuesve. Policia u vu në mbrojtje të ndërtesës ku është selia e PD-së.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me shkatërrimin e pronës dhe aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar në datën 8 janar 2022, në selinë e Partisë Demokratike, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan dhe ndaluan për veprat penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’, ‘Prishja e qetësisë publike’, ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’, ‘Shkatërrimi i pronës’, ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’ dhe ‘Shkelja mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive’, kryer në bashkëpunim, shtetasit: Shaban Halili, Gentjan Lamnica, Agron Gjura, Xhevahir Georgiev, Alban Zaimi, Arkimed Lushaj, Hajredin Gjura, Denis Luku, Valdrin Dervishaj, Arben Dervishaj, Orges Dervishaj, Qëndrim Dervishaj , Selman Krasniqi, Albano Sokolaj, Ber Begeja, Duleman Marku, Mirash Rrathtori, Emiliano Çekini, Gjon Pepaj, Klavdo Çekini, Armando Çardaku, Agustin Pali, Oltion Zenelaj, Albi Peti, Arian Mezini, Ardian Myrto, Ylli Gosturani, Armando Alldervishi, Vendim Demaj, Afrim Deda, Sokol Ndreu, Orian Meta dhe Stivi Luku”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.