Arbëri

Berisha: Po të kishte guxim politik, barrikadat në veri do të largoheshin brenda një ore

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, të martën ka deklaruar se gjendja në veriun e Kosovës është shqetësuese dhe se kërkon reagim serioz të institucioneve përgjegjëse të shtetit.

Berisha i cili është edhe kryetar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha, ka theksuar se po të kishte vullnet e guxim politik, barrikadat në veri do të largoheshin brenda një ore.

“Barrikadat e vendosura po të kishte vullnet dhe guxim politik do të largoheshin brenda një ore, qysh janë larguar edhe herëve të kaluara. Nuk do të rrinin duarkryq dhe duke e lënë popullin e Kosovës në një mjegull të madhe”, është shprehur Berisha.

Ai ka deklaruar se si pasojë e paaftësisë së Qeverisë, temat teknike janë kthyer në probleme të sigurisë.

“Popullin dhe Policinë e Kosovës nuk e trembin bandat dhe manovrimet që po bahen në atë pjesë të Kosovës. Për shumë vite ne kemi punuar për paqe dhe siguri në gjithë Kosovën. Paaftësia e Qeverisë dhe e këtij pushteti e kanë krijuar një gjendje të tensionimit të panevojshëm, me tema teknike, të cilat i kanë kthy në probleme të sigurisë. Qytetarët që dje, sot e nesër po kyçen në veprime të kundërligjshme, kryengritëse dhe kundër interesit qytetar, ju them mos lejoni të keqpërdoreni nga politika. Po ashtu, ju thërras për qetësi, për kujdes, mirëpo nuk duhet që të pranojmë këtë gjendje që është krijuar tash si status-quo”, ka theksuar Berisha.

Sipas tij barrikadat në veri duhet të hiqen nga Policia dhe KFOR-i bashkë. Berisha ka thënë se nuk është dashur që për çështje të problemeve teknike, veriu i Kosovës të kthehet në problem të sigurisë.

Sipas tij policët po qëndrojnë atje më përkushtim e moral të lartë. “Gjendja e vërtetë që po paraqitet nga Qeveria, me theks të veçantë e Policisë së Kosovës, është ndryshe. Policët qëndrojnë me moral të lartë dhe me përkushtim si gjithherë më parë kur ka qenë në pyetje shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit të vendit. Si i kryetar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, i njoh mirë kapacitetet e Policisë së Kosovës, po edhe përkushtimin dhe moralin e tyre në shërbim të atdheut, që meritojnë respekt institucional dhe jo vetëm vajtimin e Qeverisë”, ka theksuar Berisha. / ksp