Arbëri

Berisha për vendimin e hapjes së urës së Ibrit: S’është diçka e jashtëzakonshme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se vendimi për hapjen e urës së lumit Ibër në Mitrovicën e Veriut nuk duhet parë si diçka e jashtëzakonshme, pasi sipas tij, ka pasur rrugë të tjera alternative që nuk ka qenë problem për t’u kaluar.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut të premten ka vendosur për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

Por deputeti i PDK-së ka thënë se kjo nuk është diçka për t’u festuar, pasi qarkullimi në veri ka qenë i mundur edhe në të kaluarën.

“Nuk duhet marrë si diçka e jashtëzakonshme. Kosova është shtet unitar, ka një Kushtetutë dhe administrohet në kufijtë e vet territorial dhe çdo që bëhet në garantim të lëvizjes së lirë, nuk është diçka që duhet me u celebru. Por duhet konsideruar si diçka normale. Qarkullimi në veri ka qenë i mundshëm, ka qenë i mundur edhe në të kaluarën. Është bërë punë intensive institucionale për integrimin e territoreve ku kanë dominuar komuniteti serb. Në lumin Ibër ka disa ura alternative për të kaluar. Ura e Ibrit, pretendetja e ndarjes, është e pakalueshme në kuptimin e automjeteve. Këto urat që janë mbi lumin Ibër, s’janë ndalur asnjëherë”, ka thënë Berisha në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka akuzuar Qeverinë e tanishme se ka acaruar raportet me serbët e veriu duke u marrë me çështje të vogla, dhe siç ka deklaruar Berisha, ka prishur punën 20-vjeçare që është bërë për të integruar komunitetin serb në Kosovë.

“Nga shtatori i vitit 2021, u defunksionalizu kontrolli i veriut nga pushteti shtetëror nga veprimet e kësaj qeverie. Kjo qeveri jo vetëm që acaroi raportet me qytetarët serbë në veri, por u mor me çështje të vogla si targat, të cilat më pas u legalizuan përmes marrëveshjes. Pastaj me Elektroseverin, me largimin e serbëve nga institucionet. Këto politika të gabuara kanë bërë që Asociacioni nga një pjesë e marrëveshje është bërë kusht politik për të ecë përpara”, ka thënë deputeti i partisë më të madhe opozitare.

Berisha ka thënë se Kosovës i konvenojnë më së paku konfliktet në veri, e ato që kanë ndodhur së fundmi ia ka atribuuar politikave të gabuara të Qeverisë Kurti.

“Më së paku i kanë konvenuar Kosovës që të ketë konflikte në veri e krejt kjo ka ardhur si pasojë e qeverisjes me politika të gabuara”, ka thënë ai.