23:10 - Berisha nuk pranon rezultatin e Kamzës: Kryekëput të manipuluara
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka dalë me një deklaratë për mediat për të komentuar daljen e rezultateve zyrtare nga ana e KQZ në Bashkinë e Kamzës dhe Vorës, rezultate, të cilët Berisha nuk i ka pranuar dhe madje i ka cilësuar edhe si të manipuluara.
Sipas Berishës, dy vite më parë, në Kamëz Partia Demokratike ishte 10 mijë vota para, ndërsa vetëm pak javë para zgjedhjeve, POLL-et e nxirrnin disa pikë përpara Partisë Socialiste. Ndaj, sipër Berishës, rezultati në fjalë tregon se gjithçka është e manipuluar.
“Ky rezultat hidhet poshtë me vendosmërinë më të madhe. Rezultati i Kamzës pasi u konfrontuan, u krahasuan rekorde elektorale dhe poll-et janë kryekëput të manipuluara. Kur them për Kamzën, atëherë problemi digjital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë. Kamza fakton gjithçka. Kemi patur të dhëna. Ajo që është reale është se në 2021 PD ka qenë 10 mijë vota para PS dhe në POLL-in e 27 shkurtit, ka qenë bashkë me aleatin e vet 14 pikë përpara.”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
21:48: - PS-ja nis festën në tri bashkitë ku u votua në mënyrë elektronike
Partia Socialiste ka shpallur fitoren në Vorë, Kamëz dhe Elbasan, tri qytete këto ku procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë elektronike.
Mësohet se, pas numërimit elektronik, fitues rezulton Blerim Shera, kandidat i Partisë Socialiste.
Shera triumfoi në garën e 14 majit ndaj kandidatit të opozitës “Bashkë Fitojmë”, Indrit Hoxha.
Duke kërcuar e duke kënduar, e ka festuar Rakip Suli fitoren në Bashkinë e Kamzës, ku mundi me rezultat të thellë dy rivalët e opozitës. Ish-deputeti u pa duke shijuar fitoren e mandatit të dytë në shoqërinë e kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla.
Në sheshet e Elbasanit ka nisur festa pas shpalljes së rezultateve të para.
Teksa numërimi i 150 qendrave të votimit nga 224 gjithsej nxjerr në avantazh PS, simpatizantët kanë nisur të festojnë me muzikë e flamuj kombëtar.
Sipas rezultateve të deri më tanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryebashkiaku socialist dhe njëherazi kandidati i PS-së për një tjetër mandat në Elbasan, Llatja, është në epërsi me 4537 vota, përballë Boçit i cili ka mundur të sigurojë 20286 vota ose rreth 44% votave.
21:16 - PS-ja fiton në Vorë
Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Vorës, Blerim Shera, ka fituar në zgjedhjet lokale, bën të ditur A2NEWS.
Sipas rezultateve të para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Shera i ka marrë 8.533 vota, ndërsa kundërkandidati nga opozita "Bashkë Fitojmë", Indrit Hoxha 2.978 vota.
Sipas të dhënave aktuale, në këtë bashki kanë votuar 42.10 për qind e qytetarëve, nga 30.822 në total me të drejtë vote.
Erion Veliaj ka shpallur fitoren e Partisë Socialiste në Vorë. Në një dalje për mediat, kreu i bashkisë Tiranë, u shpreh i lumtur që “sipari i fitores u hap në kryeqytet.”
Në praninë e kandidatit fitues për Vorën, Blerim Shera, Veliaj u premtoi demokratëve të Vorës se do t’u shërbejë njëlloj. Po ashtu, ai tha se PS ndjen një detyrim të thellë ndaj atyre të djathtëve të Vorës që “zgjodhën të distancohen nga e shkuara.”
Edhe Bashkinë e Kamzës e ka fituar Partia Socialiste, apo kandidati i saj Rakip Suli. Ai i fiti 60.65 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës 35.11 për qind.
20:35 - Meta: Monizmi mori goditje të rëndë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi se me zgjedhjet e 14 majit, është goditur “monizmi” në Shqipëri nga qytetarët që e duan lirinë.
Ai shkroi në Facebook se me votën e tyre, qytetarët i sfiduan deformimet e rënda dhe të qëllimshme “të standardeve të zgjedhjeve nga Qeveria dhe KQZ-ja”.
Sipas Metës, numërimi i votave duhet të bëhet me shpejtësi.
“Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje duke përbuzur presionet e të gjitha llojeve të bëra nga pushteti. Shpreh respektin më të madh për qytetarët votues, që sfiduan deformimet shumë të rënda dhe të qëllimshme të standardeve të zgjedhjeve nga qeveria dhe KQZ. Shpreh mbështetjen dhe vlerësimin më të lartë për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe vëzhguesit e opozitës, që megjithëse në kushtet më të vështira, kryen detyrën me përkushtim dhe vendosmëri në shërbim të votës së çdo qytetari. Në këtë moment që procesi i votimit ka përfunduar, misioni ynë vazhdon me më shumë përkushtim se më parë për numërimin edhe të votës më të fundit.Sot monizmi ka marrë një goditje shumë të fortë falë qytetarëve që e duan lirinë. Të vazhdojmë pa u ndalur në këtë rrugë të hapur me kaq sakrifica për ta çuar deri në fund misionin tonë për votën e lirë dhe mbrojtjen e pluralizimit politik dhe demokracisë”, shkroi ai.
20:29 - Rama bën parashikimin për rezultatin e zgjedhjeve – “50+”
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në llogarinë e tij në foto, me anë të së cilës tregon se cili është parashikimi i tij, për rezultatin e këtyre zgjedhjeve në Shqipëri.
Sipas projeksionit të Ramës, partia që ai drejton fiton mbi 50 bashki, ndërsa për opozitën sipas kreut të qeverisë, bashkitë që mund të fitohet janë 0 deri në 11.
Bashkë me vizatimin e bërë në një letër A4, kryeministri ka vendosur në tavolinë edhe një breshkë për kundërshtarin politik dhe një panterë për forcën e tij politike.
Ndërkohë, kujtojmë se në të gjithë vendin ka përfunduar procesi i votimit dhe tashmë materialet zgjedhore po dërgohen në qendrat e numërimit. Pritet që rezultatet e para të dalin nga bashkitë ku u votua elektronikisht, më konkretisht në Vorë, Kamzë dhe Elbasan.
20:06- Kandidati socialist i Vorës shpall fitoren: Kam diferencë të madhe me rivalin
Kandidati socialist për Bashkinë e Vorës, Blerim Shera është i pari që ka shpallur fitoren në zgjedhjen lokale të 14 majit, kjo pasi në këto zonë është kryer dhe votim elektronik.
Shera deklaroi disa minuta pas mbylljes së procesit se ka votuar me diferencë shumë të madhe me kandidatin rival në këtë garë.
Pavarësisht shifrave që disponon, Shera shprehet se do të presë njoftimin zyrtar të KQZ./A2news
Në Kamëz simpatizantë të Partisë Socialiste kanë nisur festën pasi siç raportojnë mediat në Shqipri në dy qendra votimi ka dalë fitues kandidati Rakip Suli.
Top Channel raporton se në Kamëz po mblidhen rezultat e 133 qendrave dhe do dalë një rezultat final. Në dy qendra votimi ku ka dalë rezultati, edhe pse pjesë marrja ka qenë e ulët, me shumicë votash ka dalë Rakip Suli i cili pretendon për mandat të dytë.
Ndërkohë ka nisur te festohet me fishekzjarrë dhe qytetarë që lëvizin me automjete, ndërsa të dyja kampet flasin për fitore ndërsa pas disa minutash pritet që të shpallet fituesi zyrtar nga të gjitha qendrat e votimit të Kamzës.
Policia është në gatishmëri pasi ka forca të FNSH dhe “Shqiponjat” duke ruajtur qendrat e votimit por edhe rendin./tch
19:00 - Mbyllen vendvotimet
Është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin për zgjedhjen e 61 kryetarëve të rinj të bashkive dhe këshillat bashkiakë.
Mbi 3 milionë e 650 mijë qytetarë kishin të drejtën për të votuar për zgjedhjen e drejtuesve të rinj lokalë që do të drejtojnë bashkitë për 4 vitet e ardhshme.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit, teksa incidente të vogla shoqëruan procesin zgjedhor.
Problematikat më të mëdha u hasën me Pajisjet e Identifikimit Elektronik, çka detyroi KQZ që dy orë pas hapjes së qendrave të merrte një vendim për vijimin e procesit në mënyrë manuale.
18:20: KQZ e Shqipërisë: Procesi zgjedhor në tërësi mund të konsiderohet normal
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se në KQZ kanë ardhur 29 denoncime zyrtarisht. Tri nga Partia Socialiste, një nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm.
Mirëpo ia ka shtuar se procesi zgjedhor mund të konsiderohet që ka kaluar mirë.
“Në total në KQZ kanë ardhur 29 denoncime zyrtarisht të pranuara, 4 denoncime nga partitë zgjedhore, tre nga Partia Socialiste dhe një nga koalicioni “Bashkë Fitojmë. Partia Socialiste ka një denoncime për kandidatin për kryetar të bashkisë në Elbasan. Po kështu, edhe për kandidatin e koalicionit bashkë fitojmë në Tiranë në dy raste për thyerje të heshtjes zgjedhore nga dy kandidatët, nga kandidati në Elbasan dhe kandidati në Tiranë. Ka një denoncim në KQZ nga Komiteti Shqiptar i Helsingut mbi parregullsitë procedurale gjatë shpërndarjes së bazës materiale, i përket konstatimeve të orëve të para të fillimit të procesit të votimit. Gjithashtu janë edhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm. Përgjithësisht bashkitë të cilat janë prezantuar si me probleme janë Tirana, Elbasani, Durrësi, Dropulli, Kamza, Lexha, Peshkopia dhe Tropoja. Në referim të përmbajtjes së këtyre denoncimeve, kryesisht lidhem me parregullsi nga ana e komisionerëve, ka mjaft ankesa, korrupsion aktiv ose pasiv në procesin e votimit”, tha ai.
Sipas tij, në 4.497 qendra votimi gjithsejtë kanë votuar 998,633 votues, ose 31.42 për qind, prej tyre për herë të parë deri tash kanë votuar 14.654 votues.
“Për sa i përket ecurisë së procesit, duke parë numrin e denoncimeve, ky numër të bën të mendosh se procesi ka shkuar, mirë, normalisht, por duke ndjekur edhe raportimet e mediave dhe komunikimet qw kemi me partitë politike, këto të dhëna të lënë të kuptosh se ka probleme, por gjithsesi në vlerësimin tim, procesi në tërësi mund të konsiderohet normal dhe anomarlitetet e evidentuara nuk mendoj që e bëjnë të gjithë procesin problematik, gjithsesi duhet të presim gjithë procesin dhe të vlerësojmë çka ka ndodhur”, tha ai.
17:55 - KQZ: 34.54 për qind e qytetarëve në Shqipëri kanë votuar deri në orën 17:00
Pjesëmarrja në votime deri në orën 17:00 në shkallë vendi ka shkuar në masën 34,54%. Këto janë të dhënat më të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas KQZ-së deri në këto momente raportojnë në kohë reale 2668 Qendra Votimi nga 5213 që janë total.
Pjesëmarrja më e madhe në votim ka qenë në bashkitë, Fushë Arrëz, Pustec, Kukës, Devoll, Has, teksa Vlora hyn te bashkitë ku pjesëmarrja ka qenë më e ulët.
17:00 - KQZ: 32.19% e qytetarëve kanë votuar në Shqipëri deri në orën 16:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se pjesëmarrja në votime deri në orën 16:00 në nivel qendror ka shkuar në masën 32,19%.
Sipas mediave në Shqipëri, kjo shifër nuk është e saktë plotësisht, pasi në faqen e KQZ-së raportohen të dhëna nga afërsisht gjysma e qendrave të votimit.
Pjesëmarrja më e madhe në votim ka qenë në bashkitë, Fushë Arrëz, Pustec, Kukës, Devoll, Has, teksa Vlora hyn te bashkitë ku pjesëmarrja ka qenë më e ulët.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se në shtatë qendra të votimit në Tiranë dhe Durrës po qëndrojnë persona të paautorizuar.
Ai ka dhënë urdhër që të gjithë këta individë të largohen menjëher nga qendrat e votimit, në të kundërtën kush refuzon, kryekomisioneri paralajmëroi se ndaj tyre do të merren masa.
“Ka prani në ambiente të personave të paautorizuar, ne e konsiderojmë si intimidim dhe presion ndaj është rasti që autoritetet ligjzbatuese nga Policia apo KZAZ dhe KQV ta adresojnë dhe të merren mesat përkatëse. Është e papranueshme që qytetarë që nuk ka lidhje, të rrinë në ambientet e brendshme, duhet të boshatisen menjëherë dhe kushdo që refuzon, do duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë ai, raportoi A2CNN.
Ai shtoi se nuk ka asnjë informacion se cilat parti politike i përfaqësojnë këta persona të paautorizuar.
“Nuk e dimë se cilën parti përfaqësojnë ata”, shtoi kryekomisioneri.
Në zbatim të këtij vendimi të marrë nga KQZ-ja, autoritetet kanë shkuar në qendrat e votimit ku dyshohet se po qëndrojnë këta persona të paautorizuar dhe po e bëjnë lirimin e hapësirave prej tyre.
Së fundmi, KQZ-ja ka përditësuar shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje. Deri në orën 13:00 rreth 23.20 për qind e qytetarëve kanë dalë në votime.
Në numrin e saktë, janë 440 mijë e 370 pjesëmarrës. Shifra pasqyron të dhënat nga vetëm 2 mijë e 639 qendra, prej 5 mijë e 213 në të cilat votohet.
13:26 - Meta: Qytetari që nuk voton, s’ka të drejtë të ankohet e të kërkojë llogari
Kryetari i Partisë së Lirisë, njëherësh ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se vetëm me pjesëmarrje masive në zgjedhje mund të bëhet ndryshimi.
Kështu është shprehur ai pasi shfrytëzoi të drejtën për votim në zgjedhjet lokale që po mbahen në dielën në Shqipëri.
Ai ka thënë se qytetarët që nuk e ushtrojnë të drejtën për votë, nuk kanë të drejtë të ankohen dhe të kërkojnë më pas llogari.
“Ishte kënaqësi e veçantë sepse sot votuam si familje e kompletuar. Për herë të parë votoi edhe Era dhe ishte kënaqësi që edhe ajo sot ta kishte këtë mundësi. Unë kam vetëm një lutje për të gjithë shqiptarët: pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje! Vetë demokracia është pjesëmarrje dhe nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje. Vota është themeli i lirisë dhe dinjitetit. Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë, nuk ka të drejtë të ankohet dhe të kërkojë llogari”, ka thënë kreu i PL-së, raportoi CNN-i.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka përpunuar shifrat e fundit të pjesëmarrjes në zgjedhje.
Siç bëhet e ditur deri në orën 12:00, rreth 18.94 për qind e qytetarëve apo 365 mijë e 191 qytetarë kanë marrë pjesë në votime.
12:18 - Parregullsi e dhunë në zgjedhjet në Shqipëri, ndërpritet votimi në një qendër në Durrës
Pas problemeve për shkak të mosfunksionimit të pajisjes së identifikimit elektronik në disa qendra votimi në Shqipëri, në këtë proces zgjedhor janë regjistruar parregullsi të reja.
Në një shkollë afër Spitallës në Durrës është ndërprerë votimi pas një incidenti në ambientet e jashtme. Ka pasur një sherr ndërmjet mbështetësve të dy forcave politike në korridor dhe sekretari që përfaqëson forcën “Bashkë Fitojmë” ka marrë vulën dhe është larguar çfarë ka bërë të ndërpritej votimi për 30 minuta.
“Pas sherrit që ndodhi në korridor, nga frika u larguan njerëzit, unë nuk u largova isha në oborr”, ka thënë sekretari, raportoi TCH.
Policia ka rrethuar zonën për të monitoruar dhe parandaluar sherre të tjera. Sherri i ndodhur ka qenë jo i përmasave të vogla, ku dy palët janë qëlluar me grushte.
Në tjetër rast dhune është regjistruar në Fushë Krujë. Policia ka njoftuar se Komisioni i një qendre votimi në këtë vend ka raportuar se një votues me inicialet E.K. ka goditur me grusht një anëtar të komisionit.
I dyshuari ende nuk është arrestuar, ndërsa autoritetet njoftojnë se janë duke punuar për ndalimin e tij.
“Shërbimet e Policisë, menjëherë pasi kanë marrë njoftim, kanë shkuar në Qendrën e Votimit 1302-1, ku ka rezultuar se shtetasi E. K., i cili kishte shkuar për të votuar në këtë Qendër, kishte debatuar me një anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, shtetasin I. H., dhe më pas e kishte goditur atë me grusht, për radhën e votimit. Shtetasi E. K. është shpallur në kërkim dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar se deri në orën 10:00, në zgjedhjet lokale që po zhvillohen më 14 maj kanë votuar 158 mijë e 904 qytetarë.
Me këtë rast bëhet e ditur se shifra e përgjithshme e shqiptarëve që kanë ushtruar të drejtën e tyre për votë deri në këtë kohë është 8 për qind.
12:35 - Veliaj qytetarëve: Mos u ndikoni nga avaria e sistemit elektronik
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka votuar në zgjedhjet lokale të 14 majit që po mbahen në Shqipëri.
I shoqëruar nga bashkëshortja Ajola Xoxa, Veliaj ka bërë thirrje për qytetarët që të votojnë dhe të mos ndikohen nga problemet e sistemit elektronik, të ndodhura në nisje të procesit.
“Ka pasur avari nuk do të thosha dramatike, më vjen mirë që më në fund ka një vendimmarrje, duhet të prevalojë e drejta për të votuar. I bëj ftesë qytetarëve të votojnë e atyre që janë larguar nga lemza e vogël e mëngjesit të rikthehen. Janë fatet e qytetit në lojë, secili duhet të dëgjojë e vendimmarrja të udhëheqë. I uroj edhe pesë kandidatëve të tjera shëndet të plotë e sukses. Ka qenë një ndër fushatat e qeta të Tiranës, ndaj dhe lusim të gjithë që janë në krye të këtij procesi të vazhdojnë. Është e rëndësishme që Tirana të fitojë jo vetëm kandidatët. I bëj ftesë të gjithë familjeve shqiptarë të votojnë, aparaturat nuk janë kurrë perfekt, tani është zhbllokuar çdo ngërç që kemi pasur”, ka thënë ai.

11:45 - Rama voton: Uroj që situata në KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e votuesve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka votuar për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës dhe po ashtu për anëtarët e këshillit bashkiak.
Pas votimit, Rama ka thënë se tani është momenti i qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Ai ka uruar që problematikat e krijuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të mos ketë ndikuar në dekurajimin e qytetarëve për të votuar.
“Tani është momenti i të gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar në KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan operaturat dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar momentin e parë të kthehen, në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të gjithë kandidatët dhe për këshillat e tyre bashkiak”, ka thënë Rama.
Zgjedhjet lokale në Shqipëri kanë filluar me probleme teknike në të gjithë vendin që në orët e para.
Nga 61 bashki ku po zhvillohen zgjedhjet, në tre prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan, do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.
Në këto bashki ka pasur vonesa në proces, për shkak të mungesës së operatorëve që operojnë sistemin elektronik. Ardhja e tyre ka ndodhur me vonesë, gjë që bëri të ketë vonesa në gjithë procesin.
Një tjetër problem i paraqitur që në orën e parë të votimit është mosfunksionimi i pajisjes së identifikimit.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhje të Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, nuk ka arritur të votojë për shkak të këtij problemi me ç’rast i është drejtuar institucionit që e udhëheq.
11:23 - Alibeaj: Momenti për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën
Kryetari i deleguar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se shqiptarët e kanë në dorë që të bëjnë një ndarje të madhe me të shkuarën duke votuar kandidatët e tij.
Gjatë fjalës së tij, pasi votoi mëngjesin e së dielës, Alibeaj tha se ndarjet e mëdha bëhen vetëm me pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhje.
“Sot është dita që shqiptarët, ata të cilët ndoshta edhe në momentet e mëparshme, kohë më parë nuk është se kanë ardhur, kanë refuzuar votimin, sot do të duhet të vijnë, sepse kjo është mënyra, ky është momenti për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën, dhe kjo është në dorë të shqiptarëve. Ndarjet e mëdha me të shkuarën bëhen vetëm dhe do të jenë vetëm me pjesëmarrje masive të shqiptarëve”, tha Alibeaj.
Ai deklaroi se sot qytetarwt duhet të vendosin se di duhet të jetë nesër Shqipëria.
“Sot askush nuk mund të rri dhe të sodis. Ka shumë motive, një mijë e një motive që njerëzit të ngrihen, si ai zotëria aty që ka ardhur aty me bastun, në atë moshë, që kanë gjithë ato motive të forta për të dalë. Dhe mbi të gjitha, motivi numër një është për të ndryshuar realisht atë se çfarë Shqipëria do të duhet të jetë nesër. Dhe se si do të duhet të jetë nesër, do të duhet ta vendosim sot. Si? Duke u ndarë nga e shkuara”, deklaroi Alibeaj.
Partia Demokratike e Shqipërisë së Alibeajt ka 14 kandidatë për kryetarë në të gjithë vendin. Ndërsa pjesa tjetër e demokratëve, të bashkuar rreth Sali Berishës, garojnë me siglën e koalicionet “Bashkë fitojmë”. /KSP

10:32 - Berisha voton: Kjo është ditë fitoreje për demokracinë shqiptare
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka votuar të dielën bashkë me familjen në qendrën e votimit në shkollën “Kosova”.
Pas votimit në të cilin hasi probleme për shkak të mosfunksionimit të pajisjes së identifikimit elektronik, Berisha është deklaruar për media, ku tha se kjo është pranvera e ndryshimi.
Të dielën e 14 majit, Berisha e ka cilësuar si ditë fitoreje për demokracinë shqiptare.
“Të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve që të rrinë në shtëpi të mos harrojnë se ky është një nxitje, një apel i madh që ata të marrin sot pjesë në votime. Ai që ka frikë votën, ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj. Ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh. Ndaj edhe le t’u prijë mençuria e tyre, në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit. Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar në Shqipëri dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare”, ka thënë ai.

10:14 - KQZ-ja urdhëron regjistrimin manual aty ku ka probleme me votim elektronik
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka vendosur që në qendrat e votimit ku ka pasur probleme me pajisjen e identifikimit elektronik, të vijohet me identifikimin e votuesve në mënyrë manuale.
Ky vendim është marrë pasi në shumë vendvotime këto pajisje nuk kanë funksionuar qysh në fillim të procesit zgjedhor.
“Në momentin që ne flasim janë 4464 qendra votimi që funksionojnë normalisht me pajisjet elektronike të identifikimit. Janë 206 qendra votimi të cilat sipas informacionit që marrim përmes sistemit, pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim automatikisht informacion prej tyre. Ndërkohë janë 533 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacione që do të thotë që pajisja nuk funksionon ose funksionon pjesërisht, por nuk kemi këtë të dhënë përmes sistemit. Janë 532 tani se informacioni përditësohet në kohë reale, për të cilat supozohet në rastin më të keq që identifikimi të mos bëhet përmes pajisjes elektronike. E kuptojmë shumë mirë rëndësinë e kësaj problematike, por kjo është situata, jemi përpjekur të korrigjojmë aq sa ka qenë e mundur të ndryshojmë. Edhe kodi zgjedhur dhe aktet rregullatore kanë parashikuar situata të tilla, që kur implementohet një pajisje elektronike do të duhet të pritet një kohë me propabilitetin që të rregullohet. Në vlerësim të situatës dhe problematikave kemi vlerësuar bashkë me komisionerët për të mos penguar procesin e votimit, urdhëruam që ky proces të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë që të prisnim”, ka thënë Celibashi, raportoi “TCh”.
Për shkak të probleme është shënuar pjesëmarrje e ulët në procesin e votimit, ku në krahasim me vitin e kaluar është përgjysmuar.
09:28 - Begaj: Votimet duhet t’u shërbejnë qytetarëve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka votuar të dielën në zgjedhjet lokale që po mbahen në Shqipëri.
Gjatë adresimit të tij për media pas votimit, Begaj ka bërë thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim në mënyrë që të bëjnë ndryshime.
Sipas tij, dita e zgjedhjeve nuk i përket partive politike por qytetarëve.
“Çdo shtetas i Republikës me të drejtë vote sot ka ditën që të mund të dëgjohet. Që vota e tij të dëgjohet fjala dhe pushteti i votës mund të bëje ndryshimin. Unë e kam thënë që këto votime nuk janë të partive, janë të qytetarëve dhe duhet t’u shërbejnë qytetarëve”, ka thënë ai.

09:05 - Zgjedhjet lokale në Shqipëri, KQZ jep të dhënat për orën e parë të votimeve
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Shqipëri ka publikuar të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet deri në orën 08:00.
Pas raportimit të 2468 qendrave votimi nga 5211 gjithsej, pjesëmarrja është mbi 23 mijë, ose 1,29%.
Ndërkohë, në Tiranë, pjesëmarrja deri në orën 08:00 është 1,54%.
08:04 - Shqipëria zgjedh sot kryetarët e bashkive
Në Shqipëri të dielën mbahen zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë vendin.
Nga ora 7:00 e mëngjesit janë hapur qendrat e votimit, dhe qytetarët janë ftuar të bëjnë zgjedhjen e tyre për 61 kryetarët e rinj të bashkive si edhe për përfaqësuesit e këshillave bashkiakë.
Në këto zgjedhje vendore, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 61 bashki të vendit do të jenë të hapura 5.211 qendra votimi nga ora 07:00.
Në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet në mënyrë elektronike dhe rezultati në këto bashki pritet të dalë pak minuta pas përmbylljes së procesit zgjedhor, ndërsa thuajse në të gjitha qendrat e votimit do të bëhet identifikimi elektronik i votuesve.
Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.
Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.
Këta janë kandidatët për kryetarë në 61 bashkitë e Shqipërisë:
Bashkia Tiranë
1. Arlind Qori – Partia “Lëvizja Bashkë”;
2. Marko Dajti – Partia “Fronit i Majtë”;
3. Lajla Pernaska – Partia “Drejtësi, Integrim dhe Unitet”;
4. Erion Veliaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
5. Belind Këlliçi – “Bashkë Fitojmë”
6. Roland Bejko – “Partia Demokratike”
Bashkia Belsh
1. Arif Tafani – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Bedri Qypi – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
Bashkia Berat
1. Zija Ismaili - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Ervin Demo - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Bulqizë
1. Defrim Fiku – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Festime Mjeshtri - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Cërrik
1. Servet Duzha - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Andis Salla - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Delvinë
1. Ilir Mehmeti - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Besmir Veli - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Devoll
1. Eduard Duro - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Elvis Hajdërlli - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
3. Çlirim Hoxha – kandidat i pavarur
Bashkia Dibër
1. Ismail Uka - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Naim Gazidede – “Partia Demokratike”
3. Rahim Spahiu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Dimal
1. Gentian Meçi - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Dritan Sula – “Partia Demokratike”
3. Juliana Memaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Divjakë
1. Josif Gorrea – Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Aurel Malko - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Dropull
1. Thanas Maneka - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Dhimitraq Toli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Durrës
1. Igli Cara - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Emiriana Sako – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Elbasan
1. Gledian Llatja – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Luçiano Boçi - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Fier
1. Evdar Kodheli - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Eriselda Çelaj – “Partia Demokratike”;
3. Armando Subashi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Finiq
1. Leonidha Papa – “Partia Demokratike”;
2. Leonidha Hristo - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
3. Romeo Çakuli – Partia “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”;
Bashkia Fushë Arrëz
1. Fran Tuci – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Hil Curri - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Gjirokastër
1. Dorjan Lani - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Flamur Golemi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Gramsh
1. Hasim Çekrezi - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Besion Ajazi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Has
1. Miftar Dauti - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Beqir Mulaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Himarë
1. Jorgo Goro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Dhionisios Alfred Beleri - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Kamëz
1. Rakip Suli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Bilbil Bajraktari – “Partia Demokratike”;
3. Arjan Hoxha - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
Bashkia Kavajë
1. Fisnik Qosja - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Redjan Krali – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Këlcyrë
1. Klement Ndoni – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Adriatik Spahiu – “Partia Demokratike”;
3. Arjan Kasaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Klos
1. Valbona Kola – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Bedri Hoxha - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Kolonjë
1. Erion Isai – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Et’hem Lumani - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Konispol
1. Ergest Dule – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Fatmir Shero - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Korçë
1. Ledina Alolli - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Sotiraq Filo – “Partia Socialiste e Shqipërisë”
Bashkia Krujë
1. Agron Loka - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”
2. Artur Bushi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Kuçovë
1. Kreshnik Hajdari – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Lefter Maliqi - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
3. Ilirjan Koxhaj – “Partia Demokratike”;
Bashkia Kukës
1. Abedin Oruçi - “Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë”;
2. Admir Sinamati - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
3. Safet Gjici – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Kurbin
1. Behar Haxhiu - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Majlinda Cara – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Lezhë
1. Pjerin Ndreu - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Pashk Gjoni - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Libohovë
1. Leonard Hide – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Adil Xhelili - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Librazhd
1. Mariglen Disha - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Shefki Çota - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Lushnjë
1. Erisleda Sefa – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Eduart Sharka - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Malësi e Madhe
1. Isa Ramaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Tonin Marinaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Maliq
1. Alfred Gega - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Gëzim Topçiu – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Mallakastër
1. Agron Kapllanaj – “Partia Demokratike”;
2. Qerim Ismailaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
3. Resmi Shanaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Mat
1. Skënder Gjuci - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Agron Malaj - Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Memaliaj
1. Gjolek Guci - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Albert Malaj – “Partia Socialiste e Shipërisë”;
Bashkia Mirditë
1. Ndrec Dedaj “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Albert Mëlyshi - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Patos
1. Fation Duro – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Pranvera Rizaj – Partia Demokratike”;
3. Safije Alushaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Peqin
1. Mustafa Pashja - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Bukurosh Maçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Përmet
1. Edmond Komino - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Alma Hoxha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Pogradec
1. Zini Tolozhina - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Ilir Xhakolli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
3. Rezart Laraku – “Lëvizja e Re”;
Bashkia Poliçan
1. Florian Qama – “Partia Demokratike”;
2. Behar Xhaferraj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
3. Adriatik Zotkaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Prrenjas
1. Nuri Bleba - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Suzana Topi - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Pukë
1. Rrok Dodaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Gjon Gjonaj - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Pustec
1. Pandi Jani – Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Pali Kolefski - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Roskovec
1. Erdit Hazizaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Majlinda Bufi - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Rrogozhinë
1. Edison Memolla - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Shkëlqim Hoxha - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Sarandë
1. Skënder Muço – “Partia Demokratike”;
2. Ardit Çikuli - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
3. Oltion Çaçi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
4. Gjergj Mërkuri – kandidat i pavarur
Bashkia Selenicë
1. Nertil Bellaj – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Leonard Rakipaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Shijak
1. Elton Arbana – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Rezeart Tusha - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Shkodër
1. Benet Beci – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Bardh Spahia - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Skrapar
1. Euglen Mustafallari - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Adriatik Mema - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Tepelenë
1. Sokol Guga – “Partia Demokratike”;
2. Tërmet Peçi - “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
3. Baftjar Imeri - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Tropojë
1. Besnik Duzhaj - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Rexhe Byberi – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Vau i Dejës
1. Klomentina Drini – “Partia Demokratike”;
2. Kristjan Shkreli – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
3. Zef Hila - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
Bashkia Vlorë
1. Hysni Sharra - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”;
2. Ermal Dredha – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
Bashkia Vorë
1. Blerim Shera – “Partia Socialiste e Shqipërisë”;
2. Indrit Hoxha - Koalicioni “Bashkë Fitojmë”; /KSP