Ai ka thënë se këtë e ka parashikuar që kur nisi fryma fituese për LVV-në.
“E kam thënë prej kur ka nisur kjo fryma, se një parti që nuk e ka tagrin e luftës nuk mund të marrë vendime finale dhe tani po bindem”, ka deklaruar Berisha në “Konfront” të KTV-së.
Është shprehur i bindur se kryeministri Albin Kurti nuk do ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin e BE-së për Ascociacionin pasi është “vetëvrasje politike”.
“Nuk e dërgon atë letër në Kushtetuese sepse statuti është autonomi territoriale politike për komunat serbe”, ka shtuar ai.
Berisha nuk përjashton mundësinë e koalicionit me LVV-në: Për shpëtim të Kosovës
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, nuk e ka përjashtuar koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka thënë se takimi i PDK-së me kryeministrin ka qenë për “shpëtimin e Kosovës”.
“Mundet krahas Kosovës të përfitojë e shpëtojë edhe Albini në këtë proces politik që është fundi i tij politik ku e ka çu Kosovën”, ka thënë Hyseni i cili ku është pyetur nëse PDK-ja do t’ia japë këtë mundësi shpëtimi Albin Kurtit, është përgjigjur se “ne do t’ia japim Kosovës këtë shpëtim, nëse përfiton ai në shpëtim të Kosovës le të shpëton”.
Megjithatë, Hiseni ka shtuar se nuk ka asnjë element që i përafron programet e dy partive.
“Nuk ka asnjë element përafrues në programin e këtyre dy partive. Nuk shoh kurrë një herë koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe VV-së”, ka përfunduar ai.
Demaku: Qeveria e ka në program të mos i befasojë partnerët me veprime, por po e bën të kundërtën
Panelistja Dafina Demaku ka thënë se Qeveria Kurti e kanë në programin qeverisës që të mos i befasojë aleatët me veprime, por siç thotë ajo, në tre vjet qeverisje e kanë bërë të kundërtën.
“Ajo që në vazhdimësi e kanë kërkuar aleatët ka qenë që na mos i befasu ata. Çka është e rëndësishme është që kur kryeministri Kurti e ka marrë mandatin, gjatë ekspozesë në Kuvendi ku tregon për planin qeverisës, i cili është i qasshëm edhe për çdo qytetar, e ka në program mos me qenë i paparashikueshëm dhe i pakoordinueshëm me partnerët për veprime, por çka kemi para gjatë këtyre vjetëve qeverisje është krejt e kundërta”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.
Sipas Demakut, Qeveria Kurti me disa veprime e ka dëshmuar që nuk koordinohet me aleatët.
Së fundmi, ekzekutivi i Kosovës u kritikua nga aleatët pas aksionit në veri për mbylljen e bankave serbe.
Berisha: Po rrezikojmë që valutë të parë ta kemi dinarin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se dinari është bërë çështje kyçe në bisedimet me Serbinë e se kjo nuk duhej të ndodhte.
Berisha në “Konfront” të KTV-së ka theksuar se krimi duhej të ndalej që në kufi e të mos lihej të futej brenda.
“Sot nuk duhet të bënte asgjë që do t’i thoshin ‘ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë’. Paraja që hynte në Kosovë, ajo ishte para ilegale, po, ajo që hynte me kamionë e kemi parë duke hy. Ajo para u supozua, ishte ashtu arsyetimi i BQK-së, se financoheshin grupet kriminale, dhe nëse ishin të tilla para, ato janë vepër penale. Atëherë pse shteti nuk i ndali aty në vijën e kufirit se aty fillon krimi, fillon prej Beogradit. Pse nuk i ndali por i priti të etablohen në ato banka komerciale”, ka thënë ai.
Berisha ka shtuar se tani me debatin e krijuar me dinarin, ekziston rreziku që dinari të bëhet valutë e parë zyrtare e Kosovës.
“Pse rregullorja duhet ta trajtojë valutën e një shteti të huaj fqinj. Ne nuk kemi valutë zyrtare, në mirëkuptim me bashkësinë evropiane në procesin e transformimit na kanë lejuar euron. BQK ka operuar me euron, pse u dashtë ta trajtojë dinarin. Pse u dashtë të prodhohej kjo situatë në të cilën kanë reaguar institucionet nuk do dialogojmë për dinarin dhe tani të gjithë janë në dialog për dinarin dhe po rrezikojnë valutën e parë zyrtare në shtetin e Kosovës me pasë dinarin e Serbisë, qoftë edhe për një regjion ku dominojnë komunat me shumicë serbe”, ka përfunduar ai.
Berisha: Çdo veprim në veri më nuk është veç në domenin e Qeverisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se çdo veprim dhe vendim në veri të vendit nuk është më vetëm në domenin e Qeverisë.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Berisha ka thënë se çdo gjë që bëhet në veri tashmë është cështje edhe e ndërmjetësve ndërkombëtarë.
“Ne kemi mbështetur në vazhdimësi në zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në çdo pjesë të territorit dhe e mbështesim edhe më tutje. Tashmë veç dihet se çdo veprim, çdo vendim, çdo aktivitet në veri nuk është më në domenin e përgjegjësive institucionale vetëm të Kosovës. Gjithçka që bëhet atje, edhe një kamerë po të vendoset atje, është çështje e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të veprimeve dhe vendimeve politike të paharmonizuara me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Berisha ka shtuar se secili vendim i marrë nga qeveria aktuale ka rezultuar me vërejtje nga aleatët ndërkombëtarë.