Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se buxheti dhe blerjet e armëve janë të paracaktuara, nuk janë meritë e pushtetit.
Të mërkurën në debatin mbi problemin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në emisionin “Konfront” të KTV-së, Berisha ka thënë se planifikimi bëhet për 10 vjet, andaj asnjë ministër nuk mund të mburret për blerje të armëve.
“Buxheti është i planifikuar, është në detaje për 10 vjet i planifikuar në bazë të blerjeve e trajnimeve, edhe duke llogaritur shkallën e inflacionit sipas Bankës Botërore. Buxheti, blerjet janë të paracaktuara, stërvitjet gjithashtu, asnjë ministër që vjen tani nuk mund të mburret se ka blerë dronë, apo diçka”, ka thënë ai.
Berisha: Nuk është i njëjtë skandali i Grabovcit me atë të Kusari-Lilës
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e Qeveria nuk mund ta krahasojnë rastin e njohur si “Pronto” me përgjimet mes shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Slavko Simiq.
Ai ka shtuar se atëkohë ishte bërë bisedë mes shqiptarësh, e sot po bisedohet me serbë që urdhërohen nga presidenti serb.
“Ka ndodhë thanë edhe ‘Pronto’. Nuk thojshin u bë sot përgjim, marrëveshje me serbët për t’i përjashtuar veteranët, po kanë bë edhe këta ‘Pronto’. Kanë bë ‘Pronto’ e vërtetë. Adem Grabovci, shefi i shefave ka bë ‘Pronto’. Me kë ka folë, me Hashimin, Kadrinë, Vlorën, Sami Lushtakun, për çka? Për punësime, edhe nepotike po themi, ose të shokëve të luftës. E ka shqyrtuar Gjykata, ka dalë vendimi. Hajde kthehemi te ‘Prontoja’ e re e ‘Zemla-Zemlak’ dhe ‘Brate’ po e quajmë, ka folë Mimoza Kusari me lejen e kryeministrit me Simiqin me leje të Radoiçiqit. Ka dallim të madh me folë shqiptarët, shokët e luftës mes vete për me shti dikë në shkollë a punë, e dallim i madh me folë me Vuçiqin, Radoiçiqin e Simiqin për me lënë kategorinë e veteranëve jashtë Ligjit të pagës minimale”, ka thënë Berisha.
Vite më parë ishin publikuar përgjimet telefonike nga ajo që më pas u quajt afera “Pronto”. 11 protagonistë të saj, me kryesorin që ishte ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, u akuzuan për veprën penale “shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës”. Megjithatë, pas gjykimit nuk është dënuar askush.
Demaku: Pushteti po mbrohet për gjithçka të keqe në këtë vend me togfjalëshin "është luftë hibride"
Opionionistja në “Konfront” të KTV-së, Dafina Demaku, ka thënë se pushteti po mbrohet nga gjithçka e keqe në vend duke e përdorur togfjalëshin “luftë hibride”.
Të mërkurën, Demaku ka thënë se partia në pushtet po e keqpërdor këtë togfjalësh për t’i goditur mediat.
“Përgjatë këtyre ditëve ne e kemi parë që po përdoret sidomos prej pushtetit, krejt kjo që po ndodh në çështjen e problemit të ushqimit të ushtrisë, është që po quhet një lloj “luftë hibride”, pra pushteti po e përdor këtë togfjalësh, po e keqpërdor edhe konceptin e luftës hibride për t’i goditur mediat që kanë raportuar dhe vazhdojnë të raportojnë për këtë problem”, ka thënë ajo.
Demaku tutje ka shtuar se sipas saj, nuk është luftë hibride nëse raportohet për probleme me të cilat përballen institucionet e vendit.
“Nuk është luftë hibride për të raportuar që ka probleme të furnizimit me ushqim, apo që ka probleme me ushqimin FSK-ja. Nuk është luftë hibride për të raportuar për afera të dyshuara korruptive. Pushteti që në startin e tij ka dhënë shenjat e para që gjithçka që do të ndodhë, si tani me çështjen e ushqimit me ushtrinë, do të quhet luftë e armiqve të brendshëm, të jashtëm, luftë hibride”, ka thënë ajo.
Berisha tregon mesazhet e ushtarëve: Pos në kazermën e Prishtinës, në të tjerat ende shërbehet sallam
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se gjendja me ushqimin në kazermat e FSK-së nuk është e mirë. Ai ka lexuar disa mesazhe që thotë se ia kanë dërguar ushtarë të Kosovës.
Berisha ka shtuar se nuk mund të flitet për dinjitet të ushtarit kur mungojnë gjërat elementare për të.
“Një ushtarak që ka shkruar nga një kazermë ka thënë kështu: ‘dy vjet më parë ka qenë e njëjta gjendje me derivate, 70% e aktiviteteve janë reduktu, kemi bajtë naftë me kanta për me dalë në terren’. Ose një tjetër, lexon ‘veshmbathjet që tri vjet s’kemi marrë ushtarët. T’u ble nëpër pazare çizme të përdorura’. Ose ‘është një këshilltar i Shemsi Sylës, ai shkon në kuzhinë në Prishtinë paraprakisht i përgatit disa lloje të ushqimit, i fotografon dhe ën propagandë kinse është në rregull gjithçka’”, ka thënë Berisha.
Ai ka treguar se i është thënë se pos kazermës në Prishtinës, të tjerat nëpër Kosovë e kanë gjendjen me ushqimin keq.
“‘Përveç kazermën e Prishtinës e kanë furnizuar me artikuj ushqimorë’”, ka treguar Berisha mesazhin që i është përcjellë nga një ushtar bashkë me një fotografi që ka thënë se është ajo çka po shërbehet në kazermat e tjera ushtarake, “pak sallam, pak djathë dhe bukë”.