Më shumë se 10 komuna të Kosovës, kanë mbajtur seancat inauguruese ku jepet betimi i kryetarëve të komunave dhe i anëtareve të kuvendit komunal.
Kryetari i Asocicacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se procedurat e pranim dorëzimit të detyrës nga ana e kryetarëve janë të thjeshta, por sipas tij, ata duhet të kenë kujdes të mos kalohet afati i caktuar.
“Në eksperiencën tonë të Asociacionit, nuk kemi pasë ndonjë përvojë të hidhur, kur një kryetar nuk e ka pranuar procedurë e pranim dorëzimit dhe gjithnjë këto procedura janë bërë dhe gjithmonë këto procedura janë bërë me ceremoni solemne me mikpritje”, tha Ibrahimi.
Në Shtime është ndërruar pushteti pas 21 vitesh të qeverisjes nga PDK-ja.
Kryetari i ri, Qemajl Aliu, ka thënë se do ta kontaktojë kryetarin Naim Ismajli sa herë që ka nevojë për ndonjë vështirësi, që mund të ketë gjatë së ardhmes.
“Kryetarit të ri unë i lash një staf të përgatitur shumë profesional, administratën komunale mirë të trajnuar, të përgjegjshëm për punën e tyre dhe gjithashtu një komunë e cila ka qenë në kuptimin e performancës është vlerësuar shumë herë nga institucionet që janë relevante për ta vlerësuar”, tha Ismaili.
“Ne e kishim një takim më shumë formal, ai na njoftoi me hapësirat dhe na i la disa dokumente strategjike me të cilat kanë qeverisur deri më tash, ne normal se do t’i shohim këto por do t’i zhvillojmë edhe strategjitë në harmoni me premtimet tona elektorale që kemi pasur”, tha Aliu.
Betimin për mandatin e ardhshëm e ka dhënë gjatë ditës edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, teksa ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë.
“Unë do jem i gatshëm për këtë sfidë, kam qenë i gatshëm gjithmonë për këtë sfidë, me këtë qëllim edhe kam konkurru dhe dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Deçanit për besimin e dhënë, sidomos dua të falënderoj të gjithë qytetarët e komunës së Deçanit për maturinë dhe përpjekjen që e kanë në politikë, pavarësisht cilit subjekt politik i takojnë”, tha Ramosaj.
Kurse në Ferizaj, para Kuvendit Komunal u betua kryetari Agim Aliu, i cili më pas vazhdoi me vizitë te varrezat e dëshmorëve.
Ndërsa një ditë më parë detyrën e ka pranuar edhe kryetari i Skenderajt e ajo e Graçanicës, ndërsa në Pejë, Gazmend Muhaxheri ka bërë betimin edhe për një mandat të ri, ku edhe është zgjedhur kryesuesi i asamblesë komunale, që u kundërshtua nga LVV-ja e AAK-ja.
Pjesa tjetër e kryetarëve të komunave, që nuk janë betuar ende, kanë publikuar datat e ceremonisë së inaugurimit.