21 vjetori i Epopesë së Dukagjinit i ka bërë bashkë krerët e shtetit në Gllogjan derisa kanë theksuar se 24 marsi i vitit 1999 është ditë historike për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se miqtë më të mirë të vendit mbeten NATO dhe Amerika.
{gallery}
Ai më tutje ka shtuar se nuk ka asnjë gjykate që do të mund t’i bëjë diçka luftës së Kosovës, pasi që ajo ka qenë luftë e pastër, raporton KTV.
“Kot e kanë ata që kanë dashtë me e fëlliq luftën çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq Rifat Jashari, në emër të familjeve të dëshmorëve ka thënë se falë atyre që humbën jetën në luftë, kemi këtë shtet.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në këtë ditë pas fillimit të fuqizimit të rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, dhe familjen Jashari dhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndodhi ajo që pritej të ndodh edhe në Gllogjan.
“Ndodhi ajo që pritej të ndodhte, sepse bërthamat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tanimë ishin fuqizuar, ishin zgjeruar dhe sulmet ishin të pandërprera kundër forcave ushtarake dhe policore të Serbisë”, ka thënë ai.
Thaçi tha se Epopeja e Dukagjinit shënoi një kthesë historike në luftën për liri, çlirim dhe pavarësi.
“Madhështia dhe vlera më e madhe e kësaj date i shtohet kur kemi parasysh se më 24 mars 1999, 20 vite më parë, filluan bombardimet e NATO-s. E, bombardimet e NATO-s dhe kjo aleancë kosovaro-perëndimore nuk është lidhur rastësisht, por pikërisht falë rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencës së çdo qytetari të Kosovës kudo që ka qenë në Kosovë e diasporë, që ndihmuan luftën për liri”, ka theksuar ai.
Duke vlerësuar rezistencën dhe heroizmin e dëshmorëve të lirisë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës, dëshmorët: Agim Ali Selmanaj, Arben Bajram Ahmetaj, Artan Ahmet Mehmetaj, Burim Sadik Mustafaj, Enver Hasan Halilaj, Fatmir Smajl Nimanaj, Hasim Misin Halilaj, Luan Gani Nimanaj, Naim Metë Nimanaj, Orhan Lan Halilaj, Sokol Muzli Sejfijaj, Shpend Zeqë Malaj.
Gjithashtu, Haradinaj edhe sot nuk është përgjigjur rreth presionit të taksës duke thënë se ende nuk është kryer dita.