Arbëri

Begolli: Mosveprimet e institucioneve lejuan degradimin e resurseve ujore

Mungesa e veprimeve nga organet e drejtësisë dhe nga pushteti qendror e lokal, sipas Baton Begollit, ka lejuar degradimin e resurseve ujore në vend. Begolli, i cili është këshilltar në Këshillin Ndërministror për Ujëra, ka thënë se institucionet kanë toleruar veprime të paligjshme siç janë ndërtimet pa leje pranë liqeve, shkatërrimin e brigjeve të lumenjve e shkarkim të ujërave të ndotura në to, duke mos marrë masa ndaj dëmtuesve.

Në intervistë për KOHËN, Begolli ka përmendur edhe shkeljet ligjore që janë bërë në lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve. Rrezikun më të madh e sheh te lejimi i një sërë hidrocentralesh në lumin Lepenc nga po e njëjta ministri që kishte aplikuar në të njëjtën kohë për studimin e fazës së dytë të projektit Ibër-Lepenc, që është projekt jetik për Kosovën. Edhe pse ndërtimin e digave në kuptimin mjedisor e konsideron “vrasje e lumenjve”, ai thotë se ato duhet të ndërtohen kur nuk ka rrugëdalje tjetër.

KD: Sa është e pasur Kosova me resurse ujore dhe cila është gjendja e tyre?

Begolli: Kosova është nga shtetet me mungesë të ujërave në dispozicion. Konsiderohet shtet me stres ujor. Vetëm 10 për qind e ujërave vijnë nga jashtë – konkretisht nga pellgu i Ibrit që buron në Mal të Zi, futet pjesërisht nga Serbia dhe del prapë në Serbi. Të gjitha ujërat e tjera burojnë në Kosovë, e që do të thotë varen nga reshjet atmosferike. Krahasimisht me rajonin, Kosova fatkeqësisht ka më pak reshje, 41 për qind të mesatares rajonale. Prandaj nuk është çudi që në rajon ne kemi më së paku ujë për kokë banori. Në fakt, kemi vetëm 16 për qind ujë të mesatares së rajonit. Mesatarja rajonale është 9.805 m3/banor/vit, ndërsa Kosova ka 1.600 m3/banor/vit. Ndonëse kjo figurë varion në disa studime të ndryshme, prapë se prapë asnjë vlerësim nuk e qet Kosovën as në pozitën e dytë në rajon. As me deponim të ujërave në akumulime nuk qëndrojmë mirë. Uji i akumuluar për kokë banori është 300 m3 në krahasim me 799 m3 sa është mesatarja në rajon, pra vetëm 37 për qind e rajonit! Me ndryshimet klimatike që po i vërejmë gjithnjë e më shumë, deri më 2050 pritet që stresi ujor të rritet për 71 për qind ose të themi më mirë disponueshmëria me ujë të bjerë për 20 për qind dhe kjo është më e shprehur në pellgjet e Ibrit, Lepencit dhe Moravës së Binçës.

KD: Sa janë alarmuese këto të dhëna dhe çfarë duhet të ndërmarrin institucionet?

Begolli: Këto të dhëna patjetër që shërbejnë në një orientim më strategjik drejt menaxhimit të resurseve ekzistuese dhe planifikim për zhvillimin e resurseve të reja. Domethënë, të japin të kuptosh që nuk mundemi t’i qasemi këtij sektori me një qasje të pjesshme, pa shikuar gjithë sektorin dhe ndikimin e këtij resursi në politika zhvillimore. Është sektor determinues në të gjitha politikat zhvillimore të shtetit. Prandaj, obligohemi të kthejmë ligjshmërinë në këtë sektor dhe të ruajmë resurse ekzistuese nga veprimet e dëmshme, qoftë ndërtimet në zonat e mbrojtura ujore, qoftë shkatërrimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve, ndotja e tyre, rrezikimi i ujërave nëntokësore, e shumë e shumë veprimtari që fatkeqësisht janë toleruar, me, nuk e di çfarë kushllusi të rezonimit.

KD: Cilat do të ishin projektet që duhet të kenë fokus institucionet e që do të rrisin kapacitetet ujore në vend?

Begolli: Duhet të mbrohen së pari resurset ekzistuese dhe njëkohësisht duhet të rritet intensiteti për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura urbane, si dhe ndërtimi i akumulimeve të reja, aty ku ka nevojë dhe me arsyeshmëri, e jo aty ku dëshirojnë njerëzit që t’i bëjnë vetës një liqe rekreativ. Akumulimet i bëjmë prej zori e jo për qejf. Ndërtimi i digës në kuptimin mjedisor është një lloj vrasje e lumit. Pra, nëse e bëjmë, e bëjmë se nuk kemi rrugëdalje tjetër e edhe këtu synojmë shumë funksionalitet të akumulimit. Pra, mundësisht akumulim që siguron ujë për amvisëri, industri, bujqësi, hidroenergji (nëse ka potencial), menaxhim të përmbytjeve. Fatmirësisht Qeveria është duke iu qasur këtyre dy sfidave në mënyrë proaktive dhe veçse kanë nisur procedurat, konkretisht studimet përgatitore, për digat në Dardanë dhe Firajë, si dhe studimet e fizibilitetit për digat në Dragaqinë, Kuçicë dhe Pollatë.

KD: Kemi parë ndërtime të shumta pa leje në afërsi të liqeneve dhe lumenjve. Sa kanë bërë institucionet në ndalimin e këtyre veprimtarive të jashtëligjshme?

Begolli: Nuk kanë bërë asgjë që meriton të përmendet, fatkeqësisht. Po shpresoj i vjen rendi së shpejti trajtimin të këtij problemi serioz. Çdo veprimtari në zonën e parë të resursit ujor është strikt i ndaluar, pos nëse ka të bëjë me marrjen e ujit për përdorim, dhe plot veprimtari janë të ndaluara edhe në zonën e dytë. Kurse ne sot akoma flasim a bën a jo të ndërtohen lagje në zonat e dyta të mbrojtura ujore, p.sh. në Badovc a Batllavë, se le më për restorante buzë lumenjve siç janë te burimi i Drinit të Bardhë dhe po thuaj të gjitha lumenjve. Korniza ligjore ekziston, ligji është i qartë, por kryesisht mungon veprimi për zbatimin e ligjit në këtë pikë. Ka edhe një mungesë të veprimit nga institucionet e tjera, si prokuroria, gjyqësori, policia, komuna..., pra nuk është vetëm problem i një niveli apo x ministrie.

KD: Çfarë dëmesh kanë shkaktuar hidrocentralet dhe si e shihni ju ndërtimin dhe funksionimin e tyre?

Begolli: Dëmi i parë është shpërfillja e obligimeve ligjore si p.sh. fitimi i së drejtës ujore pa konkurrencë siç e parasheh ligji. Janë dhënë leje ujore, një instrument i dedikuar për shfrytëzim publik të resurseve ujore në vend të koncesionit që jepet për shfrytëzim komercial të resursit ujor që është në pronësi të shtetit. Mungesa e zbatimit të ligjit siç duhet ka cunguar konkurrencën e që përmes saj sigurohen kushtet më të mira të shfrytëzimit të ujit, si dhe pagesën koncesionare për përdorim komercial të një pasurie shtetërore për qëllime afariste. Mandej nuk është marrë parasysh prurja minimale ekologjike që është obligim për jetën e një lumi dhe botës së gjallë akuatike. Disa janë lejuar të ndërtohen në zona të ndjeshme natyrore që ndalohen strikt. Nuk është siguruar shtegu i peshqve në plot nga to. Ka segmente të tëra të lumit që janë futur në gyp! Ka pasur degradime mjedisore të egra siç është Zalli i Rrupës në Deçan. Ka dëme në ekonomitë familjare, etj. Të gjitha këto arsye reale për ndalimin e menjëhershëm të këtyre veprimeve të egra për interesa të disa zaptuesve të pasurisë publike.

Por, personalisht rrezikun më të madh e shoh te lejimi i një seri hidrocentralesh në lumin Lepenc nga po e njëjta ministri që ka aplikuar në të njëjtën kohë për studimin e fazës së dytë të projektit Ibër-Lepenc, që është projekt jetik për Kosovën. Me ndërtimin e digës së Firajës, vitale për ne, do të përmbytet vepra marrëse e njërit nga hidrocentralet atje, si dhe do të përmbytet një hidrocentral. Plot do të jenë poshtë digës, që do të thotë nuk do të kenë ujë. Këto i kanë ditur ata që i kanë lejuar.

KD: Një raport i Ministrisë ka vërejtur shkelje dhe mangësi të shumta në lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve. Por, si i shihni veprimet e institucioneve në raport me këto shkelje?

Begolli: Janë duke u shqyrtuar të gjitha procedurat. Grupi punues e ka konstatuar pa pikë dyshimi që e drejta ujore për secilin hidrocentral ka qenë i jashtëligjshëm, si dhe ka identifikuar një mori shkeljesh procedurale dhe administrative, si dhe dëmesh mjedisore. Ministria është duke i trajtuar këto dhe duke tentuar të gjejë zgjidhje afatgjate.

KD: Ka disa fshatra që ende nuk kanë sistem të ujësjellësit. Ka pasur premtime të partive politike për zgjedhjen e këtij problemi, por kur ka ardhur partia tjetër në pushtet nuk kanë bërë zgjidhjen. Si i shihni ju këto lidhjet politike me sigurimin e ujit për banorët?

Begolli: Është shumë e pasinqertë me i vesh petk politik sektorit të ujërave. Kemi qenë të shkarkuar nga ky preokupim. Ka pasur parapëlqime elektorale ndoshta, ka keqpërdorime e ka hapësirë për shumë kritika gjithnjë me synim të përmirësimit të përgjithshëm të sektorit, por me dëgju që filan veprimi po bëhet për qëllim politik – të paktën prej kësaj kemi qenë të kursyer. Shpresoj partitë e kursejnë sektorin nga ky etiketim.

Sa i përket furnizimit me ujë, më vjen mirë me cek se ne kemi gjendjen më së miri në rajon. Këtë nuk e themi ne, por programet rajonale që bëjnë këso krahasimesh. Kjo është gjendja te ne sot sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, e bazuar në të dhënat e Rregullatorit për Shërbime të Ujit dhe një projekt zvicerano-kosovar për sistemet rurale: 89.63% të vendbanimeve kanë qasje në ujësjellës, 4.56% të tyre janë në proces të ndërtimit dhe 5.47% nuk kanë qasje në ujësjellës.

Duhet cekur që deri në fund të vitit 2022, kur përfundon projekti zvicerano-kosovar, pritet që kjo gjendje të përmirësohet dhe të kemi deri në 95% mbulueshmëri me ujësjellës. Por siç u tha jo krejt po menaxhohen nga ujësjellësit e që ishin dashtë dhe jo krejt po bëjnë lidhjen në rrjet e që prapë ishin dashtë. Na thonë nuk kemi ujë shpesh – i pyesim a keni rrjet dhe a jeni lidhur në të. Na thonë po, por nuk ka ujë, d.m.th nuk janë kyçur. E tash nëse unë ta sjelli trafon e rrymës a konsiderohet që ke rrymë në fshat edhe pse ti nuk lidhesh. Por ka edhe një problem, shpesh e sidomos në fshatrat që janë të lidhur në sistem publik të KRU-ve ka keqpërdorime të mëdha për ujitje, me ujë të pijshëm! Prandaj, kompanitë po obligohen me ndërpre furnizimin sidomos në kohë thatësie. Nuk ujitet me ujë të pijshëm, por ja që akoma po duhet me thënë këtë.

KD: Përveç bërllokut në shumë lumenj të Kosovës derdhen kanalizimet. Si e shihni mungesën e impianteve dhe si e vlerësoni punën e institucioneve në këtë drejtim?

Begolli: Ka lëvizje pozitive në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura urbane. Gati të gjitha kryeqendrat janë të mbuluara. Kemi impiante veçse në funksion në Skenderaj, Prizren, Junik. Gati janë impiantet në Pejë dhe në Gjakovë. Kanë filluar impiantet për Gjilan, Mitrovicë dhe Prishtinë me Fushë-Kosovë e Obiliq e Graçanicë. Jemi duke lobuar edhe për Ferizaj dhe Podujevë e përtej. Gjithashtu, kemi disa impiante rurale operative ose në përfundim siç janë: Harilaq, Mramor, Skivjan, Kuk/Kosavë, Kukajan, Vrellë/Medevc, Hallaq i Madh, Kramovik, Volljak, Marmull, Terrnavc, Banja e Pejës dhe Orllan.

Problem janë ndotjet industriale. Këtu ka hapësirë për të vepruar më shumë dhe të obligohen industritë që të trajtojnë ujërat industrial që shkarkohen në resurset ujore, por edhe së paku t’i paratrajtojnë ato që shkarkohen në kanalizim publik, e jo të gjitha lejohen të shkarkohen në kanalizim publik, ku paraprakisht vendos kompania rajonale e ujësjellësit.

KD: A kemi ligje të mjaftueshme dhe strategji për mbrojtjen e resurseve ujore dhe ku po çalon Kosova në këtë aspekt?

Begolli: Ekziston strategjia e ujërave, por që duhet të rishikohet çdo 5 vjet e që i bie sivjet. Kemi masterplanin e ujitjes, kemi planet investive afatgjate nga kompanitë e ujësjellësve, si dhe planet për menaxhimin e thatësive nga to. Jemi në proces të hartimit të planeve të pellgjeve lumore, obligim ligjor që ka qenë i pa trajtuar me vite, si dhe jemi duke pritur nisjen e një plani për zhvillimin e akumulimeve të reja, sepse deri më tani jemi bazuar në masterplanin e viteve ‘80. Korniza ligjore është bukur shumë e kompletuar, por që gjatë punëve kemi vërejtur që ka hapësirë për plotësim të disa zbrazëtirave ligjore.

Çalimi kryesor ka qenë në zbatimin e ligjit, por edhe në ngritjen e organit kryesor për resurse ujore në një agjenci ekzekutive siç e kërkon ligji, por edhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Çalim tjetër është plotësimi i stafit, sidomos me profesionistë të rinj. Jemi duke u ballafaquar me projekte që vijnë njëherë në jetë. Është me interes për ne që zhvillojmë kapacitete vendore e të mos bëhemi rob i asistencave teknike për gjëra që plot shtete kanë arritur t’i bëjnë me kapacitete vetjake. Ne akoma kemi kuadro deficitar. Fokusi ynë duhet të jetë në këtë drejtim në vazhdimësi.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.