Baton Begolli këshilltar në Këshillin Ndërministror për Ujërat, ka thënë se Kosova nuk ka ujë të mjaftueshëm në dispozicion për përmbushjen e kërkesave dhe në një situatë të tillë duhet të anulohen projektet që dëmtojnë resurset ujore.
Ai thotë se Kosova ka nevojë për më shumë ujë duke shtuar se në këtë periudhë të thatësisë e bënë më të rëndësishme që këto resurse të mbrohen dhe të fokusohemi që të shtojmë resurset e reja.
“Iber Lepenci është dashur të zhvillohet por me zhvillimin urbanistik të Shtimes tashmë është e pamundur të ndërtohet një digë për shkak të ndërtimeve”, thotë ai.
Begolli në Express Intervistë të KTV-së thotë se përmes një studimi janë duke u shqyrtuar mundësitë ku mund të ndërtohen diga, por sipas tij, ndërtimi i tyre merr më shumë se 10 vjet, duke shtuar se duhet të ruhen resurset e tanishme ujore.
Ai ka thënë se shpreson që ideja e ndërtimi të një lagjeje në Badoc të mos realizohet kurrë.
Begolli thotë se është i prirë të besoj që nuk ka pëlqim nga institucionet për ndërtimin e lagjes.
“Jashtë ka shembuj të tillë, por ne nuk jemi si ata sepse ata kanë kushte tjera dhe nuk duhet të merren shembuj të tillë. Nuk ka të bëjë me biznese, sepse jemi buzë një rezervuari që është për destinim. Unë nuk e di pse po diskutohet. Presioni është i mirëseardhur dhe i nevojshëm. Unë jam mese i entuziasmuar për këtë reagim. Besoj që një i tillë të bëhet edhe për probleme tjera. Në fakt është edhe pompa e benzinës e cila e rrezikon jashtëzakonisht Badovcin”, ka thënë ai.
Ai thotë se problem tjetër është edhe trajtimi i ujërave të zeza.
Sipas tij nëse lejohet të ndërtohet një lagje në Badoc do të krijohet precedent për ndërtimin e të tjerave.
Ndërkaq për Batllavë dhe ndërtimet afër liqenit ai ka thënë se planifikohet lagje në Batllavë duke përmendur gjithashtu edhe ndërtimin e restorantit në Radoniq.
“Këto duhet të kuptohen thjeshtë sepse nuk kemi ujë. Nëse këto që i kemi nuk i ruajmë krijojmë precedent për ndërtime të tjera”, ka thënë ai.
Sipas tij edhe ndërtimet në Batllavë e dëmtojnë liqenin.
Begolli thotë se Ministria e Mjedisit e ka pasur mangësinë tek ndryshimi i ministrave.
Ai thotë se buxheti i kësaj ministrie më shumë shkon në shpronësim se sa në mjedis, duke shtuar se merret më shumë me punë që s’i takojnë.
Sipas tij fokusi nuk ka qenë në ruajtjen e resurseve.
“I kemi kërkuar Bankës Botërore që para çfarëdo kredie të bëhet një studim anë e mbanë Kosovës në mënyrë që të dimë çfarë na duhet”, ka thënë ai,
Ai tutje shton se ka qenë në vazhdimësi kritik edhe për ndërtimin e hidrocentraleve.
“Ka hidrocentrale që janë miqësore me ujin dhe mjedisin. Çka ne heqim me kuptu është pse lejohet ende ndërtimi i tyre. Nuk besoj që me këtë trend do të zhduken lumenjtë. Ka pas presion për lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve. Ne kemi kërkuar sqarim nga ministria dhe na është thënë se do të veprojmë sipas ligjit. Nëse veprojmë sipas ligjit ne nuk do të duhej t’i lejonim ndërtimin e hidrocentraleve”, ka thënë ai tutje.
Ai thotë se beson që një iniciativë e tillë qytetare për kundërshtim, nuk do të kalojë pa ekfet.
“Nuk ka politikan me mend në kry që duhet me leju një gjë të tillë. Por duhet të trajtohen edhe ndërtimet e tjera, si popma e benzinës, restoranti në Radoniq, planifikim i ndërtimit të lagjes në Batllavë”, ka thënë ai.