Arbëri

Begaj: Akti i organizuar kriminal në veri, cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë thirrje për komunitetin ndërkombëtar që të reagojë për sulmin e rëndë ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku një zyrtar policor ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë të lënduar.

Begaj ka thënë se ky akt i organizuar kriminal është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Kosovës.

Ai më tej ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët. Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës”, ka shkruar Begaj në Facebook.