Flet Stano

BE: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

“Çështja e Asociacionit është një prej çështjeve më kryesore dhe më urgjente. BE-ja por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë ishim shumë të qartë dhe mbetemi shumë të qartë ndaj autoriteteve të Kosovës se duhet ta zbatojnë, sepse dështimi që ta bëjnë një gjë të tillë do të sjellë pasoja”, ka thënë të premten zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, teksa ka shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për Marrëveshjen e Ohrit

Bashkimi Evropian ka thënë të premten se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër çështjet më kryesore dhe më urgjente, përderisa u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun, të cilin blloku evropian e ndërmjetëson që prej vitit 2011.

I pyetur se çfarë mund të bëjë BE-ja për ta bindur Kosovën që ta themelojë Asociacionin në 11-vjetorin e arritjes së marrëveshjes së parë midis Kosovës e Serbisë lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka paralajmëruar se Kosova do të përballet me pasoja në rast se nuk e zbaton atë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur për herë të parë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas edhe më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Në fund të vitit të shkuar bashkësia ndërkombëtare ua ka paraqitur palëve një draft për statutin që do të ketë ky asociacion. Palët fillimisht kanë thënë se e pranojnë këtë draft në parim, porse nuk kanë bërë asnjë hap përpara.
“Çështja e Asociacionit është një prej çështjeve më kryesore dhe më urgjente. BE-ja por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë ishim shumë të qartë dhe mbetemi shumë të qartë ndaj autoriteteve të Kosovës se duhet ta zbatojnë, sepse dështimi që ta bëjnë një gjë të tillë do të sjellë pasoja”, ka thënë Stano, teksa ka shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për Marrëveshjen e Ohrit.

Më 27 shkurt të 2023-s, Kosova e Serbia kanë arritur në Bruksel Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër është arritur pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Por, Brukseli zyrtar ka akuzuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjeve.

“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar [nga BE-ja] janë dokumente të vlefshme dhe detyrime të palëve. Ato duhet të zbatohen. Dhe këtë po e përsërisim para palëve”, ka theksuar Stano të premten.

Stano ka përsëritur gjithashtu se zbatimi i marrëveshjeve është i lidhur me përparimin e Kosovës dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Nëse palët nuk i zbatojnë obligimet e tyre, atëherë do të ketë pasoja serioze. E të vetmit që do t’i ndiejnë këto pasoja do të jenë njerëzit, të cilët ata pretendojnë se po i mbrojnë. Të vetmit pra që do të paguajnë çmimin për moszbatimin e obligimeve në dialog do të jenë qytetarët në Kosovë dhe në Serbi”, ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së.

Burimet brenda BE-së vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se të dyja palët “kanë dështuar seriozisht” në zbatimin e detyrimeve nga dialogu. Sipas këtyre burimeve, Kosova mban përgjegjësi të madhe pse nuk ka pasur lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa shqetësues është vlerësuar edhe refuzimi i Serbisë për t’i zbatuar disa detyrime nga Marrëveshja e Ohrit.