Bashkimi Evropian e ka kualifikuar shkelje të qartë të Marrëveshjes së Ohrit sjelljen e Serbisë në Këshillin e Evropës, kur zyrtarë të saj thanë se kanë ndikuar që të hiqet nga rendi i ditës ftesa që Kosova të bëhet mysafire speciale në një Komitet politik të Asamblesë së këtij Këshilli. Një zëdhënës i BE-së tha se Serbia ka obligime të qarta për të zbatuar të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër, që e përfshin edhe mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian ka vlerësuar se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur në mënyrë të qartë Marrëveshjen e arritur mes Serbisë dhe Kosovës për rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Këtë e ka thënë një zëdhënës i Bashkimit Evropian, duke u përgjigjur në pyetjet rreth prononcimeve nga Serbia se ata kanë arritur që ta heqin nga rendi i ditës ftesën për Kosovën si mysafire speciale në një Komitet politik të Asamblesë së Këshillit të Evropës.
Presidentja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e kishte quajtur këtë si sukses të madh dhe fitore të madhe të Serbisë, dhe si dëshmi se si luftohet për interesat e atdheut.
Mirëpo në BE thonë se Serbia ka obligime të qarta për të zbatuar të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër.
“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është qartë shkelje e marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke rikujtuar se pika 4 e kësaj marrëveshjeje flet për mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Nuk është hera e parë që Serbia thotë se po e pengon anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare dhe se ajo vazhdon të bëjë lobim për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Kjo, sipas shumë diplomatëve evropianë, shkon kundër frymës së normalizimit të raporteve.
Kosova ka pasur rast në vitin e shkuar që të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës mirëpo Kosova nuk i kishte përfillur disa kërkesa të disa vendeve anëtare, sikur ajo që ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Edhe pse asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës me shumicë të madhe të votave kishte rekomanduar anëtarësimin e Kosovës, vendet anëtare e kanë hequr nga rendi i ditës nga takimi i Këshillit të ministrave, kur është dashur të votohej për këtë çështje.