Arbëri

BE: Masat ndaj Kosovës kanë nisur, Qeverisë iu komunikuan qysh të mërkurën

Kosova - Bashkimi Evropian

Foto: Ilustrim

Ndonëse në BE nuk përdoret termi sanksione, masat janë sanksione në kuptimin e plotë të fjalës, ngase me to suspendohen takimet e komisioneve të përbashkëta, suspendohen programet e IPA-s e pezullohen edhe hapat për shqyrtimin e projekteve që ka dorëzuar Kosova për financim nga Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor

Sanksionet ndaj Kosovës, të cilat së pari i kishin propozuar lehtësuesit e dialogut, tashmë kanë hyrë në fuqi dhe po zbatohen ndërsa formalisht u janë komunikuar autoriteteve të Kosovës qysh të mërkurën e 28 qershorit, kanë konfirmuar të shtunën në selinë e Bashkimit Evropian (BE).

Konfirmimi nga BE-ja është bërë të shtunën në mbrëmje, si përgjigje në pyetjet e drejtuara nga mediat se kur do të komunikohen këto masa.

Sanksionet që janë ndërmarrë me një shpejtësi të paparë deri më tash në BE nuk përbëjnë ndonjë befasi, pasi që për to është njoftuar në opinion disa herë. Së pari ato i kishin parashikuar pjesëtarët e ekipit të emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një takim të një grupi punues, ku janë vendet anëtare të BE-së. Ato i kishte paralajmëruar edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ndërsa që të gjitha i kishte shpalosur publikisht të martën drejtori i përgjithshëm në drejtorinë për zgjerim të Komisionit Evropian, Jan Copman, duke folur para deputetëve së bashku me të dërguarin Lajçak. Copman dhe Lajçak ishin kritikuar ashpër pse nuk po përmendin asnjë masë specifike ndaj Serbisë, por vetëm ndaj Kosovës.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në diskutimin në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian pati thënë se “më vonë gjatë javës do të komunikohen masat ndaj Kosovës”. Por deri të shtunën, nga BE-ja nuk ishin përgjigjur nëse janë komunikuar ato apo jo dhe se në çfarë mënyrë do të komunikohen.

Nëse është e vërtetë ajo që thonë në BE, atëherë as Qeveria e Kosovës nuk ua ka komunikuar mediave dhe opinionin se është njoftuar edhe formalisht për këto sanksione.

Ndonëse në BE nuk përdoret termi sanksione, masat janë sanksione në kuptimin e plotë të fjalës ngase me to suspendohen takimet e komisioneve të përbashkëta, suspendohen programet e IPA-s dhe pezullohen edhe hapat për shqyrtimin e projekteve që ka dorëzuar Kosova për financim nga Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Fjala “sanksione” në fakt asnjëherë nuk përmendet formalisht në BE, por vetëm “masa” apo “masa restruktive”.

Masat janë arsyetuar nga BE-ja me vlerësimin se “autoritetet e Kosovës akoma nuk i kanë ndërmarrë hapat që janë kërkuar prej tyre për uljen e tensioneve në veri”.

Sanksionet, të cilat i ka konfirmuar të shtunën një zëdhënës i BE-së, përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Do të pushohen njashtu edhe programet për Kosovën nga IPA 2024 dhe nuk janë dorëzuar para bordit për shqyrtim më 29 dhe 30 qershor propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Masat kanë nisur të zbatohen edhe para komunikimit të tyre formal.

Ndonëse Borrelli dhe zyrtarët e BE-së thonë se këto masa janë mbështetur nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, nga diplomatët e disa vendeve është dëgjuar se mendimi se masat “nuk janë të balancuara” dhe se “institucionet e BE-së duhet të kenë kujdes që të kenë qasje të balancuar, pasi nuk mund të fajësohet vetëm pala kosovare, edhe pse ajo për tensionet e fundit e mban përgjegjësinë kryesore”.

Në BE thonë se masat janë “të përkohshme dhe mund të hiqen”, porse kjo do të varët nga zhvillimet në terren dhe nga veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në funksion të shtensionimit të situatës.

Deri më tash, nuk është përmendur asnjë masë konkrete e mundshme për Serbinë. Nga lehtësuesit, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, vendeve anëtare u është thënë se “Serbia ka bërë hapa për uljen e tensioneve”. Sa i përket Beogradit zyrtar, në BE deri më tash kanë thënë vetëm se “edhe Serbia duhet që t’i përmbushë obligimet e saj”, por për dallim nga Kosova, për Serbinë nuk është përmendur dhe as që përmendet ndonjë masë specifike.

“Ne po e monitorojmë edhe sjelljen e Serbisë dhe po e mbajmë mundësinë që edhe ndaj asaj të merren masa, nëse nuk sillet sipas pritjeve për deeskalim të situatës”, thonë në BE.

Burimet diplomatike në BE thonë se po bashkëpunojnë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ndërmarrjen e masave ndaj Kosovës, ndërkohë që e përshëndesin dhe ndihmën që Shqipëria po e ofron në përpjekjet për “t’i dërguar sinjal të qartë Kosovës edhe nga partnerët në rajon”.