Arbëri

BE: Kosova me veprime të njëanshme po nxit tensione dhe injoron koordinimin me aleatët

Bashkimi Evropian Kosova flamur

Foto: Driton Paçarada

E përditësuar 14:16 - Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër ndaj operacionit të policisë së Kosovës ndaj ndërtesave të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit, duke e quajtur këtë si dëshmi se Kosova “u jep prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët”. Kjo thuhet në një komunikatë të lëshuar në emër të BE-së nga zëdhënësi i saj për politikë të jashtme dhe siguri Peter Stano.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, thuhet në këtë komunikatë. “Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre objekteve pa një paralajmërim dhe pa koordinim vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, në të cilin po ashtu u shqyrtua  çështja e  objekteve të Bankës Postare Kursimore, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit ndërsa edhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës për arritjen e normalizimit të raporteve përmes dialogut”.

Sipas kësaj komunikate, zëdhënësi i BE-së thotë se kjo dëshmon sesi  veprimet e pa koordinuara të njërës palë e vënë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve në rrezik.

“Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu dëmton negociatat që janë duke vazhduar për arritjen e një zgjidhje të përkohshme për njerëzit e goditur negativisht  nga rregullorja e Bankës Qendrorë të Kosovës për operacionet me para. Në mungesë të vazhdueshme të një alternative të qëndrueshme kjo do të ketë pasoja negative për Serbët e  Kosovës dhe komunitetet tjera që pranojnë transfere financiare nga Serbia”, thuhet këtu.

BE-ja përsërit edhe qëndrimin e shprehur disa herë më parë se statusi i strukturave paralele, të cilat BE-ja i quan “struktura të mbështetura nga Serbia” duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në fund të komunikatës, BE-ja i fton Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen tryezës së dialogut dhe të pajtohen për propozimin e fundit të  lehtësuesit të BE-së Miroslav Lajçak i cili, sipas BE-së, do të  mundësonte përfituesit të cilët pranojnë transfere nga Serbia që të vazhdojnë t’i marrin ato.
 


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka cilësuar të padobishme aksionin e Policisë së Kosovës në veri të hënën, për mbylljen e gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore.

Në një konferencë për media të martën, Stano ka thënë se Bashkimi Evropian do të dalë me reagim së shpejti për ngjarjen.

“Ka qenë ngjarje shumë e padobishme. Reagimi jonë zyrtar do të lëshohet herët pasdite”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës ka mbyllur të hënën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Në to u konfiskuan rreth 1.6 milionë euro.

Përmes Bankës Kursimore distribuohen pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.

E aksioni u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb. 

Sipas rregullores së BQK-së, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm euro.

Ndaj aksionit reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që e cilësoi veprimin si përshkallëzues të tensioneve. 

E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se çdo veprim ka qenë i bazuar mbi ligjshmërinë.


Britania e shqetësuar me aksionin e djeshëm të policisë, bën thirrje për koordinim

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka shprehur shqetësimin për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në veri, ku janë mbyllur gjashtë zyra të Bankës Postare Kursimore të Serbisë. 
Policia në koordinim me Agjencinë Tatimore të Kosovës sekuestroi rreth 1.6 milionë euro. 

“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe e bëjnë më të vështirë arritjen e një zgjidhje afatgjate për çështjen e valutës në Kosovës. Ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës t’i koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë më konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet e tilla”, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike në Kosovë të postuar në Facebook.