Arbëri

BE-ja u del në mbrojtje strukturave ilegale të Serbisë në Mitrovicën e Veriut

Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka reaguar kundër vendimit të autoriteteve komunale në Mitrovicë të Veriut për ta kërkuar lirimin e objektit komunal në Lagjen e Boshnjakëve që shfrytëzohet nga institucionet e Serbisë. Zëdhënësi Peter Stano theksoi se vendimi është në kundërshtim me përpjekjet për shtensionimin e situatës në veri. Ai, ndërkaq, përsëriti kërkesën për bashkëpunim dhe koordinim në të gjitha vendimet

Në kohën kur liderët e institucioneve të Kosovës bëjnë thirrje për Bashkimin Evropian (BE) që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi thonë se Kosova po i përmbush obligimet nga aranzhimi për hapat për uljen e tensioneve, nga BE-ja ka ardhur edhe një kritikë për një veprim të cilin e quan të jetë në kundërshtim me përpjekjet për uljen e tensioneve.

Fjala është për vendimin e fundit të administratës së Komunës të Mitrovicës së Veriut për të kërkuar që nëpunësit të cilët punojnë nën administratën e Serbisë t’i lirojnë objektet komunale.

Bashkimi Evropian, përmes zëdhënësit për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, Peter Stano, thotë se ky vendim shkon në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkon që këto çështje të adresohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin që mund ta ketë në situatën e sigurisë vendimi i fundit i administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, me të cilin, ndër të tjera, kërkohet që subjektet e udhëhequra nga Serbia të lirojnë hapësirat e tyre, në rast se nuk paraqesin me kohë dokumentacionin e kërkuar”, ka thënë zëdhënësi Stano.

Stano ka përsëritur kërkesat që të ketë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë për të gjitha veprimet në Kosovë, të cilat mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të saj.

Ai i ka përsëritur kërkesat që të ketë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, dhe që kjo çështje të adresohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë zëdhënësi Stano.

BE-ja për një kohë të gjatë kërkon që sa më shpejt dhe pa vonesa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Zëdhënësi i BE-së edhe kësaj radhe ka përsëritur qëndrimet e shprehura më herët të BE-së se në zgjedhjet e fundit komunale në veri të Kosovës, ani pse ishin në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes së vogël në votime, nuk është siguruar një zgjidhje afatgjatë. Prandaj ka përsëritur kërkesën që sa më shpejt në Kosovë të ketë zgjedhje lokale në katër komunat e veriut dhe në to pa parakushte të marrin pjesë qytetarët me përkatësi serbe.

Reagim për rastin pati edhe nga Ambasada amerikane në Kosovë. Në një përgjigje për REL-in të mërkurën, nga kjo ambasadë thanë se vendimi nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare e as në përputhje me kërkesat për mosndërmarrjen e veprimeve që mund ta përshkallëzojnë situatën.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, thuhet në përgjigje.

Në objektin komunal në Lagjen e Boshnjakëve janë të akomoduara katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë, përfshirë Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendrën për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarkun Administrativ të Mitrovicës së Kosovës.

Tensionet në veri u ngritën kur qytetarët serbë kundërshtuan me protesta vendosjen në objekte komunale të kryetarëve të rinj joserbë, të zgjedhur nëpërmjet zgjedhjeve të 23 prillit, që u bojkotuan nga popullata lokale me thirrje të Listës Serbe.

Deri në fund të majit, në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok kanë funksionuar edhe komunat sipas sistemit serb. Vetëm në Mitrovicë të Veriut ekziston një objekt i veçantë komunal që vepron nën sistemin e Kosovës dhe aty nuk ka pasur protesta.