Zyrtarë të Bashkimit Evropian konfirmuan se bazuar në testimet që ia patën bërë urës kryesore mbi Ibër, ajo ka qenë e gatshme për qarkullimin e automjeteve qysh në përfundim të punimeve në vitet 2017-2019. Tek e cilësuan vendim të njëanshëm paralajmërimin e Qeverisë për hapjen e saj, në BE thanë se ritestimi i qëndrueshmërisë së urës nuk përbën shkelje të marrëveshjeve të Brukselit
Testimet të cilat ia bëri Qeveria e Kosovës urës qendrore mbi Lumin Ibër janë kryer edhe nga Bashkimi Evropian, kanë konfirmuar zyrtarë të Brukselit.
BE-ja e pati marrë përsipër rivitalizimin e urës, mbështetur në marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe testimet e qëndrueshmërisë, siç thanë zyrtarët e saj, janë kryer sipas standardeve të Kosovës dhe të bllokut evropian.
“Punimet e BE-së për rinovimet në urë u zhvilluan në vitet 2017-2019. Në përfundim të këtyre punimeve, ura ishte gati për t’i bërë ballë qarkullimit të automjeteve në përputhje me standardet e BE-së dhe të Kosovës”, u tha nga BE-ja.
Ndonëse e cilësuan veprim të njëanshme paralajmërimin e Qeverisë për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve, në BE thanë se testimet e bëra nga Qeveria e Kosovës nuk janë në kundërshtim më marrëveshjet e Brukselit.
Edhe në Qeveri deklaruan se më 2019 pati një vlerësim nga Bashkimi Evropian se punimet në urë kanë përfunduar dhe se ajo duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve, pa vonesa apo pengesa të mëtejme.
Në kuadër të aranzhimeve rreth hapjes së urës, në Bruksel palët patën arritur dakordim tjetër për definimin e kufijve kadastralë mes Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.
Por në BE nuk treguan nëse hapja e urës ndërlidhet edhe me finalizimin e kësaj çështje.
E përfaqësues komunalë në Mitrovicën e Veriut thanë se partia që ka drejtuar këtë komunë – Lista Serbe – e pati kushtëzuar hapjen e urës edhe me caktimin e kufijve kadastralë.
“Prej asaj kohe nuk ka pasur ndonjë zhvillim. Tani është punë e dy kryetarëve, Bedri Hamza dhe Erden Atiq, që t’i marrin hapat konkretë, sepse me planin e Ahtisaarit nuk janë ndarë ende kufijtë. Sidomos pjesa e Suhodollit është pikëpyetje, sepse në statut ekziston edhe në pjesën veriore, edhe atë jugore si territor i dy komunave”, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin.
Ani se Ligji për kufijtë administrativë thotë se “kufiri në mes të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut do të jetë vija e përcaktuar që do të kalojë nëpër zonën kadastrale të Suhodollit”, kjo ishte kundërshtuar nga ish-kryetari dhe udhëheqja e Mitrovicës së Veriut.
Në diskutimet që u patën zhvilluar nëntorin e vitit 2016, veriorët pretendonin se Suhodolli i takon Mitrovicës Veriore dhe se nuk mund të jetë vija ndarëse, tek patën kërkuar rikthimin e çështjes në Bruksel.