Arbëri

BE-ja thotë se Kosova do të mbetet “e vetme”, nëse nuk i dëgjon miqtë

Kosova flamur - EU Bashkim Evropian BE

Foto: Driton Paçarada

Bashkimi Evropian ka përsëritur se për vendime specifike Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me aleatët dhe të bisedojë me komunitetet që preken nga ato. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe prapa nëse nuk i dëgjon aleatët.

Stano ka shtuar se ky qëndrim është bërë i qartë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.

“Vërtetë nuk kemi asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës. Vetëm mund t’ua rikujtoj të gjithë atyre që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, Britania e Madhe...) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikon të mbetet vetëm dhe prapa”, ka thënë Stano.

Stano ka thënë tutje se diskutimi për Urën e Ibrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk do të thotë marrëveshje e re, por diskutim rreth zbatimit të marrëveshjeve veçse të arritura për urën.  

“Mund ta përsëris atë që e kemi këshilluar Prishtinën disa herë: Qeverisja e mirë do të thotë të kontaktosh dhe të angazhohesh me komunitetet të cilat preken nga vendime specifike. Të merresh me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja nënkupton të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshje të reja. Duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”, ka shtuar Stano.

Qeveria e Kosovës ka insistuar në hapjen e urës mbi lumin Ibër, edhe pse është kundërshtuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Këto shtete kanë thënë se hapja e urës mund të shkaktojë tensione të reja. 

Presidentja Vjosa Osmani të enjten, 15 gusht, ka deklaruar se ura duhet të hapet por kur të hapet të sigurohet se do të qëndrojë ashtu përherë dhe që hapja e saj nuk e nxit rritjen e trupave të KFOR-it aty.

Ajo ka theksuar se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojë ta diskutojë çështjen e urës në Bruksel, duke arsyetuar se kjo shkel sovranitetin e Kosovës. 

Osmani i ka quajtur deklaratat e BE-së lidhur me urën, “raciste”. 

Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 2014 që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk qe realizuar kurrë. Ura është e hapur aktualisht vetëm për këmbësorë dhe ushtarët e KFOR-it që janë prezentë aty.