Krahas arritjes së një marrëveshjeje finale dhe ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian synon t’u japë zgjidhje edhe marrëveshjeve të pazbatuara nga dialogu i mëhershëm teknik dhe politik.
KOHA merr vesh se kjo synohet të bëhet nëpërmjet krijimit të një mekanizmi i cili do të mbikëqyrë implementimin e marrëveshjeve të kaluara dhe ato që do të arrihen.
Të pyetur rreth kësaj mundësie, zyrtarë nga Brukseli vetëm kanë thënë se do të adresohen të gjitha çështjet e pazbatuara.
“BE-ja si lehtësues i dialogut do të punojë me palët drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. Të gjitha çështjet që duhet të diskutohen në dialog janë thelbësore për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare presin që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara. Çështjet e pazgjidhura të marrëveshjeve të kaluara do të trajtohen në vazhdim paralelisht me negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka thënë Nabla Massrali, zëdhënëse e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë.
Derisa ka nisur faza e re e dialogut, ka munguar një skenim dhe vlerësim i marrëveshjeve të deritashme.
Krijimi i mekanizmave për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes eventuale është ngritur edhe në kuadër të takimeve që presidenti Thaçi i kishte zhvilluar me zyrtarë të Brukselit.
Kjo konfirmohet edhe në një dokument të cilin Thaçi në janar të vitit 2019 e kishte përpiluar për delegacionin shtetëror, të cilin Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. Aty përmendet themelimi i mekanizmave të veçantë për monitorim të zbatimit.
“Natyrisht, Bashkimi Evropian do të mbetet garantues i zbatimit të kësaj marrëveshje dhe do të themelohen mekanizma të veçantë të përbashkët për monitorim të zbatimit”, thuhet në dokument.
Në zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti nuk kanë treguar nëse mbështesin themelimin e trupave për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve.
Mungesa e një mekanizmi mbikëqyrës dhe autoriteti interpretues i marrëveshjeve e ka bërë të vështirë matjen e nivelit të zbatueshmërisë së tyre. Për pasojë, shumë prej marrëveshjeve vazhdojnë të mos gjejnë zbatim edhe pse janë negociuar e rinegociuar disa herë.
Njohës të rrethanave thonë se qasja e aplikuar deri më tani nga BE-ja u ka krijuar terren palëve që t’i interpretojnë marrëveshjet sipas dëshirës dhe ta fajësojnë njëra-tjetrën për mosimplementimin e tyre.
“Këtu ka çaluar gjithë procesi i dialogut. Fakti që ata vetë kanë problem si t’i quajnë-marrëveshje apo pika për të cilat janë marrë vesh palët, tregon se nuk kanë pasur asnjë plan se si të garantohet implementimi i tyre e lëre më t’i sanksionojë palët. Meqë BE-ja ka dështuar ta bëjë këtë, kjo është keqpërdor si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, ka thënë Donika Emini nga Platforma "Civikos".
“Rol i Brukselit në këtë rast, si ndërmjetësues ka qenë se nuk janë përfshirë mjaftueshëm në politika që i kanë shpalosur liderët nga Kosova dhe Serbia, duke i lënë të lirë t’i interpretojnë siç duan vetë marrëveshjet. Kjo paraqet problem sepse është e domosdoshme që marrëveshjet të jenë obligueshme dhe ligjërisht të zbatueshme”, ka thënë Allen Meta nga D4D.
Nga 33 marrëveshje të arritura deri më tani, dy janë kryesoret për të cilat Kosova dhe Serbia fajësohen se nuk u kanë shkuar deri në fund zotimeve, megjithëse Brukseli ka kërkuar në vazhdimësi përmbushjen e tyre.
Serbia ka penguar hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndërsa Kosova nuk i ka përmbushur obligimet e marra për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe.
Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e Marrëveshjes për Asociacionin, por nuk e ka rrëzuar atë duke sugjeruar që shkeljet të evitohen me rastin e draftimit të statutit.