Arbëri

BE-ja s’tregon nëse është në linjë me SHBA-në që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën

Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, ka refuzuar që të përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë në pyetjen nëse blloku evropian është i një mendimi me SHBA-në se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Ai e ka vënë fokusin në kërkesën e 27 vendeve anëtare të BE-së që Kosova ta nisë menjëherë, pa vonesa dhe pa parakushte, punën drejt themelimit të këtij mekanizmi

Me gjithë përshtatshmërinë e madhe të ditëve të fundit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) lidhur me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në Brukselin zyrtar të enjten nuk kanë pranuar që të flasin në mënyrë konkrete nëse e ndajnë mendimin e Washingtonit zyrtar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet duke e marrë parasysh Kushtetutën dhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Më 2016, Kushtetuesja pati konstatuar se marrëveshja për themelimin e Asociacionit, të cilën Kosova e Serbia e arritën në kuadër të dialogut të Brukselit, nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithëkëtë, Gjykata nxori mendimin se ajo mund të harmonizohet nëpërmjet akteve ligjore.

Qëndrimi i SHBA-së rreth Asociacionit është përsëritur gjatë ditëve të fundit edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe nga i dërguari i posaçëm për dialogun, Gabriel Escobar.

“Ne besojmë se ai (Asociacioni) duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hovenieri të mërkurën për Radion Evropa e Lirë.

Por Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, ka refuzuar që të përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë në pyetjen nëse blloku evropian mendon që Asociacioni duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Ai e ka vënë fokusin në kërkesën e 27 vendeve anëtare të BE-së që Kosova ta nisë menjëherë, pa vonesa dhe pa parakushte punën drejt themelimit të këtij mekanizmi.

“Kur është fjala te Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Në vazhdimësi është përsëritur, në disa konkluzione të ministrave të Jashtëm dhe së fundi edhe në Deklaratën e 27 vendeve anëtare të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, se BE-ja dhe vendet e saj anëtare kërkojnë që themelimi i Asociacionit të nisë pa vonesa shtesë dhe pa parakushte, dhe secila palë e di mirë se çfarë duhet të bëjë, sepse nuk është hera e parë që kjo çështje është në tavolinë”, ka thënë të enjten Stano.

I pyetur nëse BE-ja e mban qëndrimin që më herët e pati shprehur në emër të Bashkimit Evropian ish-përfaqësuesja e lartë, Frederica Mogherini, e cila kishte thënë se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, Stano ka përsëritur qëndrimin e njëjtë.

“Çështja se si do të bëhet, në çfarë mënyre, si do të duket dhe çfarë forme operative do të ketë është një gjë që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut”, ka theksuar Stano, teksa ka përsëritur se për BE-në ky është një obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë mbi vete dhe se duhet ta përmbushë.

Mogherini i pati dërguar letër kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa, në të cilën kishte shprehur qëndrimin e BE-së se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se Asociacioni mund të cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Kosova e Serbia dështuan të arrijnë ndonjë rezultat në rundin e fundit të dialogut të mbajtur më 14 shtator.

Pas takimit në Bruksel, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara, ndryshe prej presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve.

Josep Borrell, shef i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë i BE-së, ka deklaruar pas takimit se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet fillimisht njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.