Burimet e BE-së thonë se së shpejti pagesa do të bëhet edhe për Serbinë. Kjo do të thotë se, sipas BE-së, Serbia e ka përmbushur edhe parakushtin specifik për sjellje konstruktive në normalizimin e raporteve me Kosovën. Kosova nuk e ka ratifikuar në Kuvend “marrëveshjen për kredi“ me BE-në dhe derisa të mos e bëjë këtë nuk mund të marrë pagesa. Ndërkohë ndaj Kosovës, BE-ja po i mban masat ndëshkuese të vendosura në qershor të vitit 2023
Bashkimi Evropian ka njoftuar se i ka kryer pagesat e para për Republikën e Shqipërisë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Fjala është për “parafinancimin” që kap shumën prej 7 për qind të mjeteve të përgjithshme, të cilat nga ky plan i janë dedikuar Shqipërisë.
Shqipërisë i janë paguar tashmë 64.5 milionë euro, nga të cilat 34 milionë kredi për buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër për infrastrukturë.
Një ditë më parë, të hënën, BE-ja ka njoftuar se i ka realizuar edhe pagesat e para për Maqedoninë e Veriut.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të parat vende të rajonit të Ballkanit, për të cilat BE-ja ka bërë pagesat e para të financimit nga Plani i Rritjes në Ballkanin Perëndimor. Burimet e BE-së thonë se së shpejti pagesa do të bëhet edhe për Serbinë. Kjo do të thotë se, sipas BE-së, Serbia e ka përmbushur edhe parakushtin specifik për sjellje konstruktive në normalizimin e raporteve me Kosovën.
Kosova nuk e ka ratifikuar në Kuvend “marrëveshjen për kredi” me BE-në dhe derisa të mos e bëjë këtë nuk mund të marrë pagesa. Ndërkohë, ndaj Kosovës BE-ja po i mban masat ndëshkuese të vendosura në qershorin e vitit 2023.
Për Kosovën dhe Serbinë, përpos kushteve të përgjithshme që vlejnë për të gjitha vendet e rajonit, parakusht është edhe angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve.
Nëse BE-ja ka vendosur t’i bëjë pagesat e para për Serbinë, atëherë Shërbimi i Veprimit të jashtëm (EEAS) dhe Komisioni Evropian kanë vlerësuar se sjellja e Serbisë në normalizimin e raporteve është konstruktive. Kjo për disa diplomatë evropianë duket “diskutabile” duke pasur parasysh se ka pasur disa veprime të Serbisë, të cilat nga vetë BE-ja janë quajtur si shkelje e obligimeve nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.
Në BE thonë se janë të gatshëm t’i kryejnë edhe pagesat për Kosovën, por është Kosova ajo e cila nuk i ka kryer procedurat e saja të brendshme. Dhe Kosova në këtë moment as që mund t’i kryejë këto procedura, pasi nuk ka Kuvend të konstituuar, i cili do të mund ta ratifikonte Marrëveshjen. Pra, derisa të mos konstituohet Kuvendi, Kosova nuk ka gjasa t’i marrë pagesat e para nga ky plan.
Këto marrëveshje kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.
BE-ja ka vendosur që të gjitha vendet për të cilat janë aprovuar agjendat e reformave dhe rritjes të paguhet si “pagesë para financuese”, shuma prej 7 për qind e mjeteve të dedikuara për atë vend përkatës. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, e kanë përmbushur kushtin e miratimit të agjendave të reformave.
Paketa në total është në një vlerë prej 6 miliardë eurosh për të gjitha vendet e rajonit, për periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.
Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori, Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit nga kjo paketë.
Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut gjithsej do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, Serbia 1.58 miliardë euro, Bosnjë-Hercegovina 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 383 milionë euro.