Diplomati danez, Peter Sorensen, e ka nisur zyrtarisht mandatin si emisar i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Në Bruksel shprehën pritjen që emisari i ri, i cili ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të punojë në shënimin e përparimit më të madh në funksion të zbatimit të marrëveshjeve të dakorduara
Të shtunën zyrtarisht ka nisur mandatin e tij, diplomati danez, Peter Sorensen, si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, post ky në të cilin ai do ta zëvendësojë Miroslav Lajçakun, të cilit i ka përfunduar mandati gjatë ditës së djeshme.
BE-ja pret që Sorensen ta vazhdojë punën si lehtësues i dialogut me synim të veçantë në implementimin e marrëveshjeve që ishin arritur deri më tani në këtë proces.
Kjo është thënë edhe në një deklaratë që Këshilli i Ministrave të BE-së e ka lëshuar kur është konfirmuar mandati i Sorensenit.
“Detyra e përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë që të lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti në implementimin e marrëveshjes për rrugës drejt normalizimit dhe aneksit të implementimit të saj, të miratuar në shkurt dhe në mars të vitit 2023”, thuhej në deklaratë.
Por në BE, diplomatët pranojnë se procesi i dialogut nuk është në gjendje të dëshirueshme pasi ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk ka progres në implementimin e marrëveshjeve.
Tash së shpejti do të mbushen dy vjet prej kur është arritur marrëveshja në Bruksel, por BE-ja disa herë ka shprehur keqardhje se nuk ka pasur progres në implementimin e saj. Duke marrë parasysh se Kosova është në proces zgjedhor, ndërsa edhe në Serbi është një situatë e tensionuar politike nuk priten veprime të menjëhershme të Sorensenit në fillim të mandatit të tij sa i përket organizimit të takimeve, në kuadër të dialogut.
Por ajo që e thonë në Bruksel është se palët duhet që ta kenë të qartë se BE-ja nuk do të heqë dorë nga obligimet që palët kanë marrë deri tash në procesin e dialogut. Diplomatët evropianë presin që Sorensen, me përvojën e tij diplomatike si dhe me njohuritë që i ka me rajonin e Ballkanit Perëndimor, të kontribuojë në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e ky normalizim synohet që t’i ndihmojë të dyja vendet në procesin e integrimeve në BE.
Sorensen deri më tash ka ushtruar disa detyra në aspektin diplomatik në rajon qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, kur ishte në shtyllën e udhëhequr nga BE-ja, e deri tek roli i përfaqësuesit të posaçëm për Bosnjë-Hercegovinë pastaj edhe si shef i zyrës në Sarajevë dhe në Shkup, por edhe përfaqësues i BE-së për Serbinë, në fillim të këtij shekulli.
Prandaj edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Kaja Kallas, duke e pasur parasysh përvojën e tij, ka vendosur që Sorensen të jetë përfaqësues i posaçëm për dialog. Këtë zgjedhje të saj e kanë mbështetur pastaj edhe të gjitha vendet anëtare të BE-së në Këshill.
E ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka takuar Sorensenin, për t’i dhënë mbështetje në misionin e tij të ri.
Orav është shprehur se eksperienca e Sorensenit do të ketë ndikim pozitiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jam i bindur se përvoja e tij e gjerë diplomatike do të ndihmojë në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Orav në platformën sociale X.
Sorensen do të jetë vetëm përfaqësues i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë teksa Miroslav Lajçak, paraardhësi i Sorensenit, kishte në titullin e tij përveç dialogut edhe çështje tjera rajonale.
Lajçak e ka përfunduar mandatin e tij, duke thënë se ai ndihet krenar për punën që është bërë dhe thotë se edhe Beogradi dhe Prishtina duhet të ndihen krenarë për marrëveshjen që kanë arritur. Por diplomatët në Bruksel pranojnë se arritja e marrëveshjes është gjithsesi një hap mirëpo implementimi nuk ka përparuar, prandaj presin të ketë më shumë përparim.