Ndonëse takimet e ndara të së enjtes të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nuk prodhuan pajtim konkret për hapat drejt shtensionimit të situatës në veri, në BE kanë shprehur optimizmin se ngjarja ka shërbyer për kthimin e normalitetit në raporte dhe në uljen e tensioneve në terren. E pas këtyre takimeve burimet diplomatike në Bruksel konfirmuan se javën e ardhshme do të zhvillohen një sërë takimesh, gjatë së cilave do të raportohet mbi raportet Kosovë-Serbi, si dhe për pasojat e mundshme, nëse nuk ndodh ulja e tensioneve
Ani se në takimin e së enjtes të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka pasur pajtim konkret për hapat që duhet të ndërmerren në veri të Kosovës, diplomatët evropianë kanë shprehur optimizmin se takimet kanë shërbyer për të kthyer pak normalitet në raporte dhe për të ulur tensionet në terren.
Zyrtarët e vendeve anëtare të BE-së presin që tash të njoftohen nga Borrelli dhe nga përfaqësuesi i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, për hollësitë e rrjedhës së takimeve, si dhe për pritjet nga palët. Por diplomatët e vendeve të BE-së i mbështesin tërësisht kërkesat që në këto takime i ka paraqitur përfaqësuesi i lartë, Borrell.
Kërkesat kanë të bëjnë me tërheqjen e menjëhershme të forcave të Policisë Speciale të Kosovës nga objektet dhe nga rrethi i godinave të komunave në veri të Kosovës. Krahas kësaj, kërkohet që paralelisht të bëhet edhe tërheqja e protestuesve serbë dhe që të shpallen zgjedhjet e reja në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, në të cilat serbët do të merrnin pjesë pa kushtëzime.
Mbështetje diplomatët evropianë i kanë dhënë gjithashtu edhe kërkesës që të lirohen menjëherë dhe pa kushte tre policët e Kosovës, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim në Serbi.
E javën e ardhshme do të zhvillohen disa takime, gjatë së cilave do të raportohet për raportet midis Kosovës e Serbisë, si dhe për pasojat që mund t’i kenë palët po qe se nuk ndodh ulja e tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë. Debat mbi çështjen do të zhvillohet edhe mes ministrave të Jashtëm të BE-së, të cilët do të takohen të hënën në Luksemburg, por edhe të martën në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku do të raportojë emisari i BE-së për dialogun, Lajçaku. E tema e raporteve Kosovë-Serbi do të jetë në rend dite edhe në takimin e vendeve anëtare në Bruksel, gjatë së enjtes dhe të premtes.
Në BE rëndom nuk mund të parashikojnë se cilat mund të jenë pasojat, porse shpresojnë se deri te pasojat nuk do të vijë, ngase, sipas kuptimit të tyre, palët gjatë takimeve të së enjtes e kanë kuptuar seriozitetin e situatës dhe tash mbetet çështja se cila palë pret që pala tjetër të bëjë hapin e parë.
Në BE shpresojnë se në kontaktet që do të kenë vazhdimisht Borrelli, por edhe përfaqësuesit e tjerë të BE-së me palët do të arrihet një koordinim në mënyrë që situata të kthehet drejt normalizimit dhe implementimit, e jo të jetë një situatë në të cilën gjithmonë duhet të menaxhohen krizat.