Arbëri

BE-ja në pritje “të saktësimit” për rastin e policëve të kidnapuar

policet

Në Bashkimin Evropian edhe të premten thanë se janë ende në pritje të saktësimit se çfarë dhe si ka ndodhur me rastin e policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat speciale serbe në veri. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS nëse përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, e di rezultatin e hetimeve pasi po e përdor termin “arrestim” që e përdor edhe Serbia, si dhe nëse Bashkimi Evropian do ta kërkojë lirimin e pakusht të tyre

Bashkimi Evropian ka përsëritur se është në pritje të saktësimit se çfarë ka ndodhur me tre policët nga Kosova që po mbahen në territorin e Serbisë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë BE-ja është në pritje për të saktësuar se si ka ndodhur ky arrestim. Ai termin arrestim e përdori pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen se pse përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, po e përdor këtë term, pasi që ai është term që përdoret nga Serbia për të sugjeruar se ata janë arrestuar pasi kishin kaluar në territorin e Serbisë, ndërkohë që autoritetet e Kosovës e përdorin termin kidnapim.

I pyetur se a e ka tashmë Borrelli rezultatin e hetimeve, pasi që po e përdor termin që e përdor Serbia apo është përdorur për diçka tjetër, ky zëdhënës vetëm ka përsëritur se qëndrimi i BE-së është i qartë dhe po presin rezultatet për të saktësuar se çfarë ka ndodhur.

“Pa dashur që të hyj në interpretime, qëndrimi i BE-së dhe i përfaqësuesit të lartë ishte shprehur shumë qartë të mërkurën vonë pasdite, dhe sërish dje, kur Borrelli po fliste para takimit të NATO-s. Jemi të vetëdijshëm për arrestimin e policëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Jemi në kontakt me të dyja palët dhe me KFOR-in për të mësuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Kjo është ajo që është shumë me rëndësi që të kemi në tavolinë, pra qartësimi se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Dhe deri atëherë po u kërkojmë të dy palëve që përnjëmend të mos bëjnë gjë, as veprim apo reagim, që do të nxiste edhe më tej situatën edhe ashtu shumë të tensionuar dhe e përsërisim thirrjen tonë për të dy palët që ta deeskalojnë situatën në mënyrë të shpejtë, urgjente dhe kuptimplotë”, ka thënë Stano.

Ky zëdhënës i BE-së nuk është përgjigjur as në pyetjen se a ka kërkuar Bashkimi Evropian që tre policët të lirohen në mënyrë të pakusht.

Një thirrje e tillë ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, por edhe disa shtete të BE-së, mirëpo deri në këtë moment, nga BE-ja, si organizatë nuk është dëgjuar ndonjë thirrje e tillë formale.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë edhe një herë se pikërisht për shkak të vazhdimit të tensioneve në veri të Kosovës, përfaqësuesi i lartë Borrell i ka thirrur të dy liderët, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të vijnë në një takim javën që vjen në Bruksel.

Ky zëdhënës nuk ka dashur të japë më shumë detaje në këtë moment, duke thënë se hollësitë do të jepen në një kohë të duhur kur të dihen më shumë plane rreth këtij takimi.