Një ditë pas takimit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian e kualifikoi të pasaktë pretendimin e kryeministrit Albin Kurti se ishte i vetmi që paraqiti propozim të sekuencuar për implementim të Marrëveshjes Bazë. KOHA e ka siguruar nga burimet e larta në BE dokumentin e propozimit të kompromisit, që u tha se u pranua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e u refuzua nga kryeministri Kurti.
Bashkimi Evropian, si lehtësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka insistuar, një ditë pas takimit Kurti-Vuçiq, se presidenti i Serbisë e ka pranuar propozimin e kompromisit të BE-së për implementimin e marrëveshjes, ndërsa kryeministri i Kosovës e ka refuzuar.
Në të njëjtën kohë një zyrtar i BE-së në Bruksel ka thënë se pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se në takimin e djeshëm vetëm ai ka paraqitur propozim të sekuencuar për implementim, thjesht është i pasaktë.
Por një dokument që është siguruar nga burimet e BE-së e që thuhet se ishte propozimi në fjalë mban datën e 19 korrikut të këtij viti. Të njëjtat burime e kanë quajtur si joreal dhe jopraktik propozimin që në takimin e së enjtes e ka paraqitur kryeministri Kurti, sepse ai aty insiston në njohjen de fakto të Kosovës së pari e pastaj në gjëra të tjera. Po ashtu, joreal e kanë quajtur edhe propozimin e Serbisë duke thënë se vetëm propozimi i kompromisit i BE-së mundësonte tejkalimin e dallimeve mes palëve.
Kryeministri i Kosovës të enjten e ka akuzuar lehtësuesin e BE-së se ka pranuar që kushti i Serbisë të bëhet propozim i Bashkimit Evropian. Akuzat nga Kosova ky zyrtar i BE-së i ka quajtur për keqardhje.
Dokumenti i BE-së bën të qartë se implementimi i marrëveshjes do të koordinohej duke pasur si bazë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe së pari, që nuk përmendet me këtë emër por si instrument për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë.
Kur të nisin negociatat për statutin e Asociacionit, Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriksit dhe fusnotës në emrin e Kosovës në forumet rajonale. Hapi i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët mos të ndërhynin në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çfarëdolloj dhune apo nxitjeje të dhunës.
Edhe strukturat e Serbisë që veprojnë në Kosovë do të ndërprisnin veprimin vetëm pasi punët e tyre do të transferoheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pas kësaj do të pasonte njohja e dokumenteve dhe e simboleve kombëtare, do të pasonte formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, pastaj aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Serbia pas kësaj nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Do të kompletohej edhe procedura e brendshme në Kosovë për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.
Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.
Burimi i BE-së ka thënë se themelimi i Asociacionit është vendosur në fillim të hapave për implementim pasi ai është një proces i cili do të zgjasë shumë dhe nuk është një akt i vetëm.
Pas dështimit të takimit të së enjtes, në BE kanë paralajmëruar se do të ketë konsultime me vendet anëtare dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të parë se si të shkohet tutje.
I dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, qysh mbrëmë i ka njoftuar përfaqësuesit e vendeve anëtare për rrjedhën e takimit. Ata, sipas burimeve të BE-së, kanë dhënë porosinë se dështimi nuk është opsion, por për hapat e radhës ende nuk kanë vendosur