Bashkimi Evropian e ka kualifikuar të mirëseardhur çdo propozim konstruktiv për ta çuar përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe. I pyetur nga KOHA rreth draftit të dërguar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se për çdo draftpropozim, platformë diskutimi është dialogu midis Kosovës e Serbisë. Ai bëri të ditur gjithashtu se emisari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, është i gatshëm të organizojë shumë shpejt një takim për draftim dhe se për këtë është në kontakt me palët
Dialogu i Brukselit, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të Kosovës dhe Serbisë, është forumi i vetëm ku diskutohen draftet për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë sot për KOHËN zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.
I pyetur nga KOHA se si e konsideron BE-ja draftin që e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Stano tha: “Secili kontribut konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është i mirëseardhur. Përfaqësuesi i lartë është në kontakt të vazhdueshëm me liderët në rajon dhe me shtetet anëtare të BE-së. Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, diskutimet dhe draftimi i statutit të Asociacionit\Bashkësisë mund të zhvillohet vetëm në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se teksti, të cilin e ka dërguar kryeministri i Shqipërisë është një tekst shumë serioz dhe mjaft kualitativ sa i përket përmbajtjes, por këto burime kanë thënë se këtij dokumenti i jepet rëndësi njësoj sikur edhe drafteve të tjera që kanë qarkulluar në qarqet ndërkombëtarë dhe që janë shkruar ose nga ndonjë vend anëtar, ose nga organizatat e ndryshme joqeveritare.
Gjithsesi, kanë thënë disa burime diplomatike, “jemi të vetëdijshëm se as Kosova dhe as Serbia nuk kanë mungesë të aftësive për të shkruar tekste të mira, porse duhet të pajtohen se si duhet të jetë modaliteti i duhur për të zgjidhur këtë çështje”.
Përfaqësuesi i lartë Borrell, pasi ishte njoftuar nga Lajçaku për rezultatet e vizitës së tij në Prishtinë, është duke komunikuar me vendet anëtare për të shqyrtuar hapat e ardhshëm që do të ndërmerren.
“Pasi emisari Lajçak e përmbylli misionin e tij të martën ai natyrisht i raportoi Përfaqësuesit të lartë dhe përfaqësuesi i lartë po raporton te vendet anëtare. Nuk do të hyjë në detaje se në çfarë nivele dhe si, por kjo po ndodhë dhe vendet anëtare tani mund të vendosin për hapat e ardhshëm”, ka thënë Stano.