Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka kërkuar Qeverisë së ardhshme angazhim në procesin e dialogut. Ambasadori Aivo Orav, është shprehur se përfitimi nga Plani i Rritjes të BE-së është i kushtëzuar nga progresi në dialogun Kosovë-Serbi. Në fjalimin e tij gjatë promovimit të raportit “Barometri i reformave evropiane 2024”, Orav ka thënë po ashtu se BE-ja kërkon një seri reformash
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka kërkuar qeverisë së ardhshme që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.
Në prezantimin e raportit “Barometri i reformave Evropiane” të organizatave GLPS dhe EPIK, të mërkurën, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se përparimi në dialog është kusht edhe për të përfituar nga Plani i Rritjes së BE-së.
“Së pari duhet ta shohim qeverinë e ardhshme duke u përfshirë në mënyrë konstruktive në përpjekjet për normalizim në kontekstin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ky është edhe parakusht për mbështetjen e Bashkimit Evropian sa i përket planit të rritjes. Dhe së dyti, Qeveria e ardhshme duhet ta udhëheqë Kosovën në reformën vendimtare për forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, sigurimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit, si dhe t’u mundësojë të rinjve të Kosovës në arsim cilësor”, ka thënë Orav. Plani i Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor është 6 miliardë euro, e Kosova pritet të fitojë mbi 800 milionë euro.
Drejtoresha e GLPS-së, Arbresha Loxha-Stublla, është shprehur se prania e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës nuk ndihmon në rrugën e reformave evropiane.
“Kosova është nën masa nga BE-ja dhe e njëjta ka ndikuar negativisht Kosova të afektohet nën plotësimin ose implementimin e reformave evropiane. Prandaj, përmes këtij barometri synojmë qe të nxisim dhe të bëjmë në theks të opinionit publik, qeverisë dhe institucioneve publike rëndësinë që reformat evropiane kanë për Kosovën, fillimisht për çështjet e saj të brendshme, të mirën tonë si shtet, por njëkohësisht edhe për rrugën tonë drejt BE-së”, ka thënë Stublla.
Në prezantimin e raportit përfaqësues të Institutit EPIK dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike thanë se Qeveria ka shënuar përqindje të ulët të realizimit të reformave evropiane gjatë vitit paraprak.
Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK, ka deklaruar se Qeverisë do t’i duheshin më shumë pikë në mënyrë që të vlerësohej se ka performacë të mirë.
“E gjithë Qeveria si trupë gjatë vitit 2024 ka marrë 47 pikë nga 100 pikë, gjë që për pak pikë nuk e ka lejuar që të dalë në vlerësimin ‘performancë e mirë’, por në përgjithësi kemi një konsistencë të ndërmarrjes së nga ana e Qeverisë... Ministria e Financave ka performuar më së miri gjatë vitit 2024. Më së dobëti ku ka performuar është kriteri i tretë zbatueshmëria. Ne kemi marrë vetë raportin e Qeverisë, pra çka ka thënë vetë Qeveria për perormancën e saj dhe kemi poentuar secilën ministri”, u shpreh”, ka thënë Shasha.
Ndërkohë ministri i Bujqësisë Faton Peci ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk përfiton prej fondeve IPARD të Bashkimit Evropian, për çka sipas tij Ministria është angazhuar të ndryshojë kjo situatë. Për rëndësinë e reformave foli edhe ambasadorja e Holandës, Karin Boven.
Në raport vlerësohet se pas Ministrisë së Financave, performancë më të mirë ka pasur Ministria e Mjedisit.
“Pesë ministri me performancë të mirë janë: 1. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës - 68 pikë; 2. Ministria e Punëve të Brendshme - 64 pikë; 3. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - 61 pikë 4. Ministria e Drejtësisë - 57 pikë; 5. Ministria e Ekonomisë: - 51 pikë”, thuhet në raport.
Zyra e Kryeministrit hyn ndër dikasteret me performancë të kufizuar, ndërsa 0 pikë i ka Ministria e Zhvillimit Rajonal.
“Gjashtë ministri me performancë të kufizuar janë: 1. Zyra e Kryeministrit – 48 pikë; 2. Ministria e Shëndetësisë – 48 pikë; 3. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – 44 pikë; 4. Ministria për Komunitete dhe Kthim – 42 pikë; 5. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – 34 pikë; 6. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – 30 pikë. Dy ministri me performancë të ulët janë: 1. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – 25 pikë; 2. Ministria e Zhvillimit Rajonal – 0 pikë”, thuhet në raport.
Kriteri i parë i vlerësimit në këtë raport është ai i kompleksitetit meqë jo të gjitha masat e planifikuara nga ana e ministrive e kanë peshën dhe vështirësinë e njëjtë, që peshon 25 pikë në vlerësim. I dyti është vlerësimi i saktësisë së kornizës planifikuese të Qeverisë në procesin integrues dhe vlerësohet me 35 pikë. Me 30 pikë vlerësohet kriteri i tretë, ai i zbatueshmerisë së kornizës planifikuese nga ana e ministrive. Ndërsa, i katërti është vlerësimi i raportit të Komisionit Evropian në raportin e saj për Kosovën që siguron 10 pikë.