Bashkimi Evropian në raportin e publikuar për Kosovën ka përsëritur kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për këtë të fundit, Kosova është kritikuar se nuk ka pasur angazhim konstruktiv. Sipas njohësve të rrethanave, pjesa që flet për dialogun është vazhdimësi e ambiguitetit konstruktiv të Bashkimit Evropian, ku meritat dhe fajin për zbatim ose moszbatim të marrëveshjeve i shpërndan te palët
Përparimi në dialog me synim arritjen e një marrëveshjeje finale mbetet ndër kërkesat kryesore për Kosovën e Serbinë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Por raporti i sivjetmë i Komisionit ka vënë në pah mungesën e rezultateve në zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu i mëhershëm.
Përmbajtja e raportit për Kosovën dhe Serbinë në çështjen e dialogut është pothuajse identike, ku listohen marrëveshjet që nuk janë zbatuar nga palët.
Ndër kryesoret përmendet moshapja e urës mbi lumin Ibër, megjithëse punimet janë përfunduar prej vitesh. Sipas raportit, ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa dhe pengesa të mëtejshme.
“Punimet në urën e Mitrovicës ka kohë që kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, shkruhet në raport.
Historikisht, ura ka qenë burim tensionesh e konfliktesh. Në shtator të vitit 2009 ishte rihapur pjesërisht për qarkullim. Ajo ishte përforcuar me forca policore vendëse e ndërkombëtare. Por, ura u betonua me rërë e gurë nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat ndodhen në kufi me Serbinë. Një polic i Njësisë Speciale të Kosovës ishte vrarë në këtë aksion.
Pas largimit të gurëve e rërës, veriorët ndërtuan një të ashtuquajtur “Park i paqes”. Ky park, që zëvendësoi barrikadën, e la të lirë urën vetëm për disa orë. Por me marrëveshje tjetër, palët u dakorduan që barrikada park të largohet dhe rivitalizimin e urës ta bëjë Bashkimi Evropian.
Por, nëpërmjet pushteteve komunale në veri, Serbia deri tani ka penguar hapjen e urës duke kërkuar që në sinkron të vihen edhe bazat e Asociacionit.
E, Komisioni ka rikujtuar obligimet që dalin nga marrëveshja për këtë mekanizëm.
Aty fajësohet Kosova për mungesë angazhimi konstruktiv në zbatimin e marrëveshjes së 25 gushtit të vitit 2015.
“Gjatë periudhës raportuese, nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit 2015. Asnjë përparim nuk është arritur në Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe Kosova ende nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në themelimin e saj”, thuhet në dokument.
Por, raporti nuk e përmend edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që kishte konstatuar shkelje në të gjithë kapitujt e marrëveshjes.
Gjuhën e përdorur nga Bashkimi Evropian, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike e ka interpretuar si vazhdimësi e ambiguitetit konstruktiv.
“Në njërën anë i jep të drejtë Kosovës ta zhbllokojë lëvizjen e lirë mbi lumin Ibër ku i jep faj Serbisë. Në anën tjetër, është kërkesa për Asociacionin. Besoj nuk është diçka e re, është diçka e ripërsëritshme ku BE-ja bën thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar deri më tani dhe kështu duhet të bëjë të paktën, sepse është ndërmjetësues dhe sponsorizues i dialogut. Do të ishte shqetësuese nëse nuk do të kishte kërkesë për zbatim të marrëveshjeve”, ka thënë Fetahu.
“Çështja këtu është e ndërlikuar tek Asociacioni me kompetenca ekzekutive dhe konsiderojmë se është një nga çështjet më të nxehta që do ta karakterizojë dialogun edhe në vijim. Komplikimi ndodh tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila hedh poshtë shumë pjesë të marrëveshjes së prillit të vitit 2013 dhe marrëveshjes së vitit 2015”. Sipas tij, Kosova duhet ta kristalizojë pozicionin e vet sa i përket Asociacionit me kompetenca ekzekutive.
“Nuk mjafton të thuhet se kjo marrëveshje ka vdekur. Por këtu duhet një koordinim me të gjitha subjektet, me shoqërinë civile në mënyrë që të gjendet një strategji dalëse nga ky udhëkryq. Por, përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë aktuale, e cila ka një shumicë parlamentare”, ka theksuar Fetahu.
Pika më kundërthënëse rreth Asociacionit në marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 konsiderohet e pesta, e cila specifikon se ky mekanizëm do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Ndërkaq, në marrëveshjen e vitit 2015 specifikohet që kjo pikë të diskutohet sërish një vit, pasi të hartohet statuti i Asociacionit.
Angazhimet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe patën kulmuar në vitin 2016 nëpërmjet miratimit të një draft-statuti që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti, si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i pati publikuar KOHA. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk dëshironin Asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.
Komisioni Evropian e ka qortuar Kosovën edhe për shkeljen e marrëveshjes për drejtësi. Me këtë i është referuar një rasti për të cilin reaguan serbët, e që ka të bëjë me konfirmimin e dënimit për zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i cili masakrën e Reçakut e kishte quajtur trillim.
Si ngecje është evidentuar zbatimi i marrëveshjes për kadastrën dhe njohjen e ndërsjellë të diplomave.
“Serbia ende nuk e ka adresuar çështjen e strukturave doganore administrative serbe të vendosura me denominime kosovare që veprojnë nga brenda Serbisë, dhe të ndërpresë lëshimin e dokumentacionit ose vendosjen e vulave që bien ndesh me marrëveshjen përkatëse”, thotë raporti.
Po ashtu, theksohet përparim i kufizuar në krijimin e gjashtë pikave të përbashkëta të kalimit të përbashkët kufitar mes Serbisë dhe Kosovës siç përcaktohet në marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit.
“Serbia është pajtuar të kalojë në objektet e reja të financuara nga BE-ja në vendkalimin Merdar, në tetor 2020, por nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në fillimin e krijimit të pikave të kalimit në anën serbe (në Jarinjë, Muçibabë dhe Konçul). Kjo ka çuar në pezullimin e fondeve të BE -së për këtë projekt, në korrik të vitit 2018. Masa shtesë kërkohen nga Serbia për t’i mbyllur kalimet ilegale”, thotë raporti.
Sa i përket çështjes së energjisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmendet hyrja në fuqi e një marrëveshjeje mes operatorit të sistemit të transmisionit të Kosovës dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit. Serbia ka paraqitur kërkesën për licencën e Elektroserver, e cila aktualisht është duke u shqyrtuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
GLPS: Nevojitet koordinim institucional për t’i adresuar sfidat nga Raporti i Progresit
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar të enjten gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, sipas të cilit Kosova nuk veçohet për ndonjë reformë të thellë strukturore.
Derisa Komisioni Evropian në “Raportin për vendin” e konsideron shqetësuese iniciativën e Qeverisë së Kosovës për vetting të plotë në sistemin gjyqësor, sipas GLPS-së një reformë e tillë në sistemin e drejtësisë është e domosdoshme, por që e njëjta duhet të bëhet në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar.
“Kosova, fatkeqësisht, nuk veçohet për ndonjë reformë të thellë strukturore për të cilën janë arritur rezultate të dëshirueshme siç ndodh me vendet e rajonit. GLPS-ja rekomandon që Qeveria e Kosovës të bëjë përpjekje të shtuar dhe koordinimin më të mirë ndërinstitucional për të shënuar rezultate konkrete në disa nga reformat kyç, siç janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në administratë publike si dhe të ketë një angazhim të shtuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja dhe Agjenda për Reforma Evropiane”, ka thënë Njomza Arifi, hulumtuese në GLPS.