Arbëri

BE-ja ende s’ka konfirmim zyrtar mbi refuzim e shkëmbimit të informatave për sulmin në Banjskë

Bashkimi Evropian ka të regjistruar një historik refuzimesh midis Kosovës dhe Serbisë në ofrimin e informacioneve të ndërsjella mbi zbardhjen e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Sipas zyrtarëve të BE-së, megjithëse marrin parasysh refuzimin që u bë përmes deklaratave në media, me to nuk janë njoftuar edhe zyrtarisht, i cili luan rolin e ndërmjetësit për ndihmën e ndërsjellë juridike. Sipas tyre, deri tash vetëm Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka ofruar informacione Kosovës, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale

Refuzimet e ndërsjella në mes të Kosovës dhe Serbisë e kanë përcjellë trajtimin e rastit të sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kanë konfirmuar të hënën zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE). 

Qeveria e Kosovës së fundi ka refuzuar që t’i ofrojë informacione Serbisë lidhur me rolin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në planifikimin dhe në organizim e sulmit të vitit të shkuar. 

“Deri më sot, PSBE-ja (Përfaqësuesi i Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian) nuk ka marrë zyrtarisht asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës në lidhje me rastin që e përfshin z. Radoiçiq dhe të tjerët. Mirëpo, ne kemi marrë parasysh deklaratat e dhëna për media nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës për refuzimin e kërkesës së Serbisë, me arsyetimin se është në kundërshtim me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale. Pasi EUSR-ja të marrë zyrtarisht përgjigjen e MD-së së Kosovës, ai do ta shqyrtojë atë”, ka thënë të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. 

Nga ana tjetër, as Serbia nuk ka ofruar kurrfarë përgjigje mbi kërkesat që i pati shtruar Kosova në rastin, në të cilin është i përfshirë ish-nënkryetari i Listës Serbe, parti politike e serbëve në Kosovë. 

“Siç u përmend më lart, në tetor 2023, autoritetet e Kosovës kërkuan që t’i transmetohet një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike autoriteteve të Serbisë për të marrë prova dhe dokumente në lidhje me rastin e z. Radoiçiq dhe të tjerët. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje për këtë kërkesë nga autoritetet serbe”, është shprehur Stano. 

Ai ka shtuar se në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2013 për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike, të ndryshuar në vitin 2015, Zyra e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë e lehtëson transmetimin e kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin atë, përfshirë Serbinë. 

“Qëllimi i këtij mekanizmi është ta sigurojë bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin atë, përfshirë Serbinë, dhe të lehtësojë qasjen në drejtësi për të gjithë, pavarësisht nga shtetësia apo vendbanimi i tyre”, ka thënë Stano. 

Pas sulmit në Banjskë, Zyra e BE-së në Kosovë ka dërguar në tetor të 2023-s një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike nga Kosova tek autoritetet e Serbisë për të marrë prova dhe dokumente në lidhje me procedurën penale kundër Radoiçiqit. 

Po në tetor të 2023-s, Stano ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, i ka kërkuar Zyrës së BE-së në Kosovë që t’i transmetojë një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike Sarajevës për të marrë prova, dokumente dhe informacione në rastin ku është i përfshirë Radoiçiqi. Sipas zëdhënësit të BE-së, Prokuroria përkatëse e Bosnjë-Hercegovinës tashmë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe BE-së dhe se përgjigjen ua ka përcjellë autoriteteve në Kosovë. 

Milan Radoiçiqi dyshohet se ka armë, municion dhe mjete shpërthyese të fuqishme dhe shkatërruese nga Tuzlla, qytet në Bosnjë-Hercegovinë, të cilat kanë përfunduar në territorin e Kosovës. 
Administrata Federale e Policisë në Bosnjë ka njoftuar më 3 tetor të 2023-s se do t’i hetojë pretendimet. 

Stano ka treguar edhe për letrën e cila në korrik të këtij viti është pranuar nga autoritetet e Serbisë

“Në korrik, PSBE-ja mori një letër nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, e cila dërgoi një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike të Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit në lidhje me rastin Banjskë/Banjska. Bazuar në mandatin e tij, PSBE-ja në Kosovë ua ka përcjellë këtë kërkesë autoriteteve të Kosovës. Sipas mandatit të tij, PSBE-ja në Kosovë lehtëson vetëm transmetimin e kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike. Nuk ka asnjë rol në vetë procedurën gjyqësore. EULEX-i në KOSOVË nuk ka mandat për të lehtësuar ndihmën e ndërsjellë juridike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Stano. 

Zyrtarë të Qeverisë në Kosovë i patën listuar tri arsye pas refuzimit që i kanë bërë Serbisë në dhënien e informacioneve lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku pati mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Zëvendësministri i drejtësisë, Vigan Qorrolli, i ka thënë KOHËS më herët se kërkesa përveç se bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, shteti i Serbisë nuk mund të garantojë gjykim të drejtë dhe se po tentohet një farsë juridiko politike pasi fqinji verior do të mund ta konsideronte se veprat janë kryer në territorin e saj. 

E në EULEX, lidhur me rastin kanë thënë se në përputhje me mandatin aktual, ky mision e mbështet Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke e lehtësuar shkëmbimin e informacionit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë.  

“Është Përfaqësuesi Special i BE-së (EUSR) në Kosovë ai që është përgjegjës për lehtësimin e kërkesave për Ndihmë Juridike të Ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin, përfshirë Serbinë”, kanë thënë në EULEX.  “Për më tepër, çdo shkëmbim i mundshëm i informacionit policor i lehtësuar përmes EULEX-it mbulohet nga parimi i konfidencialitetit”. 

Aktualisht ndaj Milan Radoiçiqit janë duke u zhvilluar dy hetime paralele lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë – njëri në Serbi dhe tjetri në Kosovë. Prokuroria Speciale e Kosovës ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Radojçiqit dhe grupit të tij. 

Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit u pati arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.  

E juristë nga Beogradi kërkesën e Serbisë për informacione e patën cilësuar si përpjekje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për t’u paraqitur para ndërkombëtarëve se po bën diçka. Avokati, Ivan Niniq, ka thënë se Vuçiqi tani do që t’u thotë ndërkombëtarëve se është i interesuar ta zbardhë rastin, porse autoritetet në Prishtinë nuk duan bashkëpunim. 

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin e Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë. 

Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi.