Ndikimi i deklaratave të bëra pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor po konsiderohet i paefektshëm nga njohësit e çështjeve politike. Sipas tyre, është dashur të punohet më shumë me BE-në në drejtim të ndryshimit të qasjes ndaj Kosovës. E nga 16 konkludime që janë pajtuar liderët në takimin e së mërkurës, në njërin prej tyre, në mënyrë specifike përmenden Kosova dhe Serbia e pengesat që ato kanë shkaku i mungesës së normalizimit
Mosnormalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’i pengojë këto shtete në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian, thuhet në një nga konkluzionet e Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Mes tjerash, në deklaratën e Brukselit, bëhet thirrje edhe për zbatim të marrëveshjeve të arritura mes të dyja shteteve, në veçanti të asaj të vitit të shkuar.
“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i pengon të dy partnerët. Marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. BE-ja rikujton se një parakusht për mbështetjen në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor është që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në konkludimin e 14-të të deklaratës me 15 sosh.
Rezerva ndaj saj, një ditë më parë ka shprehur presidentja Vjosa Osmani por qëndrimet në lidhje me diskutimet në samit, i shpalosi edhe të enjten.
“E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm; Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkretë në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe joevropiane; Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe; Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha, ky është vullneti i popullit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Por, efektin e deklaratave të tilla nuk është duke e parë analisti Dritëro Arifi. Sipas tij, është dashur të punohet më shumë me Bashkimin Evropian në drejtim të ndryshimit të qasjes ndaj Kosovës.
“Nganjëherë politika e jashtme e BE-së në raport me Kosovën po themi kushtimisht në një vijë thuajse është e njëjtë me atë të Rusisë dhe kjo nuk ka ndryshuar për fat të keq. Është dashur të ketë një evoluim të politikës së jashtme që Kosova të shihet si një vend partner, që i bie se do të duhej të kishte një debat të brendshëm në BE që të njihet Kosova nga pesë vendet që nuk e njohin se më nuk ka kuptim kjo politikë. Është e pakuptimtë pas luftës në Ukrainë kur ka ndryshuar gjithçka”, ka thënë ai.
Duke komentuar përmbajtjen e deklaratës së Brukselit, si dhe kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë, Arifi thotë se kjo është e pritshme, pasi sipas tij, është rrjedhojë e qasjes që BE-ja ka pasur ndaj Kosovës.
“Botëkuptimi i BE-së për Kosovën është ende sikur me qenë viti para vitit 2008 dhe kjo është absurd duke e ditur që ka ndryshuar shumëçka, jo vetëm në Kosovë, por sidomos edhe pas luftës në Ukrainë ka ndryshuar politika dhe botëkuptimi për politikën e jashtme dhe BE-ja nuk ka qenë po themi, e vetëdijshme dhe as e gatshme për ta ndryshuar këtë qasje”, ka thënë ai.
Arifi vlerëson se ka ardhur koha që Kosova të zhvillojë dialog me Bashkimin Evropian në lidhje me arritjen e njohjes së shteteve që nuk e kanë bërë këtë, në mënyrë që të ndryshohet qasja e politikës së jashtme të BE-së ndaj Kosovës.
Po ashtu, në Deklaratën e Brukselit, të dakorduar pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, blloku ka mirëpritur “vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t'u përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit”.
Në këtë deklaratë është kërkuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të zbatojnë reformat e nevojshme në aspektet si sundimi i ligjit, liria e shprehjes, barazia gjinore, media e pavarur.
“BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave. Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e partnerëve tanë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, thuhet në deklaratë.
BE-ja ka thënë se është e përkushtuar që ta afrojë Ballkanin Perëndimorë tek ajo, ndërsa ka shtuar se Plani i Rritjes ka potencial për ta dyfishuar rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme.