Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se janë në komunikim me palët pas konfirmimit të dënimit për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, i cili masakrën e Reçakut e kishte quajtur trillim. Derisa BE-ja e cilëson shkelje të marrëveshjes përbërjen e panelit që ia konfirmoi dënimin Todosijeviqit, Qeveria dhe Këshilli Gjyqësor nuk janë deklaruar. Por sipas interpretimit të juristëve nuk ka pasur shkelje, pasi marrëveshja nuk i referohet nacionalitetit, por komunave në veri
Shkelje të Marrëveshjes së vitit 2013 për integrimin e gjyqësorit e konsideron edhe Bashkimi Evropian konfirmimin e dënimit nga Apeli për deputetin e Listës Serb, Ivan Todosijeviq.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për KOHËN se Marrëveshja e Brukselit është një gur themel për normalizimin e marrëdhënieve që nuk guxon të minohet nga askush.
“Lidhur me modalitetet e gjykimit në apel të zotit Todosijeviq, kujtojmë se marrëveshja e arritur në vitin 2013 në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e vlefshme. Kjo marrëveshje parashikon, ndër të tjera, se ‘Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel të përbërë nga shumica e gjyqtarëve serbë të Kosovës për t'u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe të Kosovës’. Për rastin në fjalë, kjo nuk është respektuar”, ka thënë Stano. “Marrëveshja e Brukselit është një gur themeli në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk guxon të minohet. BE-ja pret që të gjitha marrëveshjet e dialogut të respektohen dhe të zbatohen plotësisht nga të dyja palët. Ne gjithashtu presim që të dyja palët të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”.
Stano ka shtuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me palët për zbatimin e marrëveshjeve.
“Por nuk i bëjmë publike detajet e shkëmbimeve tona”, ka thënë ai.
Por Ministria e Drejtësisë e ka quajtur të paprecedent dhe ndërhyrje në drejtësi deklaratën e zyrtarit të BE-së. Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ministria ka thënë se nuk ka pasur asnjë shkelje të marrëveshjes.
“Diskutimi i aktgjykimit të Gjykatës së Apelit nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian është i paprecedent dhe e dëmton rëndë institucionin, prandaj deklarata si e tillë është e papranueshme. Nuk ka pasur asnjë shkelje të marrëveshjes. Në të kaluarën janë bërë shumë koncesione në dëm të Kosovës, por assesi nuk do të ketë situata të tilla tutje”, kanë thënë në kabinetin e ministres Albulena Haxhiu.
Sipas tyre, ministrja Haxhiu ka takuar kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ku ka shprehur shqetësimin në raport me bojkotin.
“Ministrja ka theksuar se veprimet e tilla nuk duhet të tolerohen dhe duhet të marrin fund, dhe ka kërkuar nga KGJK-ja që të ndërmarrë veprime në raport me gjyqtarët që u binden urdhrave nga Serbia dhe që i shkelin detyrat e tyre”.
Sipas Ministrisë, askund nuk theksohet se në Departamentin special në kuadër të Gjykatës së Apelit të vendosen dy gjyqtarë serbë për raste të tilla.
“Edhe në takimet që ka pasur zëvendëskryeministri Bislimi në Bruksel, por edhe në takimin e Komitetit për liri, drejtësi dhe siguri, në të cilin ka qenë e pranishme ministrja e Drejtësisë, është kundërshtuar një kërkesë e tillë, sepse shkelur rëndë Kushtetutën e Kosovës. Është në diskrecionin e shefit të Departamentit special që të caktojë panelet për trajtimin e lëndëve”, kanë thënë në Ministrinë e Drejtësisë.
Sipas marrëveshjes së vitit 2013, Gjykata e Apelit në Prishtinë do të themelojë një panel të përbërë me shumicë serbë të Kosovës për të gjykuar të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe.
Një marrëveshje tjetër që përcaktonte modalitetet e funksionimit të gjyqësorit në veri ishte nënshkruar në vitin 2015.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), që ka monitoruar gjykimin e rastit të Todosijeviqit, vlerëson se nuk ka pasur shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, pasi ajo nuk i referohet nacionalitetit, por komunave.
“Marrëveshja për drejtësi e Brukselit e vitit 2013 përcakton se Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë do të trajtojë rastet të cilat vijnë nga komunat me shumicë serbe. Pra, kjo marrëveshje nuk i referohet nacionalitetit, por i referohet komunës me shumicë serbe. Në drejtim të kësaj edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nxjerrë një rregullore që ka materializuar këtë procedurë dhe ka përcaktuar se cilat janë komunat me shumicë serbe dhe ka perceptuar se Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë ka kompetencë për të trajtuar vetëm rastet të cilat në gjykatën e shkallës së parë janë trajtuar nga komunat me shumicë serbe, çfarë nuk ka ndodhur në rastin e deputetit për arsye se ai është gjykuar fillimisht nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe rrjedhimisht Divizioni në Mitrovicë nuk ka pasur kompetencë që ta trajtojë këtë rast, por është dashur ta trajtojë Gjykata e Apelit, përkatësisht Departamenti special në kolegj të rregullt”, ka thënë Gëzim Shala, hulumtues në IKD.
tij, për më tepër edhe praktika gjyqësore e Gjykatës së Apelit ka treguar se në secilin rast tjetër është vepruar kështu në rastet “kur në gjykatën e shkallës së parë ndonjë serb nuk është gjykuar në një gjykatë nga një komunë me shumicë serbe, por është gjykuar në komunat e tjera”.
IKD-ja po ashtu i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ketë kujdes të shtuar në reagimet publike lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, me theks të veçantë në Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi. Sipas këtij instituti, “reagimet e ngutshme, të pabazuara dhe duke akuzuar njërën palë pa të drejtë, cenojnë rëndë besimin e publikut në këto marrëveshje, inkurajojnë qytetarët e komunitet serb për mosintegrim në sistemin kosovar të drejtësisë dhe i hapin mundësi palës serbe për të ndërhyrë padrejtësisht në këtë proces”.
Todosijeviq përmes mbrojtjes së tij kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, përkatësisht përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve shqiptarë. Kjo ishte arsyetuar me atë se i pandehuri ka dëmtuar ndjenjat e tërë popullit shqiptar, e meqë të gjithë janë shqiptarë në kolegj, edhe gjyqtarët janë të dëmtuar. Por Gjykata Supreme ia kishte refuzuar kërkesën.
Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019 për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.
Pas konfirmimit të dënimit, Todosijeviq humb edhe mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.
Në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (paragrafi 3.6) përcaktohet që mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.
Ulësen e tij pritet ta zërë deputetja e Listës Serbe, Dragana Antoniejeviq, e cila në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt është deputetja me më së shumti vota.
Por në mbrojtje Todosijeviqit i kanë dalë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe Lista Serbe. Ata madje kanë kërcënuar edhe me bojkotim dhe moslejim të mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat veriore, të cilat do të mbahen më 17 tetor.
Zyrtarë të BE-së kanë thënë se nuk i komentojnë deklaratat e grupeve apo partive politike.
Pas vendimit të Apelit bojkotit i kanë hyrë gjyqtarët serbë që punojnë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut.